Euro 2020

#Profili - Euro 2020: Rusët kërkojnë lavdinë evropiane që e kishin dikur

Descriptive Text

Me verën e mbushur me futboll dhe Kampionatin Evropian në prag, përfaqësuesja e Rusisë gradualisht ka filluar të marrë formë.

Përzgjedhësi i Rusisë, Stanislav Cherchesov, në listën e tij për ndeshjet eliminatore të Kampionatit Botëror që u luajtën në muajin mars, ftoi 28 futbollistë, ku shumica prej tyre do të jenë pjesë e ekipit edhe në “Euro 2020”. Rusia, që ishte nikoqire e Kampionatit Botëror të vitit 2018, pati një mbyllje të fortë të turneut, pasi arriti përfundimin më të mirë në një garë të tillë. Mikpritësit e mposhtën Spanjën në 1/8 e finales përpara se të eliminoheshin nga Kroacia, që në fund doli nënkampione e botës.

Përfaqësuesja e Rusisë është rritur gradualisht me kalimin e viteve, që nga debutimi që e pati në Kampionatin Evropian të vitit 1996. Rusët nuk kanë arritur të kualifikohen në Evropian vetëm një herë që nga ajo kohë dhe atë në “Euro 2000”. Suksesin më të madh, Rusia e arriti në vitin 2008 kur doli e treta në Evropë. Deri në Evropianin e vitit 1992, Rusia ka marrë pjesë në turne si pjesë e Bashkimit Sovjetik dhe sukseset nuk i kanë munguar pasi ka fituar titullin e kampionit në Evropianin e parë të mbajtur në vitin 1960.

Përzgjedhësi dhe taktika

Stanislav Cherchesov mori ekipin rus në vitin 2016 pas Evropianit të mbajtur në Francë. Ai e udhëhoqi Rusinë në përfundimin e saj më të mirë në Kupën e Botës pasi arriti në çerekfinale, duke eliminuar kampionen e vitit 2010, Spanjën.

Cherchesov u bë trajneri i dytë i Rusisë që drejtoi ekipin e tij në fazat e nokautit të Botërorit që nga shembja e Bashkimit Sovjetik (BRSS). Holandezi Guss Hiddink ishte i pari që arriti këtë sukses kur udhëhoqi Rusinë në gjysmëfinale të “Euro 2008”. Cherchesov 57-vjeçar, kryesisht si trajner ka punuar në Rusi, te skuadrat Dynamo Moska, Spartak Moska e Terek Grozny. Në vitin 2015 u bë trajneri i ekipit nga Polonia, Legia Varshava dhe në edicionin e tij të parë, Cherchesov i fitoi dy trofe të futbollit polak, titullin dhe kupën. Si lojtar, ai ishte portier dhe e përfaqësoi Bashkimin Sovjetik 39 herë. Ai fitoi titullin e kampionit katër herë sa ishte Liga Sovjetike dhe u shpall gjithashtu tri herë rresht portieri më i mirë. Edhe për “Euro 2020”, ai ka ruajtur lojtarët kryesor që u paraqitën në Botërorin e vitit 2018. Cherchesov nuk ka ndonjë sistem të veçantë të lojës, por ajo që këtë trajner e bën interesant është se formacionin e ndërron nga ndeshja në ndeshje.

Ylli i ekipit

Aleksandr Golovkin, mesfushori me tipare sulmuese që është pjesë e skuadrës nga Franca, Monaco, është lojtari më i mirë i Rusisë. Kreativiteti dhe aftësia e tij teknike, e lejojnë të sigurojë pasime kyçe përpara portës kundërshtare. Mesfushori është i shpejtë dhe i fortë me të dyja këmbët, gjë që e lejon atë të kalojë mbrojtjet dhe të kërcënojë seriozisht portierin kundërshtar me gjuajtjet e forta dhe të papritura nga distanca. Lojtari i Monacos ka bërë 36 paraqitje për Rusinë duke shënuar pesë gola, përfshirë këtu edhe një në ndeshjen hapëse të Botërorit “Rusia 2018” kundër Arabisë Saudite. Në muajin shkurt të këtij viti, Golovkin shënoi “hat-trick” për Monacon kundër Nimesit, duke u bërë futbollisti i parë rus që ka shënuar tre gola në një ndeshje në Ligue 1.

Lojtari i së ardhmes

Leon Musaev është njëri nga lojtarët më të talentuar që vjen nga skena e futbollit rus. 22-vjeçari që luan për skuadrën e Zenitit, është një mesfushor defensiv, teknikisht i zgjuar dhe i talentuar, me aftësinë për ta mbajtur topin dhe diktuar ritmin e lojës. Ky lojtar në rritje, tërhoqi vëmendjen e trajnerit të Zenitit, Sergei Semak dy vjet më parë. Stafi i trajnerit përfundimisht e mori atë dhe Musaevi ka minutazhë të mjaftueshme te skuadra elitare e Rusisë që vazhdimisht merr pjesë në kupat Evropiane.

Bilanci

Para shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, ekipi fitoi turneun inaugurues të Evropës dhe përfundoi nënkampion në dy nga tre turnetë vijues. Nga viti 1972 deri në vitin 1984, ekipi dështoi të kualifikohej për në Evropian dhe në turneun e fundit si Bashkimi Sovjetik, në vitin 1988, përfundoi përsëri nënkampion i Evropës. Në vitin 1996, Rusia garoi e vetme por nuk arriti të kalojë përtej fazës së grupeve. Të njëjtin fat, Rusia e pati edhe në vitin 2004, 2012 dhe 2016. Andrey Arshavin ishte lojtari që me paraqitjet fantastike që i pati i mundësoi Rusisë që të përfundojë e treta në “Euro 2008”.

Gjasat

Në një grup me favoritin e turneut, Belgjikën dhe pastaj Finlandën e Danimarkën, Përfaqësuesja e Rusisë do të futet në “Euro 2020” me shpresën për të avancuar përtej fazës së grupeve. Ekipi mund të marrë frymëzim nga paraqitja e fortë që e pati në Kupën e Botës të vitit 2018. Megjithatë shumë gjëra do të varen nga paraqitjet e futbollistëve kryesor të ekipit si Aleksandr Golovkin, Denis Cheryshev e Artem Dzuyba që duhet ta shtyjnë Rusinë përpara.

Lista e Rusisë për Evropian

Portierë: Anton Shunin, Andrey Lunyov, Yury Dyupin, Matvei Safonov

Mbrojtës: Yuri Zhirkov, Fyodor Kudryashov, Georgi Dzhikiya, Mario Fernandes, Andrei Semyonov, Vyacheslav Karavayev, Igor Diveyev, Roman Yevgenyev, Ilya Samoshnikov

Mesfushorë: Aleksandr Golovin, Aleksei Ionov, Roman Zobnin, Daler Kuzyayev, Aleksei Miranchuk, Denis Cheryshev, Magomed Ozdoyev, Andrei Mostovoy, Dmitri Barinov, Daniil Fomin, Rifat Zhemaletdinov, Maksim Mukhin, Denis Makarov, Arsen Zakharyan

Sulmues: Artem Dzyuba, Anton Zabolotny, Aleksandr Sobolev

Ndeshjet e Rusisë në “Euro 2020”

12 qershor: Belgjika – Rusia (21:00, St. Petersburg)

16 qershor: Finlanda – Rusia (15:00, St. Petersburg)

21 qershor: Rusia – Danimarka (21:00, Kopenhagë)