Support TIME. Preserve the truth.
Technology

US approves SpaceX's plan to send a million satellites into space for the first time

Satelite

Autoritetet amerikane i kanë dhënë kompanisë SpaceX miratimin për të lëshuar një milion satelitë në orbitën e Tokës, me qëllim ndërtimin e qendrave të të dhënave në hapësirë. Ky është miratimi i parë i këtij lloji.

Kompania, në pronësi të Elon Musk, synon të përdorë energjinë e diellit për të furnizuar me energji satelitët, të cilët do të përpunojnë të dhëna për inteligjencën artificiale (AI) dhe më pas do t’i dërgojnë rezultatet përsëri në Tokë.

Musk i falënderoi për këtë leje përmes platformës “X”.

“Shumë faleminderit. Kjo do të jetë një pasuri e madhe për Amerikën dhe botën”, shkroi Musk.

Miratimi vjen në një kohë kur komunitetet në të gjithë SHBA-në po kundërshtojnë zgjerimin e qendrave të të dhënave në tokë, raporton BBC.

SpaceX beson se këto qendra orbitale të të dhënave janë mënyra më ekonomike dhe më efikase nga pikëpamja energjetike për të përmbushur kërkesën gjithnjë në rritje për kapacitet kompjuterik të inteligjencës artificiale, e cila, sipas kompanisë, tejkalon mundësitë e infrastrukturës tokësore.

Kryetari i FCC-së, Brendan Carr, ka thënë se projekti hap një horizont të ri dhe ambicioz për infrastrukturën kompjuterike të nevojshme për të mbështetur lidershipin dhe rritjen e Amerikës.

“Ky është pikërisht lloji i zgjuarsisë amerikane që mund të bashkojë pikat tona të forta në hapësirë dhe teknologjinë e avancuar, të përforcojë lidershipin tonë ekonomik dhe të zgjerojë mirëqenien në vendin tonë”, deklaroi Carr.

Sipas licencës së lëshuar nga FCC, vendosja e satelitëve në orbitë duhet të fillojë jo më vonë se nëntori i vitit 2033. SpaceX do të jetë e detyruar të ketë vendosur 10% të tyre deri në nëntor 2035, ndërsa deri në nëntor 2038 duhet të ketë vendosur 50%.

Kompania ka deklaruar tashmë se dëshiron të lëshojë satelitin e parë Starmind vitin e ardhshëm.

Nuk është e qartë nëse do të lëshohen vërtet një milion satelitë apo nëse SpaceX ka kërkuar miratimin për një numër më të madh sesa planifikon të përdorë realisht.

Ashtu si rrjeti aktual Starlink i SpaceX, i cili ofron internet me shpejtësi të lartë përmes më shumë se 10 mijë satelitëve, edhe satelitët Starmind do të funksionojnë në orbitën e ulët të Tokës, në lartësi nga 500 deri në 2,000 kilometra.

Satelitët Starmind do të komunikojnë me ata të Starlink-ut dhe më pas do t’i transmetojnë të dhënat drejt Tokës.

Koncepti i qendrave orbitale të të dhënave po shqyrtohet edhe nga kompani të tjera, përfshirë Google dhe Blue Origin. Ai po promovohet si një alternativë më ekologjike ndaj qendrave tradicionale të të dhënave, të cilat kërkojnë sasi të mëdha energjie për funksionim dhe ujë për ftohje.

Përdorimi gjithnjë e më i madh i inteligjencës artificiale ka shkaktuar një rritje të jashtëzakonshme të sasisë së të dhënave që duhet të ruhen dhe përpunohen në mbarë botën.

Vazhdojnë të ndërtohen objekte të reja, por po bëhet gjithnjë e më e vështirë gjetja e hapësirave të përshtatshme për to. Qendrat e të dhënave janë objekte të mëdha, që konsumojnë sasi të jashtëzakonshme energjie dhe uji për ftohje. Për më tepër, banorët e zonave ku planifikohet ndërtimi i tyre po i kundërshtojnë gjithnjë e më shumë këto projekte.

Qendrat e të dhënave ishin një nga çështjet kryesore gjatë zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, ku shumë kandidatë demokratë premtuan rregulla më të rrepta për ndërtimin e tyre.

Starlink është akuzuar se po shkakton mbingarkesë në hapësirë, pretendime të cilat Musk i mohon. Ai ka hedhur poshtë gjithashtu akuzat se satelitët e tij po zënë shumë hapësirë dhe po kufizojnë mundësitë e konkurrentëve.