Futbollisti shqiptar i krahut, Ezgjan Alioski beson se Maqedonia e Veriut ende ka gjasa për ta kaluar fazën e grupeve. Ai në konferencën për media të mbajtur në Bukuresht, ka theksuar se janë krenar për paraqitjen që kanë pasur ndaj Austrisë në ndeshjen debutuese në Evropian.
Maqedonia e Veriut, të enjten e luan ndeshjen e dytë të Grupit C, ndërsa përballë do ta ketë Ukrainën që po ashtu e humbi ndeshjen e parë nga Holanda.
“Ne jemi shumë krenarë që kemi pasur mundësinë të luajmë kundër Austrisë. Rezultati nuk ka qenë në anën tonë, por ne do të mundohemi ta bëjmë më të mirën për t’u përmirësuar. Ne i shijojmë këto ditë dhe mendojmë se ende asgjë nuk ka përfunduar. Para ndeshjes me Ukrainën, ne do të bëjmë një analizë të ndeshjes, por edhe të gabimeve që i kemi bërë kundër Austrisë. Ne do të përgatitemi për ndeshjen ndaj Ukrainës sikur të jetë për ne finale, sepse të dyja përfaqësueset jemi pa pikë dhe kjo do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Ata luajnë futboll shumë sulmues dhe duhet të kemi kujdes”, ka thënë Alioski.
Alioski insiston se Ukraina është favorite dhe se presioni do të jetë mbi ta. Por, Alioski ngul këmbë se Maqedonia nuk do të hyjë me flamur të bardhë ndaj Ukrainës.
“Ne duhet të përqendrohemi te vetja jonë. Ne duhet të ruajmë besimin në këtë skuadër që mund të shkojmë më tej dhe të luajmë lojën tonë. Nëse luajmë mirë mund të pranojmë nj gol, sepse mund të shënojmë dy gola. Ne nuk duhet të heqim dorë nga ndeshja kundër Ukrainës për asnjë moment”, ka theksuar Alioski.
Pjesë e Maqedonisë së Veriut në këtë Evropian janë edhe pesë futbollistë shqiptarë, Enis Bardhi, Arijan Ademi, Visar Musliu, Egzon Bejtullai dhe Ferhan Hasani.