Euro 2020

Mjeku i Danimarkës tregon se e kthyen Christianin në jetë në fushë

Mjeku i Përfaqësueses së Danimarkës, Morten Boesen, ka treguar se kur kishte shkuar te Christian Erikseni në fushë ai ende kishte puls, por më pas pulsi i ndaloi.

Boesen ka treguar se u desh t’i bënin masazh në zemër Christianit dhe e kthyen në jetë.

“Ne u ftuam në fushë kur Christiani kolapsoi. Ai ishte shtrirë kur iu afruam dhe kishte puls. Por pamja ndryshoi dhe i bëmë masazh kardiak për t’i shpëtuar jetën. Shpejt morëm ndihmë nga mjeku i stadiumit dhe e rikthyem Christianin. Christiani foli me mua para se të dërgohej në spital”, ka thënë Boesen, raportojnë mediumet e huaja.

Eriksen kolapsoi në fushë nga fundi i pjesës së parë të ndeshjes së Euro 2020 mes Danimarkës dhe Finlandës të zhvilluar të shtunën. Danimarka e humbi ndeshjen 1:0.

Kardiologu britanik Scott Murray, thotë se me gjasë do të jetë fundi i karrierës së Eriksenit.

Ai ka treguar se Italia ka ligje të forta sa i përket problemeve me zemër te sportistët.

“Është me gjasë fundi i karrierës së tij. Italianët ndalojnë njerëzit nga pjesëmarrja në sport nëse zbulojnë se ka abnormalitete të mëdha kardiake, është në ligj. E kanë bërë për një periudhë të gjatë, përtej 20 vjet dhe e kanë reduktuar numrin e vdekjeve në sport si pasojë e sulmeve në zemër nga mbi 3 për qind në përfundi një për qind”, tha Murray për Daily Mail.