Pas nderimit të veçantë të Christian Eriksenit dhe atmosferës “magjike” të krijuar nga tifozët, lojtarët e Danimarkës duan t’i shpërblejnë mbështetësit e tyre në Kampionatin Evropian të futbollit.
Ata e kanë një rast të fundit për ta bërë këtë, kur takohen me Rusinë të hënën në Kopenhagë, të vetëdijshëm se fitorja mund të jetë e mjaftueshme për të avancuar në raundin nokaut në “Euro 2020”.
Te Danimarka të premten kanë folur për emocionet e shumta që ishin pjesë e ndeshjes ndaj Belgjikës në “Parken Stadium” një natë më parë. Tifozeria e zëshme ka nderuar Eriksenin me një minutë duartrokitje, pas dhjetë minutave lojë. Danimarka kaloi në avantazh ndaj Belgjikës, e cila në fund fitoi 2:1.
“Ajo atmosferë dhe ajo përkrahje, ishte diçka që nuk kam përjetuar më parë”, ka thënë mesfushori danez, Pierre-Emile Hojbjerg.
“Ishte e jashtëzakonshme dhe shumë, shumë e fuqishme. Shumë njerëz na kanë mbështetur. Tani e gjitha që duam të bëjmë, për çdo gjë në botë, është t’i shpërblejmë ata me çdo gjë që kemi. Dhe këtë do ta bëjmë të hënën, do të japim çdo gjë nga vetja”.
Ndeshja ndaj Belgjikës ishte e para për Danimarkën që kur ylli Eriksen pësoi arrest kardiak në ndeshjen hapëse ndaj Finlandës. Ai u mbajt në jetë me defibrilator pasi kolapsoi në fushë. Edhe pas humbjes me Belgjikën, lojtarët e Danimarkës janë përkrahur fuqishëm dhe kanë marrë ovacione nga i gjithë stadiumi.
Trajneri i Danimarkës, Kasper Hjulmand, ka thënë se ishte e jashtëzakonshme përkrahja që kanë marrë nga tifozët, duke nisur nga baza stërvitore jashtë Kopenhagës e deri në stadium.
“Të vijmë në Parken dhe të ndiejmë atë energji, ishte e magjishme”, ka thënë Hjulmand dhe ka shtuar: “Stadiumi na ka ndihmuar të paraqitemi në mënyrën që u paraqitëm dje”.
Danimarka kishte humbur 1:0 nga Finlanda, pasi ndeshja ishte vazhduar pas ndërprerjes prej 90 minuta. Ndonëse pa pikë pas dy ndeshjeve, Danimarka ende ka gjasa reale për të avancuar nga Grupi B.
Një fitore ndaj Rusisë mund të jetë e mjaftueshme, nëse Belgjika e mposhtë Finlandën.
“Tani duhet ta kryejmë punën të hënën”, ka thënë Hojbjerg.
Hjulmandi ka thënë se mezi mund të besonte që ekipi i tij është pa pikë, pasi kishte 23 gjuajtje në ndeshjen e parë, krahasuar me vetëm një që e kishte Finlanda. Kundër Belgjikës, danezët kishin 22 përpjekje gjithsej, ndërsa belgët kishin gjashtë.
“Natyrisht, ka të bëjë me saktësinë në përfundim të aksioneve dhe për ta futur topin në rrjetë”, ka thënë Hjulmand.
Federata e Danimarkës ka thënë të enjten se Eriksenit do t’i vihet një pajisje që mund të funksionojë si stimulues kardiak dhe defibrilator. Ai ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me shokët e skuadrës dhe u ka dërguar mesazh përkrahjeje pas ndeshjes me Belgjikën.
Nuk ka dyshim që Danimarka do të vazhdojë të luajë për të. Erikseni është ylli më i madh i skuadrës.
“Ai është me ne gjithë kohën. Ai është me ne këtu”, ka thënë Hojbjergu duke e prekur gjoksin e tij.