Support TIME. Preserve the truth.
Culture Supplement

“Circle Fest” on deciphering invisible narratives

"What Remains Invisible" at the "Cultural Station" comes as an exploration of experiences, perceptions, memories and emotions that are layered throughout life.

"What Remains Invisible" at the "Cultural Station" comes as an exploration of experiences, perceptions, memories and emotions that are layered throughout life.

“Çfarë mbetet e padukshme” nuk vjen vetëm si pyetje, por si një paralajmërim për deshifrimin e asaj që nuk shihet. Edicioni i dytë i “Circle Fest”, i cili është hapur me këtë ekspozitë, ka bashkuar artistët e rinj rreth kësaj teme të cilët nëpërmjet pikturës, grafikës dhe formave të tjera të shprehjes artistike kanë trajtuar tema personale e kolektive, duke u dhënë hapësirë rrëfimeve që ndërtohen mes kujtesës, identitetit dhe perceptimit shoqëror. “Circle Fest” synon të krijojë një hapësirë takimi e bashkëpunimi midis artistëve të rinj të rajonit

Kujtesa kolektive, mitologjia, paragjykimet dhe përjetimet e fshehura janë ndër shtresat që kanë marrë formë nëpërmjet veprave të artistëve që janë bashkuar në ekspozitën kolektive “What Remains Unseen” (Çfarë mbetet e padukshme). Me këtë ngjarje të premten mbrëma është hapur edicioni i dytë i festivalit “Circle Fest” në “Stacionin Kulturor” në Prishtinë. Ka sjellë para publikut qasje të ndryshme artistike ndaj asaj që nuk shfaqet menjëherë në sipërfaqe, por që vazhdon të ndikojë në përvojën njerëzore.

Nëpërmjet pikturës, grafikës dhe formave të tjera të shprehjes, artistët kanë trajtuar tema personale e kolektive, duke u dhënë hapësirë rrëfimeve që ndërtohen mes kujtesës, identitetit dhe perceptimit shoqëror. Ekspozita, e kuruar nga Berat Bajrami, ka bashkuar punimet e Alketa Kryeziut, Arlinda Dushajt, Blerta Halitit, Drilona Hamitit, Erona Krasniqit, Eris Havollit, Erjon Osmanajt, Ildi Stafajt, Iliriana Krasniqit, Lorinesa Shalës, Meris Llozhanit dhe Viktorija Zdravkoviqit.

Në mesin e punimeve që e kanë trajtuar të kaluarën përmes kujtesës dhe traditës është seria e grafikave të Arlinda Dushajt, me titull “The Invisible Threads of Our Shared Heritage”. Pesë punimet bardhezi, të realizuara në formatin 40 me 50 centimetra, interpretojnë figura mitologjike të folklorit shqiptar, përfshirë shtrigat, zanat, orën dhe bijën e hënës e të diellit.

Siç vlerësohet, përmes formave të stilizuara e të reduktuara, Dushaj ka sjellë në vëmendje botën mistike që bartin rrëfimet popullore, por edhe mënyrën se si besimet, frikërat dhe tregimet e trashëguara vazhdojnë të jetojnë ndër breza. 

“Tematika është mitologjia dhe inspektimi gojor ndër vite e gjenerata, në kulturën tonë malësore”, ka thënë Dushaj, e cila ka vlerësuar edhe mundësinë e bashkëpunimit me artistë nga rajoni.

“Për mua ka qenë shumë interesant ky festival, sepse përfshinte artistë rajonalë dhe unë jam për bashkëpunime të këtij lloji. Potencoj se gjërat e përbashkëta që i kemi të gjithë ne në Ballkan mund të manifestohen nëpërmjet artit”, ka thënë ajo.

Një tjetër qasje janë edhe dy pikturat e Erjon Osmanajt. Të realizuara në teknikën vaj mbi pëlhurë, në formatin 120 me 80 centimetra, punimet me titull “MxT” ndërtojnë rrëfimin ku trupi, gjestet dhe situatat komike, konsiderohet se bëhen mjete për të trajtuar cenueshmërinë dhe gjykimin shoqëror.

