Euro 2020

Zvicra dhe Turqia, ballafaqimi me nevojën e madhe të fitores

Descriptive Text

Të paktën dikush nga ekipi i Zvicrës ka arsye për t’u gëzuar.

Portieri Yann Sommer shkoi në shtëpi pas humbjes 3:0 të mërkurën nga Italia për shkak të lindjes së fëmijës së dytë dhe më pas iu ribashkua skuadrës të premten. Tani për një detyrë më të vështirë, për ta kthyer në sukses kampanjën e Kampionatit Evropian.

Me situatën ku të dyja skuadrave u duhet fitorja patjetër, takimi i Zvicrës kundër Turqisë të dielën në orën 18:00 në Baku të Azerbajxhanit mund të kthehet në festival të futbollit sulmues. Barazimi nuk i kryen punë as njërës e as tjetrës skuadër për të avancuar në 1/8 e finales.

Dhe sa më e thellë të jetë fitorja, aq më mirë.

Me fitore Zvicra do t’i kishte katër pikë në Grupin A dhe do ta kishte shansin të kualifikohej si një nga katër skuadrat më të mira të vendit të tretë, apo edhe t’ia zinte vendin Uellsit. Megjithatë, goldallimi -3 po e dërgon Zvicrën jashtë Evropianit. E varur nga rezultatet e grupeve të tjera, fitorja me një gol kundër Turqisë mund të mos jetë e mjaftueshme.

“I gjithë shteti është i dëshpëruar. Është mirë të jesh i dëshpëruar, ndodh në sport”, ka thënë mesfushori i Zvicrës, Steven Zuber. “E dimë se si është ndjenja të jesh në anën tjetër dhe ky është qëllimi ynë – të jemi në anën tjetër të dielën”.

Turqia i humbi të dyja ndeshjet hapëse pa shënuar gol dhe trajneri Senol Gunes u ka kërkuar falje tifozëve. Vendi në 1/8 e finales ende është i mundur, por kjo kërkon një fitore të madhe kundër Zvicrës për ta përmbysur goldiferencën -5 dhe rezultatet e grupeve të tjera që do të shkonin në të mirë të Turqisë.

Njësoj si kundër Uellsit të mërkurën, ndeshja e së dielës do të jetë si në shtëpi, me tifozët turq që do të udhëtojnë dhe shumë tifozë të tjerë lokalë në Azerbajxhan që do ta përkrahin skuadrën.

Zvicra nuk ka shënuar shumë, po ashtu, duke realizuar vetëm një herë në dy ndeshje. Që nga humbja nga Italia, shumë njohës të futbollit e kanë kritikuar Vladimir Petkoviqin duke parë gjëra negative në taktikën e tij dhe mungesë të kreativitetit.

Petkoviqi është në krye të skuadrës që prej vitit 2014. Renditet në vendin e tretë për nga jetëgjatësia në këtë post nga të gjitha skuadrat pjesëmarrëse në “Euro 2020”, ndërsa të dielën do ta udhëheqë ekipin në ndeshjen e 76-të. Ai asnjëherë nuk kishte humbur ndeshje në turne të mëdha në fazën e grupeve para se të mposhtej nga Italia.

Para se të niste faza e grupeve, Zvicra e kishte shpresën që ta përfundonte serinë e tri eliminimeve rresht në 1/8 e finales në ngjarje të mëdha. Tani, ajo fazë e garës do të vlerësohej si arritje.