Support TIME. Preserve the truth.
Culture Supplement

The tendency of superiors to overreach subordinates

Maybe the trend

Ndoshta prirja për t’ua kapërcyer vartësve nuk është gjithherë dëshira për të qenë më i zoti. Nganjëherë është dëshira për të mos u zbuluar si më pak i zoti. Kjo do ta shpjegonte edhe garën që nuk qe shpallur kurrë, sepse kundërshtari i vërtetë nuk është domosdoshmërisht vartësi, studenti apo fëmija

Mbase kjo prirje mund të shprehet me një folje, veprimi i së cilës, në kuptimin e saj të parë, nuk bie mbi një person: Kapërcej. Zakonisht kapërcejmë një pengesë, një kufi a një largësi. Kalojmë përtej diçkaje që na ndan nga ana tjetër. Por kur pengesa nuk është një send, një hapësirë apo një kufi, por është një njeri, puna vjen e bëhet interesant. Tashmë synimi nuk është të kalosh përtej tij, por ta tejkalosh. T’ia kapërcesh

Ka një dallim ndërmjet të qenit më i zoti dhe nevojës së vazhdueshme për t’u dëshmuar si i tillë. I pari mund të konsiderohet virtyt, ndërkaq i dyti jo medoemos. E në marrëdhëniet hierarkike, ky dallim humb shpesh. Eprorit nuk i mjafton epërsia që ia njeh pozita dhe kërkon ta shtrijë atë edhe atje ku pozita nuk i hyn në punë. Me mendjemprehtësi, me dinakëri e me aftësinë për t’ia kaluar tjetrit gjithqysh. Vartësi duhet të mbetet i këtillë edhe kur vjen puna te mendja. Përndryshe, ç’dobi ka një epërsi që nuk ndihet në çdo rrethanë?

Mbase kjo prirje mund të shprehet me një folje, veprimi i së cilës, në kuptimin e saj të parë, nuk bie mbi një person: Kapërcej. Zakonisht kapërcejmë një pengesë, një kufi a një largësi. Kalojmë përtej diçkaje që na ndan nga ana tjetër. Por kur pengesa nuk është një send, një hapësirë apo një kufi, por është një njeri, puna vjen e bëhet interesant. Tashmë synimi nuk është të kalosh përtej tij, por ta tejkalosh. T’ia kapërcesh.

Nuk pretendoj se ky kuptim është i ri, as se më takon mua ta zbuloj. Gjuha ka jetën e vet, shumë më të gjatë se vëzhgimet tona mbi të. Ndoshta si përdorim mund të jetë i vjetër, krahinor, i rrallë, a thjesht i padokumentuar në burimet që njohim, por mundësia e kuptimësisë së re më duket domethënëse. Nuk e shpreh vetëm kalimin përtej një kufiri. Mund të na çojë edhe te dëshira për ta lënë dikë prapa nesh. Dhe nëse ky dikushi është një vartës, e hëngri… Nuk flitet më veç për zgjuarsinë, por për pozitën që zë ajo në marrëdhëniet epror-vartës.

Ndërtimi ia kapërcej, ia vlen të shihet prej më nga afër. Klitiku i bashkuar ia përmban trajtat e shkurtra i dhe e: dikujt i kapërcej diçka. Në përdorimin e propozuar këtu, personi do të ishte kundrinë e zhdrejtë, ndërkaq diçkaja që kapërcehet, e drejtë. Mund të përfytyrohet si një veprim që bie mbi një cilësi të dikujt tjetër. Sigurisht, kjo nuk mjafton për ta vërtetuar se folja ka tashmë edhe valencën e tretë. Kuptimi e ndërtimi duhen shqyrtuar në përdorime konkrete, por edhe si mundësi, kjo strukturë është mjaft interesante. Dikujt i kapërcehet diçka që e bën atë të vlefshëm, të aftë, e ku i dihet, edhe të rrezikshëm për epërsinë e tjetrit.

Në vendin e punës, shpesh mund të shihet si një garë që zhvillohet pa u shpallur si e atillë. Eprori e ka titullin, vartësi mund ta ketë përvojën; i pari e ka të drejtën e vendimit, ndonëse i dyti mund të ketë zgjidhje më të mirë. Këto dy gjëra nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Përkundrazi, një hierarki e shëndoshë, do të duhej t’i mbante përduarsh. Mirëpo, kur autoriteti përjetohet si dëshmi e epërsisë personale, aftësia e vartësit nuk vyen më, se kthehet në sfidë. Një vërejtje e saktë shihet tashmë si kundërshtim. Një propozim më i mirë pasqyron cenim të autoritetit. Një gabim i vogël i vartësit zmadhohet, e një gabim i eprorit gjithqysh lyp rrethana lehtësuese. Gara nuk ka të bëjë më me punën.

