Euro 2020

Rrugëtimi i Jorginhos nga bregdeti brazilian deri në “Euro 2020”

Pas shumë vjetësh trajtimi të keq dhe keqkuptimi, Jorginho është bërë fitues i Ligës së Kampionëve dhe njëri prej lojtarëve kryesorë të Italisë në “Euro 2020”.

Për të kuptuar se si Jorginho ka arritur kulmin e lojës, pavarësisht kritikave të vazhdueshme, mjafton të shikohet rrugëtimi i tij për në maj dhe pengesat e shumta që ka kapërcyer rrugës.

Jorginho u rrit në Imbituba, në Santa Catarina, në jug të Brazilit dhe u frymëzua nga nëna e tij, Maria Teresa Freitas, që të merrej me futboll. Ajo kishte luajtur futboll vetë dhe barti talentin te djali Jorge Frello Filho, që tashmë njihet si Jorginho.

Për të vazhduar edukimin në futboll, ai është dashur të udhëtojë 100 mile për në qendrën sportive në Guabiruba. Bëhet fjalë për një qendër të pajisur jo mjaftueshëm, ku i riu jetoi me 50 djem të tjerë. Atyre u është shërbyer ushqim i njëjtë tri herë në ditë dhe me të rinjtë kishin qasje vetëm në ujë të ftohtë për të bërë dush.

Jorginho deshi disa herë të hiqte dorë, por qëndrueshmëria e tij më në fund u shpagua. Me vetëm 15 vjet ai firmosi me Veronan në Itali.

Por as në Itali jeta nuk ishte e lehtë për të. Ai është dashur të jetojë me vetëm 20 euro në javë dhe për pak nuk hoqi dorë plotësisht nga futbolli. Sidoqoftë ai zbuloi se menaxheri i atëhershëm po ia ndalte një pjesë të të hyrave. Kur problemet financiare u zgjodhën, Jorginho filloi të lulëzonte. Nën drejtimin e menaxherit të parë, Andrea Mandorlini, ai u bë profesionist i nivelit senior.

“Kur e pashë për herë të parë, ai ishte një djalosh që nuk kishte peshën e mjaftueshme trupore. Por për shkak të punës që ka bërë dhe sakrificës, ai së pari u bë burrë e më pas lojtar i shkëlqyeshëm”, ka thënë Mandorlini për “goal.com”.

“Ai ishte i destinuar për sukses. Gjithnjë kam besuar se do të bëhet top-lojtar. Ai gjithnjë ka vënë veten në shërbim të trajnerit, pavarësisht se si i është kërkuar të luajë. Mendoj se kritikat ndaj tij ishin të padrejta. Ndoshta nuk është lojtar që shkëlqen, por ka rëndësi të madhe për ekipin, për shkak të thjeshtësisë së lojës. Jorginho mund të luajë me këdo dhe është shumë inteligjent. Është lojtar modest që mund të përshtatet në secilin sistem, në secilën lojë dhe me secilin menaxher”, ka vazhduar menaxheri i braziliano-italianit.

Pasi u zhvillua te Verona, Jorginho u transferua te Napoli në vitin 2014, ku qëndroi katër vjet, para se të transferohej te Chelsea. Ai vazhdon të jetë te Chelsea.

Rafael Benitez ishte në krye të Napolit kur u transferua Jorginho. Por ai doli në pah vetëm pasi Maurizio Sarri mori drejtimin e ekipit në vitin vijues.

Sarri e shndërroi Jorginhon në njërin prej organizatorëve më të mirë dhe nuk ishte befasi që e mori me vete në Chelsea në vitin 2018.

Pep Guardiola ishte i bindur se Jorginho ishte interesant për Manchester Cityn, por ndikimi i Sarrit përcaktoi lëvizjen e futbollistit.

Në fillim ai është dashur të përballet me fjalët se ishte në ekip vetëm për faktin se për mentor e kishte trajnerin. Madje ai ishte quajtur “djali i Sarrit”.

Por këto fjalë i mohoi me paraqitje në fushë. I shkon për nder që lojtari i transferuar për 57 milionë funte u bë edhe më i rëndësishëm pas largimit të Sarrit nga Chelsea, në vitin 2019. Ai u bë zëvendëskapiten nën urdhrat e Frank Lampardit.

Billy Gilmour e ka vlerësuar Jorginhon lider gjatë një interviste, duke treguar se 29-vjeçari i ofron vazhdimisht ndihmë dhe këshilla. Më në fund nuk janë vetëm trajnerët dhe bashkëlojtarët që ia njohin atributet e shumta.

Me lojën e tij që ka prekur nivel edhe më të lartë me Thomas Tuchelin, ka një ndjenjë se futbolli anglez më në fund po e kupton aftësinë e Jorginhos.

Ajo që e bën krenare familjen dhe trajnerin më së shumti, është që Jorginho vazhdon të mbetet modest. Ai ka bërë shokë kudo ku ka luajtur dhe ka kaluar barrierat kulturore në dhomat e zhveshjes. E mësoi shpejt anglishten pasi u vendos në Londër dhe ka bërë shokë të mirë lojtarët si Mason Mount.

“Ai sjell ndriçimin me vete”, ka thënë ish-mbrojtësi i Chelseat, Mario Melchiot. “Ai gjithnjë qesh dhe tallet. Është i këndshëm. Ai të jep një përqafim. Është person i sinqertë”.

Me gjithë suksesin, futbollisti nuk është ende plotësisht i kënaqur. Ai vazhdon të angazhohet për të dëshmuar se është lojtar më i mirë se nëna e tij.

“Ajo gjithnjë do të jetë më e mirë se unë”, kishte thënë Jorginho, kur ishte pyetur për personin me ndikimin më të madh në karrierën e tij.

Pasi mbante pasaportën e Italisë dhe të Brazilit, Jorginho ishte në dispozicion për të luajtur për të dyja vendet. Në vitin 2012 ishte ftuar nga Italia U21 për herë të parë. Në vitin 2014 ai shprehu dëshirën që të luante për Italinë më shumë se për Brazilin. E mori ftesën e parë nga Antonio Conte në mars të vitit 2016. Deri në Evropian ka luajtur 28 ndeshje dhe ka realizuar pesë gola. Evropiani mund të jetë skena për shpërthimin tjetër të tij.