Arbëri

Kuçi i premton Lladrovcit finalizim të projekteve të planifikuara nga Qeveria për këtë vit

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci i shoqëruar nga zyrtarët komunalë, ka pritur në takim Zëvendëskryeministrin e parë të Qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi, ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala dhe ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Ekonomik, Memli Krasniqi, me të cilët ka bashkëbiseduar për projektet që janë të planifikuara në Komunën e Drenasit për këtë vit.

Me këtë rast, Lladrovci ka njoftuar Kuçin për mundësitë që ofron Komuna e Drenasit në zhvillimin ekonomik, në bujqësi dhe veprimtari tjera që janë në interes të përgjithshëm, por edhe me sfidat dhe prioritetet që ka kjo Komunë.

Nga zëvendëskryeministri Kuçi dhe ministri Shala e Krasniqi, Lladrovci ka kërkuar për projektet që janë të planifikuara për këtë vit, të përfundojnë sipas planifikimeve.

Kuçi, fillimisht ka uruar kryetarin Lladrovci për marrjen e detyrës së re si kryetar komune dhe ka thënë se të gjitha projektet të cilat janë të planifikuara për këtë vit nga investimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, do të përfundojnë sipas afateve.

Lladrovci dhe Kuçi janë dakorduar edhe për investime të tjera në vitet e ardhshme për të mirën e qytetarëve të Komunës së Drenasit.