Support TIME. Preserve the truth.
Culture Supplement

"On the Move" shelters the new generation between identity and memory

Ekspozita është produkt i edicionit të dytë të ngjarjes artistike “Contemporary Art Center”, e cila, siç prezantohet, synon të krijojë hapësirë për prezantimin e artistëve, me theks të veçantë te gjenerata e re (Foto: Komuna e Prishtinës)

Ekspozita është produkt i edicionit të dytë të ngjarjes artistike “Contemporary Art Center”, e cila, siç prezantohet, synon të krijojë hapësirë për prezantimin e artistëve, me theks të veçantë te gjenerata e re (Foto: Komuna e Prishtinës)

Në atë që dikur ishte strehimore për t’iu përgjigjur Luftës së Ftohtë, artistët e gjeneratës së re kanë vënë në lëvizje hulumtimet artistike që lëkunden midis identitetit e kujtesës. “Në lëvizje” ka të bëjë me matricën e artit bashkëkohor, i cili nuk është statik, por ndryshon vazhdimisht në raport me kohën dhe zhvillimet përreth

Mendimet që ngatërrohen në kaosin e brendshëm njerëzor, identiteti që reduktohet në rreshtat e një CV-je, kujtimet dhe emocionet e njeriut, janë ndër temat që kanë bashkuar 16 artistë në ekspozitën kolektive “Në lëvizje”. E kuruar nga Arben Elshani, ekspozita është hapur të premten në atë që është quajtur “Ulpiana Art Center”, në strehimoren e dikurshme në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë, duke sjellë ndërthurje të skulpturës, fotografisë, instalacionit, pikturës dhe grafikës.

Ekspozita është produkt i edicionit të dytë të ngjarjes artistike “Contemporary Art Center”, e cila, siç prezantohet, synon të krijojë hapësirë për prezantimin e artistëve, me theks të veçantë te gjenerata e re. Përmes mediumeve dhe qasjeve të ndryshme, artistët kanë sjellë përvoja personale e interpretime të realitetit bashkëkohor.

Kuratori Arben Elshani ka thënë se edicioni i dytë ka sjellë risi dhe qasje më të guximshme artistike, sidomos në raport me artistët e rinj, të cilët kanë nevojë për përkrahje që ta zhvillojnë dhe ta shprehin krijimtarinë e tyre.

“Edicioni i dytë përbëhet kryesisht nga artistë të rinj, por kemi realizuar edhe një bashkëpunim me artistë të grupmoshave të ndryshme, të cilët kanë përfunduar studimet dhe janë aktivë në fushën e artit, kryesisht në artin bashkëkohor”, ka thënë Elshani.

Titulli “Në lëvizje”, sipas tij, buron nga vetë natyra e artit bashkëkohor, i cili nuk është statik, por ndryshon vazhdimisht në raport me kohën dhe zhvillimet përreth.

Instalacioni “Reflection of Becoming” i Diela Tairit trajton periudhën e adoleshencës si kohë ndryshimesh, emocionesh dhe vetëzbulimi. Struktura e ngjashme me një top diskoteke, e përbërë nga pjesë reflektuese me ngjyra dhe dritë, është vendosur në hapësirën hyrëse të ekspozitës, ku vizitorët përballen me reflektimet shumëngjyrëshe (Foto: Komuna e Prishtinës)

“Ashtu siç lëvizin trupat e njerëzve, ritmi dhe qytetet. Çdo gjë që jeton ndryshon dhe transformohet çdo ditë. Prandaj, koncepti i lëvizjes i përshtatet më së miri artit bashkëkohor, i cili është vazhdimisht në ndryshim dhe pasqyron kohën aktuale, duke trajtuar tema të ndryshme të aktualitetit”, ka shpjeguar kuratori.

Ky koncept merr forma konkrete edhe në instalacionet e prezantuara në ekspozitë. Në veprën “Tangled Within” të Diela Tairit, bëhet me dije se kaosi i padukshëm i mendjes njerëzore paraqitet përmes një peri të kuq të ndërthurur mbi një sipërfaqe të vizatuar. Peri simbolizon mendimet, kujtimet dhe emocionet, ndërsa vijat paraqesin rrugët e ndryshme të mendimeve, të cilat lidhen dhe ngatërrohen me kalimin e kohës.

Një tjetër instalacion i Tairit, “Reflection of Becoming”, e trajton periudhën e adoleshencës si kohë ndryshimesh, emocionesh dhe vetëzbulimi. Struktura e ngjashme me një top diskoteke, përbërë nga pjesë reflektuese me ngjyra dhe dritë, është vendosur në hapësirën hyrëse të ekspozitës, ku vizitorët përballen me reflektimet shumëngjyrëshe.

Te vepra e Arba Bunjakut tematizohet ndryshimi i identitetit të individit në raport me botën e punës. Përmes fotografive të saj, autorja ka trajtuar përvojën e të rinjve që, pas përfundimit të studimeve, përballen me vështirësinë e gjetjes së një pune.

Bunjaku ka treguar se është frymëzuar nga përvojat e shoqërisë së saj, veçanërisht nga të rinjtë që kanë dërguar dhjetëra aplikime për punë, por kanë marrë shumë pak përgjigje.

“Disa prej njerëzve që njoh i kanë përfunduar studimet dhe kanë nisur të aplikojnë për punë. Kanë dërguar deri në 70 CV dhe kanë marrë ndoshta vetëm dy përgjigje. Më shumë jam marrë me mënyrën se si identiteti i njeriut në botën korporative, në kapitalizmin në të cilin jetojmë, minimizohet në një CV”, ka thënë ajo.

