Euro 2020

Te Austria pranojnë dënimin e Arnautoviqit

Te përfaqësuesja e Austrisë kanë thënë se nuk kanë çka të bëjnë lidhur me vendimin e UEFA-s ndaj sulmuesit Marko Arnautoviq.

UEFA të mërkurën e ka dënuar Arnautoviqin e Austrisë me një ndeshje moslojë “për fyerje të një lojtari tjetër”.

Në ndeshjen ndaj Maqedonisë së Veriut, Arnautoviq, pasi kishte shënuar gol, e ka fyer në baza kombëtare futbollistin shqiptar, Ezgjan Alioski. Madje Arnautoviq ka sharë në gjuhën serbe. Ai e ka babain serb e nënën asutriake.

Më pas Arnautoviq kërkoi falje, ndërsa Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut ka kërkuar dënim maksimal ndaj lojtarit. Por UEFA e ka dënuar Arnautoviqin për fyerje ndaj një lojtari tjetër e jo për fyerje në baza kombëtare. Nëse do të shpallej fajtor për fyerje në baza kombëtare, Arnautoviq do të mund të dënohej deri në 10 ndeshje moslojë.

Arnautoviq do të mungoj të enjten ndaj Holandës.

“Duhet të jetojmë me këtë”, ka thënë seleksionuesi i Austrisë, Franco Foca. “Nuk ka asgjë që mund të bëjmë”.

Ai ka shtuar se Arnautoviq e ka tepruar me reagim, pasi është provokuar nga lojtarët e Maqedonisë së Veriut. Por nuk ka komentuar më shumë.

“Është mëkat për Austrinë, pasi ai është lojtar shumë i mirë”, ka thënë seleksionuesi i Holandës, Frank de Boer.