Sigurisht se, në raste të tilla, shefi nuk kërkon një punëtor më pak të aftë. Lyp një asisoji, aftësia e të cilit nuk e vë asnjëherë në pozitën e pakëndshme të të pranuarit se tjetri ka të drejtë. Shefi e dëshiron nismën e punëtorit, por jo aq sa ajo të marrë një drejtim që nuk e ka përcaktuar vetë. Kërkon mendim kritik, për sa kohë që ai mendim nuk ia kundërshton këtij të vetin. I ka për qejfi njerëzit që zgjidhin probleme, por jo edhe ata që mund të dëshmojnë se problemi është krijuar nga vendimi i tij. Andaj, këtu bëhet e kushtëzueshme aftësia e vartësit. Është e mirëpritur, derisa i shërben eprorit. Me t’i hedhur atij hije, është e padëshiruar.

E njëjta dukuri mund të shfaqet edhe në mënyrën se si jepet merita. Kur një punë del mirë, suksesi është fryt i drejtimit të mençur, e kur dështon, përgjegjësia zbret shkallën e hierarkisë. Mendimi i punëtorit mund të paraqitet si i parëndësishëm, përderisa të dëshmohet si i dobishëm e pastaj të përvetësohet sikur të kishte lindur vetvetiu në mendjen e shefit. Eprori jo vetëm që do të dalë mbi vartësin, por edhe mund t’ia kalojë në zotërimin e meritës së tij. Nuk i mjafton të jetë ai që merr vendimin. Duhet të jetë edhe ai që njihet si burim i mendimit të mirë.

Hierarkia nuk është veç dukuri e vendit të punës. Ajo shfaqet edhe në marrëdhënien mes profesorit dhe studentit, ku dallimi në dije, përvojë dhe përgjegjësi është i natyrshëm. Profesori duhet të dijë më shumë në fushën që jep mësim; për këtë arsye është profesor. Por kjo nuk do të thotë se ai duhet të jetë më i dituri në çdo çështje, se mendimi i tij është i pagabueshëm, apo se studenti duhet të mbetet në pozitën e atij që merr e nuk jep. Dija, ndryshe nga pushteti, nuk ruhet duke e privuar tjetrin prej saj. Megjithëkëtë, jo çdo autoritet akademik e përjeton dijen si diçka që mund të ndahet pa u sosur.

Studenti bën një pyetje të pazakontë, vë në dyshim një interpretim, sjell një burim të panjohur për profesorin, duke bërë kështu pikërisht atë që arsimi synon të nxisë. Mirëpo, në një marrëdhënie të mbështetur më shumë tek autoriteti personal, sesa tek argumenti, pyetja është sfidë. Kundërshtimi lexohet si mosrespekt. Profesori mund edhe të mos e kundërshtojë argumentin e studentit, por e vë në dyshim pjekurinë e tij, tonin, qëndrimin, madje edhe të drejtën për të bërë pyetje.

Është një paradoks i çuditshëm: institucioni që supozohet ta çlirojë mendjen, në duart e dikujt mund të bëhet mjet për ta disiplinuar mendjen. Profesori që dëshiron të jetë burimi i vetëm i dijes nuk ka më interes që studenti ta kapërcejë. Çdo profesor dëshiron që studenti të mësojë, por jo të bëhet aq i pavarur sa të mos ketë më nevojë për miratimin e tij. Çfarë kuptimi ka mësimdhënia, nëse suksesi i saj matet me përhershmërinë e epërsisë së mësuesit? Nëse studenti përparon, kjo duhet të shihet si dëshmi e suksesit të mësimdhënies. Për një profesor që dijen e sheh si pronë personale, kjo i del si humbje.

Këtu duhet bërë një dallim mes autoritetit dhe autoritarizmit. Autoriteti i vërtetë nuk e ka frikë pyetjen, sepse nuk varet nga heshtja e tjetrit. Nuk e ka frikë kundërshitimin, sepse ka argumentet. Nuk e ka frikë studentin që di më shumë për një çështje të caktuar, sepse dija nuk është një fron që rrëzohet sa herë që dikush ngjitet një shkallë më lart. Përkundër kësaj, autoritarizmi ka nevojë që dallimi i pozitave të bëhet dallim i pakundërshtueshëm i vlerave.

E fundit, por jo më pak e ndërlikuara, është marrëdhënia mes prindit dhe fëmijës. Shefi e profesori edhe mund ta arsyetojnë epërsinë e tyre me detyrën, përvojën e dijen. Prindi, përveç këtyre ka edhe lidhjen emocionale, kujdesin dhe përgjegjësitë që vijnë me rritjen e fëmijës. Fëmija ka nevojë për udhëzim, kufij dhe mbrojtje. Nuk është çështja se a duhet të ketë prindi autoritet apo jo. Është se nganjëherë ky autoritet ngatërrohet me të drejtën për të pasur gjithmonë të drejtë.

