Euro 2020

Selektori i Finlandës flet për ndeshjen e pazakontë me Danimarkën

Finlanda ka debutuar me fitore në Evropian. Finlanda e mposhti Danimarkën me rezultatin 1:0. Por ndeshja e së shtunës do të mbahet mend për rastin e rëndë që e kishte ylli danez, Christian Eriksen, që u rrëzua pa ndjenja dhe për kohë të gjatë nuk dihej nëse do të shpëtojë. Eriksen po e merr veten, ndërsa ndeshja u vazhdua dhe u fitua nga Finlanda.

“Ishte natë shumë emocionale për ne. Për herë të parë në një turne të madh dhe ndeshja hapëse ndaj Danimarkës në stadiumin e saj. Kur kemi dëgjuar himnin, ishte shumë emocionale për ne. Më pas ajo që i ndodhi Christian Eriksenit – një incident dramatik dhe i trishtuar. Dhe më pas, më në fund, ne morëm rezultatin nga ndeshja. Natyrisht se jam i lumtur. E pabesueshme. Do ta mbajmë mend këtë gjatë për arsye të shumta”, ka thënë Kanerva.

Ai ka treguar se çka u ka thënë lojtarëve para rifillimit të lojës.

“U kam thënë se i kuptoj emocionet e ndeshjes dhe si ndihen ata pas asaj që i ndodhi Christianit. U kam thënë të mundohen të fokusohen aq sa munden në lojë. U kam thënë se e di se do të jetë vështirë për të bërë këtë, por ata e përballuan vërtetë mirë”.