Trajneri Muhamet Dragusha dhe trajnerja Suada Jashari kanë refuzuar të konsiderojmë ndonjë përfaqësuese si favorite absolute për të triumfuar në Euro 2020.
Sipas Dragushës, duke marrë parasysh luhatjen që po kanë ekipet, nuk mund të ekzistojë fjala ‘’favorit absolut’’.
‘’Befasi ka qenë pak Kroacia për ndeshjen që e zhvilloi kundër Çekisë. Vetëm rezultati është befasi, për shkak të lojës që po krijon Çekia. Nuk ka favorit absolut në kampionat, asnjë. As Franca apo Belgjika. Duke pasur parasysh luhatjen e ekipeve, nuk ka favorit absolut. Më favorite kemi, por absolute nuk ka. Kampionatet Evropiane sjellin befasi, shembull është Greqia në vitin 2004. Mendoj që tri ndeshjet e sotme, përveç Kroacisë, kanë qenë rezultate të pritura. Anglia është pritur të fitojë, por edhe me një pikë janë të kënaqur. Është interesante sesi luajti Skocia sot, çfarë organizimi fantastik pati për ta bllokuar në çdo hapësirë Anglinë. As me statistika nuk ka qenë shumë më mirë Anglia. Ka qenë barazim i merituar i Skocisë’’, deklaroi Dragusha në KTV.
Të njëjtin mendim e ndau edhe trajnerja Jashari, e cila thotë se mund të ketë befasi në fund.
“Po shohim një Kampionat Evropian shumë kualitativ nga ana e ekipeve. Mund të shohim befasi. Do të jetë kampionat i rivalizuar deri në fund, por mendoj që nuk ka favorit absolut. Është Franca ndër favoritet, apo Anglia por shohim se mund të ketë befasi”, ka thënë Jashari.