Euro 2020

Kulusevski i mungon Suedisë kundër Spanjës, rezulton pozitiv me koronavirus

Descriptive Text

Njëri prej lojtarëve kryesor të Suedisë, sulmuesi i krahut, Dejan Kulusevski ka rezultuar pozitiv me koronavirus dhe do të mungoj në ndeshjen e parë të “Euro 2020” kundër Spanjës që luhet javën e ardhshme, ka pranuar përzgjedhësi Janne Andersson të martën.

Kulusevski, i cili luan për ekipin nga Serie A, “nuk do të jetë në dispozicion për ndeshjen kundër Spanjës”, tha Andersson duke shtuar se do të jetë një mungesë shume e madhe për ekipin e tij. Në ndeshjen e parë të Kampionatit Evropian, Suedia do të përballet me Spanjën të hënën, e cila e gjen veten në një situatë të ngjashme, pasi nuk do të mund të llogarit në kapitenin Sergio Busquets, i cili doli pozitiv me koronavirus të hënën.

Mungesa e Kulusevskit e ka goditur Suedinë në prag të Evropianit, duke pasur parasysh edhe mungesën e yllit kryesor Zlatan Ibrahimoviq, i cili nuk u përfshi në listën përfundimtare për shkak të lëndimit të gjurit. Mjeku i ekipit suedez Anders Valentin tha se ishte i bindur se Kulusevski ishte infektuar me koronavirus pas kthimit prej pushimit që e patën futbollistët pas miqësoren me Armeninë. Ai tha se lojtari nuk kishte qenë në të vërtetë në kontakt me lojtarë të tjerë gjatë ditëve të fundit dhe se kishte “një shans të mirë që ai të mos kishte infektuar askënd tjetër”.

Gjatë konferencës për shtyp të martën, ekipi konfirmoi se Kulusevski kishte qenë në kontakt me shokët e ekipit në orët e fundit. Përkundër që asnjëri prej tyre nuk rezultoi pozitiv dhe nuk ka treguar asnjë simptomë deri më tani, Suedia zbuloi se tashmë ka izoluar edhe katër lojtarë tjerë që do t’i mbajë nën vëzhgim për ditët e ardhshme.

“Nuk do të sjellim askënd për të zëvendësuar Dejanin, pasi ai do të mungoj vetëm ndaj Spanjën dhe do të jetë sërish i gatshëm për të luajtur”, shtoi Andersson. “Shpresoj që mos të kemi raste të tjera me koronavirus për ndeshjet e Evropianit”.

Pas Spanjës, Suedia do të përballet me Sllovakinë më 18 qershor kurse ndeshjen e fundit të Grupit E, do ta luaj kundër Polonisë më 23 qershor. Para Spanjës dhe Suedisë, Përfaqësuesja e Holandës gjithashtu ishte detyruar ta izolonte portierin Jasper Cillesen, i cili doli pozitiv me koronavirus javën e kaluar.