Turqia dhe Italia e hapin “Euro 2020”, të premten mbrëma (21:00) në “Olimpico”, Romë, një vit më vonë se që ishte planifikuar, për shkak të pandemisë COVID-19.
Rreth 16 mijë shikues pritet të jenë në stadium në ndeshjen hapëse të Evropianit të futbolli, ndërsa shikues pritet të ketë në të gjitha 51 ndeshjet që luhen në 11 vende të ndryshme prej 11 qershorit deri më 11 korrik.
Italia e Robert Mancinit ka fituar tetë ndeshjet e fundit dhe nuk ka pranuar gol. Është e pamposhtur që prej vitit 2018. Italianët janë të vendosur që menjëherë në ndeshjen e parë të dëshmojnë forcën, përkatësisht të shfaqin pretendimet për të shkuar deri në fund.
Pa gjasa nuk është as Turqia, për të cilën ka vlerësime se mund të bëjë disa befasi në “Euro 2020”.
Skuadra e Turqisë përfshin tre lojtarë që fituan titullin e Ligue 1 me Lillen, sulmuesin Burak Yilmaz, mesfushorin Yusuf Yazici dhe mbrojtësin Zeki Çelik.
Do të jetë ndeshja e parë e një turneu të madh që zhvillohet në Itali që nga viti 1990.
Uellsi dhe Zvicra takohen në ndeshjen tjetër të grupit, në Baku, të shtunën nga ora 15:00.
Turqia është pa Çenk Tosun, golashënuesin më të mirë në kualifikime, që mungon në “Euro 2020” për shkak të një lëndimi të gjurit të pësuar në muajin prill. Sulmuesi i Lilles, Yilmaz (35), do të udhëheqë vijën e parë, ndërsa lojtari i krahut, Çengiz Under, mund të startojë pasi shënoi si zëvendësues në ndeshjen e fundit përgatitore.
Italia mund të caktojë skuadrën e njëjtë që ftoi ndaj Çekisë javën e kaluar në miqësore. Marco Verrati nuk e ka sanuar ende një lëndim të gjurit, kështu që Manuel Locatelli pritet të startojë në mesfushë.
Domenico Berardi ka shënuar në katër paraqitjet e tij të fundit me azurët dhe pritet të jetë zgjedhje për krahun e djathtë para Federico Chiesas.
Mesfushori i Romës, Lorenzo Pellegrini, është lënduar në stërvitje të mërkurën dhe Italia po e pret konfirmimin e UEFA-s për ta zëvendësuar me Gaetano Castrovillin e Fiorentinas.
Turqia nuk e ka mposhtur asnjëherë Italinë. I ka humbur shtatë prej dhjetë ndeshjeve. Dy ndeshjet e fundit, miqësoret e vitit 2002 dhe 2006, kanë përfunduar 1:1.
Takimi i vetëm në ngjarje të mëdha erdhi saktësisht 21 vjet më parë, në “Euro 2000”. Italianët fituan 2:1 në Arnhem, falë golave të Antonio Contes dhe Pippo Inzaghit. Okan Buruk kishte barazuar për Turqinë, duke shënuar golin e parë për këtë përfaqësuese në kampionate evropiane.
Turqia
Turqia ka humbur ndeshjen hapëse në të gjithë katër evropianët e kaluar të saj.
Turqia ka shënuar 14 gola në gjashtë ndeshje këtë vit. Ka dështuar të shënojë vetëm ndaj Guinesë në fund të majit, 0:0.
Mosha mesatare e lojtarëve të Turqisë është 24 vjet e 352 ditë, më e ulëta e të gjithë ekipeve në “Euro 2020”.
Ekipi i Shenol Guneshit ishte i vetmi që nuk pranoi asnjë gol nga loja e hapur në kualifikime për “Euro 2020”. Ka pranuar gjithsej tri gola. Vetëm edhe Belgjika ka pranuar kaq pak.
Turqia ka mbajtur portën të paprekur vetëm në një prej dhjetë ndeshjeve të fundit në ngjarje të mëdha. Ishte kjo ndeshja e fundit e Turqisë në fazën grupore të “Euro 2016” – fitorja 2:0 ndaj Çekisë.
“Është burim krenarie për ne që të luajmë ndeshjen hapëse në këtë turne. Jemi shumë mirënjohës që kemi arritur këtu dhe dua të falënderoj të gjithë ata që e kanë bërë këtë të mundur. Italia ka ekip të madh dhe kam shumë respekt për të. Është hera e parë që Turqia luan ndeshjen hapëse, ndërsa për të gjithë lojtarët tanë, pos tre prej tyre, është ndeshja e parë në Euro. Mancini e njeh Turqinë, ka punuar në Galatasaray, dhe ai ka formuar ekip shumë të mirë. Por ne jemi këtu për të fituar”, ka thënë selektori i Turqisë, Shenol Gunesh.
Italia
Azurët janë të pamposhtur në 27 ndeshjet e fundit, që është seria e dytë më e gjatë e tyre në histori.
Janë në seri prej tetë fitoreve në ndeshje garuese, tri më pak se seria më e gjatë, e vendosur në vitin 2019.
Ekipi i Mancinit e ka mbajtur portën të paprekur në të gjitha këto fitore dhe ka shënuar 785 minuta pa pranuar gol.
Ndonëse ka luajtur 38 ndeshje në kampionate evropiane, Italia asnjëherë nuk ka shënuar më shumë se dy gola në një ndeshje.
Italianët ishin të përfshirë në tetë barazime pa gola në turne, më shumë se çdo përfaqësuese tjetër.
“Ne duhet ta respektojmë Turqinë. Është ekip i mbushur me talente. Ndeshja hapëse është gjithnjë e vështirë dhe do të ketë shumë emocione. Dëshira është të jemi protagonistë në këtë Evropian, por së pari ta përfundojmë me sukses ndeshjen e parë”, ka thënë Mancini.
Përbërjet e mundshme
Turqia: Çakir, Çelik, Demiral, Soyuncu, Merash, Yokushlu, Tufan, Çalhanoglu, Karaman, Yazici, Yilmaz
Italia: Donnarumma, Florenzi, Bonucci, Chiellini, Spinazzola, Barella, Jorginho, Lcoatelli, Berardi, Immobile, Insigne