Prindi natyrisht e dëshiron suksesin e fëmijës, ama deri në atë farë mase sa të mos e vërë në siklet prindin. Mund të krenohet për zgjuarsinë e fëmijës, për aq kohë sa ajo zgjuarsi nuk shfaqet në një situatë kundërshtimi të drejtpërdrejtë. E nxit të mendojë me krye të vet, por jo të nxjerrë përfundime që bien ndesh me bindjet familjare. Në çastin që fëmija nis të arsyetojë ndryshe, t’i dallojë gabimet e të rriturve apo ta refuzojë një traditë që nuk e bind, disa prindër nuk e shohin si shenjë të rritjes. E shohin si mosbindje. E kanë rritur fëmijën që të bëhet i pavarur, por pavarësia e tij duhet të jetë e pajtueshme me autoritetin e tyre.

Kapërcimi këtu bëhet edhe më paradoksal. Fëmija, sipas vetë logjikës së rritjes, duhet ta tejkalojë prindin në disa drejtime. Duhet të dijë gjëra që prindi nuk i di, të jetojë në një botë që prindi nuk e njeh plotësisht, të ketë mundësi që prindi nuk i ka pasur. Përparimi i brezit të ri është pjesë e vazhdimësisë së jetës. Prindi që e mat vlerën e vet me epërsinë ndaj fëmijës mund ta përjetojë këtë përparim si mosmirënjohje. Sakrifica e tij kthehet në borxh që fëmija duhet ta shlyejë me bindje.

“Kur të kesh jetuar sa unë, e kupton” mund të jetë një kujtim i sinqertë se përvoja mëson gjëra që nuk i përvetëson nga librat, por mund të jetë edhe një mënyrë për t’i dhënë fund bisedës pa iu përgjigjur argumentit. Në rastin e parë, prindi ndan përvojën me fëmijën. Në të dytin, e përdor atë si mburojë. Nuk është e thënë që fëmija të ketë të drejtë veç pse kundërshton, as që prindi të jetë gabim veç pse kërkon bindje. Por, as mosha nuk e bën të vërtetë çdo pohim e as dashuria nuk e shndërron autoritetin në pagabueshmëri.

Në të tria rastet, ajo që vihet në provë nuk është veç epërsia, por edhe kuptimi që i jepet asaj. Nëse epërsia është përgjegjësi, ajo duhet të krijojë hapësirë për rritjen e tjetrit. Nëse është privilegj, lyp që tjetri të ngelë në vendin e vet. Shefi i mirë nuk ka nevojë që punëtori të jetë më pak i zoti; profesori i mirë nuk ka nevojë që studenti të jetë gjithmonë më pak i ditur; prindi i mirë nuk ka nevojë që fëmija i tij të mbetet përherë më pak i pavarur. Në secilën prej këtyre marrëdhënieve, autoriteti e përmbush qëllimin e vet kur bëhet më pak i domosdoshëm.

Këtu na kujtohen derrat e Fermës së Orwellit, të cilët nuk kënaqen veç me pushtetin, por përpiqen ta përligjin atë përmes gjuhës dhe ndryshimit të së vërtetës. Jagoja i Shakespearit e përdor dinakërinë për t’i drejtuar të tjerët, pa u vënë re, ndërkaq bota e Kafkës na kujton një autoritet, përballë të cilit individi detyrohet të arsyetohet vazhdimisht, pa e kuptuar plotësisht se për çfarë akuzohet. Këto nuk flasin për të njëjtën dukuri dhe nuk duhen rrafshuar në një interpretim të vetëm. Por secila prej këtyre veprave ndriçon një anë të errët të nevojës për epërsi, justifikimin e pushtetit, krenarinë e cenuar, manipulimin dhe pabarazinë e kushteve, në të cilat zhvillohet një marrëdhënie.

Ndoshta prirja për t’ua kapërcyer vartësve nuk është gjithherë dëshira për të qenë më i zoti. Nganjëherë është dëshira për të mos u zbuluar si më pak i zoti. Kjo do ta shpjegonte edhe garën që nuk qe shpallur kurrë, sepse kundërshtari i vërtetë nuk është domosdoshmërisht vartësi, studenti apo fëmija. Është mundësia që epërsia jonë të mos jetë aq e plotë sa kemi dashur të besojmë.

Këtu qëndron kundërthënia. Nëse epërsia është e sigurt, përse duhet të dëshmohet kaq shpesh? Nëse dikush është më i zoti, përse duhet t’ia kujtojë tjetrit vazhdimisht? Ndoshta sepse në disa marrëdhënie, kapërcimi nuk synon arritjen e një lartësie të re. Synon vetëm ta mbajë tjetrin më poshtë. Dhe për këtë, me sa duket, asnjë pozitë nuk është mjaftueshëm e lartë.