Euro 2020

Locatelli i fokusuar në Evropian

Descriptive Text

Mesfushori i Sassuolos, Manuel Locatelli nuk po lejon që thashethemet për të ardhmen e tij, ta shqetësojnë gjatë përgatitjeve për Kampionatin Evropian me Përfaqësuesen e Italisë.

“Janë thjeshtë biseda. Unë do të vendosi për të ardhmen time pas Evropianit”, insistoi Locatelli.

Locatelli ka tërhequr vëmendjen e shumë skuadrave të mëdha të Evropës, siç janë Juventusi dhe Manchester City pas paraqitjeve të mira që i pati te Sassuolo në edicionin e fundit. Megjithatë, mesfushori nuk e ka ndërmend të shpërqendrohet nga thashethemet për një lëvizje të tij të madhe gjatë kësaj vere.

“Kampionati Evropian është shumë i rëndësishëm dhe unë jam i përqendruar vetëm në këtë turne. Nuk me intereson asgjë tjetër”, tha Locatelli. “Unë mbështetem në atë që ndodh në fushë, gjërat e vërteta, gjithçka tjetër është thjeshtë thashetheme, është e kotë të flasësh për të”.

Locatelli, i cili ka dhjetë paraqitje me Italinë, po përgatitet për turneun e tij të parë të madh dhe pritet të jetë titullar në ndeshjen e parë të Evropianit, që italianët e luajnë të premten në Romë kundër Përfaqësueses së Turqisë.

“Kam ëndërruar si fëmijë të luaj në Evropian dhe tani po ndihem shumë i emocionuar. Nuk e di se çfarë formacioni do të zgjedhë trajneri, por ne do të përpiqemi të jemi të gatshëm”, u shpreh ai. “Ne duhet të hyjmë në fushë dhe të luajmë për të gjithë italianët. Është një përgjegjësi që të gjithë do të donin ta merrnin përsipër. Për mua, është një krenari. ”

“Euro 2020” u shty për një vit për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe 23-vjeçari beson se kjo e ndihmoi atë që të siguronte një vend te Italia. Edicionin e fundit, Locatelli ishte njëri prej lojtarëve kryesor te Sassuolo, ku shënoi katër gola dhe bëri tri asistime në 34 paraqitje në Serie A.

“Fakti që Evropiani u zhvendos për një vit, i bëri gjërat më të lehtë për mua. Ishte një edicion në të cilin jam pjekur shumë. Kam ndryshuar si lojtar, si person, ndihem më i pjekur dhe i përgjegjshëm”, u shpreh Locatelli. “Ne jemi të gatshëm për Evropian dhe do të japim gjithçka për të arritur shumë”.

Locatelli që u transferua në Sassuolo nga Milano është i bindur se ai tashmë i ka dëshmuar vlerat e tij në “Mapei Stadium”.

“Nuk po mendoj për transferimin, pasi fokusi është në Evropian. Kam biseduar me drejtuesit e Sassuolos, dhe jam i vetëdijshëm për vendimin që do ta marr pas Evropianit”, zbuloi Locatelli, i cili ka kontratë me Sassuolon deri në vitin 2023