Punimi i saj lidhet edhe me trendet e përditshme që krijohen e përhapen përmes rrjeteve sociale.

“Personazhi në punimin tim nuk ka fytyrë dhe as karakter. Paraqitet vetëm përmes përvojës së punës. Kjo ka qenë për të treguar se nuk je person kudo që je duke aplikuar, por je thjesht tri letra nga eksperienca”, ka shpjeguar Bunjaku.

Larminë e mediumeve dhe mënyrën e kurimit të ekspozitës e ka vlerësuar edhe artistja dhe profesoresha Majlinda Kelmendi. Ajo ka thënë se ndërthurja e mediumeve të ndryshme e bën projektin më të vlefshëm.

“Kemi një ekspozitë multimediale. Këtu shohim skulpturën, fotografinë, instalacionin, pikturën dhe grafikën. Kjo e bën edhe më të vlefshëm këtë projekt. Është kuruar me shumë kujdes, duke u lënë hapësirë artistëve dhe veprave të tyre, si në përzgjedhje, ashtu edhe në vendosjen e tyre”, ka thënë Kelmendi.

Te vepra e Arba Bunjakut tematizohet ndryshimi i identitetit të individit në raport me botën e punës (Foto: Komuna e Prishtinës) 

Ajo ka vlerësuar mundësinë e ballafaqimit të artistëve të rinj me krijuesit profesionistë, duke e konsideruar këtë si formë të mbështetjes dhe të nxitjes për zhvillim.

“Ballafaqimi i artistëve të rinj me ata profesionistë është një formë tjetër e mbështetjes, që u mundëson të rinjve ta shohin veten në këtë fushë, të ecin përpara dhe të zhvillohen edhe më shumë. Shpesh të rinjtë, por edhe ne vetë, e humbim shpresën. Nisma të tilla na e ndryshojnë përditshmërinë dhe na bëjnë të shpresojmë”, është shprehur ajo.

Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati, ka thënë se përkrahja e projekteve të tilla nga Komuna e Prishtinës është e rëndësishme, pavarësisht kufizimeve buxhetore. Ka vlerësuar vendosjen e kësaj ekspozite në “Ulpianë”.

“Më vjen shumë mirë që jemi edhe në ‘Ulpianë’, sepse është një lagje ikonike e Prishtinës. Mendoj se arti duhet të jetë shumë më i decentralizuar. Ekspozitat dhe aktivitetet nuk duhet të zhvillohen vetëm në qendër apo në një vend të vetëm, por duhet të shtrihen edhe në lagje të tjera, në mënyrë që komuniteti të ketë qasje në to”, ka thënë Musmurati.

Ajo ka bërë të ditur se synimi është që edhe në të ardhmen të përkrahen iniciativa të tilla, në mënyrë që publiku të jetë më afër artit.

Drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Isah Mustafa, ka thënë se hapësira e “Ulpiana Art Center” është shfrytëzuar gjatë gjithë vitit për aktivitete dhe ekspozita të ndryshme. Ai ka thënë se Komuna është afër shpalljes së thirrjes për vitin e ardhshëm dhe se synon ta zgjerojë modelin e hapësirave kulturore edhe në pjesë të tjera të qytetit.

Strehimorja në lagjen “Ulpiana”, e ndërtuar më 1984 – në kuadër të projekteve që hamendësohej t’i përgjigjeshin asaj që njihej si Lufta e Ftohtë – në vjeshtën e vitit 2025 u shndërrua në qendër arti nëpërmjet një projekti të implementuar nga Komuna e Prishtinës dhe organizata “Prishtina Biennale”, me financim të Ambasadës së Luksemburgut në Kosovë.

“Do të kemi edhe një ekspozitë pas kësaj, por qëllimi ynë, si drejtori dhe si politikë e Komunës së Prishtinës, është që hapësira të ngjashme të kemi gjithandej qytetit. Jemi shumë afër revitalizimit të hapësirës në Bregun e Diellit, të një bunkeri të ngjashëm me këtë, si dhe të qendrës kulturore në Kodrën e Trimave. Shumë shpejt do të fillojmë edhe me hapësirat në Kolovicën e Vjetër dhe në Hajvali. Qëllimi ynë është të krijojmë një platformë dhe hapësira të reja, ku të mund të organizohen sa më shumë ekspozita të tilla dhe aktivitete edhe më të mira”, ka thënë Mustafa.

“Contemporary Art Center” vjen pas edicionit të parë të projektit “Contemporary Art Colony”, i cili u prezantua në janar të këtij viti në të njëjtën hapësirë. Edicioni i parë kishte bashkuar artistë të rinj aktivë në mediume të ndryshme, përfshirë pikturën, skulpturën, artin digjital, vizatimin dhe mediat e reja, duke synuar krijimin e një rrjeti bashkëpunimi mes artistëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë. Në atë ekspozitë ishin prezantuar veprat e Bujar Bacajt, Berjona Gashit, Dea Ahmetit, Erblina Karalitit, Elona Ramës, Eduarta Blakçori-Islamit, Hekuran Sokolit, Kristanja Çenes dhe Pranvera Tifekut.

Në edicionin e dytë, me ekspozitën “Në lëvizje”, janë përfshirë edhe Arta Zeka, Aron Blank, Arianit Lakna, Blerta Gjikolli, Besarta Çoçaj, Erjon Osmanaj, Festa Ramoja, Fatmir Caraku, Laureta Vogliqi, Marsild Kyçyku, Rona Kabashi, Rozafa Shpuza, Selam Kastrati dhe Ulpiana Kurtaj.