“Pikturat që i kam paraqitur janë si dy në një. Është një lloj historie e rëndomtë që ka ardhur prej një kolazhi fotografish, të cilat janë të miat, por edhe të shoqërisë rreth meje. Anash jam unë, ka shenja e simbole që tregojnë një trup, ku është edhe pjesa komike, duke e paraqitur veten nëpërmjet ngjyrave”, ka shpjeguar Osmanaj.

Ai ka treguar se përmes këtyre punimeve ka synuar të paraqesë njeriun në përditshmërinë e tij, larg pozave të qëllimshme dhe paraqitjeve të kontrolluara.

“Në pikturat e mia mundohem të paraqes se si jemi ne çdo ditë, si është një njeri rehat dhe pa u ndikuar nga pozat e qëllimshme, por si jemi në përditshmëri, si jetojmë, si hamë, si ecim. Këtë jam munduar ta paraqes në pikturat e mia, por edhe perceptimin dhe paragjykimet që kemi përreth”, ka thënë ai.

Dymbëdhjetë artistët, sipas kuratorit Berat Bajrami, e kanë trajtuar dukshmërinë si përvojë që shtrihet përtej 

Në tekstin kuratorial, “Çfarë mbetet e padukshme” përshkruhet si eksplorim i përvojave, perceptimeve, kujtesës dhe emocioneve që shtresëzohen përgjatë jetës. Dymbëdhjetë artistët, sipas kuratorit, e kanë trajtuar dukshmërinë si përvojë që shtrihet përtej aktit të të parit. 

Kuratori Berat Bajrami ka thënë se larmia e teknikave dhe temave të trajtuara e bëjnë ekspozitën hapësirë ku takohen përvojat individuale të artistëve të rinj nga Ballkani Perëndimor.

“Shumica e artistëve sjellin punime personale, të cilat dallojnë për nga formatet dhe teknikat e përdorura, duke përfshirë grafikën dhe pikturën. Secila prej tyre prek një aspekt ekzistencial dhe sjell rrëfime e koncepte për të cilat jo gjithmonë mendojmë në përditshmërinë tonë. Prandaj, këto punime janë mjaft interesante. Bëhet fjalë për artistë të rinj nga Ballkani Perëndimor, të cilët sjellin një larmi teknikash dhe qasjesh artistike”, ka thënë Bajrami.

“Circle Fest” synon të krijojë një hapësirë takimi e bashkëpunimi mes artistëve të rinj të rajonit. 

Drejtoresha e “ArtPolis”, Zana Hoxha, organizatore e festivalit, ka thënë se ideja e tij ka qenë që artistët e angazhuar në teatër, film dhe arte pamore të krijojnë lidhje të reja përmes prezantimeve dhe diskutimeve të përbashkëta.

“Gjithë ideja ka qenë që festivali t’i bashkojë artistët e rinj nga Ballkani, të cilët janë të angazhuar në punën e tyre rreth teatrit, filmit apo ekspozitave të ndryshme. Përmes diskutimeve të tyre besoj se do të arrijmë të kemi rrjetëzim, bashkëpunim dhe fillimin e mundësive të reja. Ky festival, sa është për publikun, aq është edhe për vetë artistët”, ka thënë Hoxha.

Edicioni i dytë është vlerësuar si vazhdim i një nisme që në fillim është përballur me vështirësi financiare dhe mbështetje të kufizuar për artin. 

“Ky është edicioni i dytë që po organizohet dhe ndihem krenar që kemi arritur deri këtu. Nismën e kemi ndërmarrë në një kohë kur gjendja financiare ka qenë e vështirë dhe kur ka pasur pak mbështetje për pjesën artistike në Kosovë. Prandaj, organizimi i edicionit të parë ka qenë vërtet sfidues. Tani, kur po shohim se po mbahet edhe edicioni i dytë, kjo më bën të besoj se kemi mundësi të vazhdojmë, sepse është një përvojë e vlefshme”, ka thënë Besnik Sherifi nga UNFPA-ja në Kosovë. 

Prej 13 deri më 15 nëntor, “Stacioni Kulturor” në Prishtinë është bërë vendtakim për rreth 40 artistë të rinj dhe profesionistë të kulturës nga Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Shqipëria. Përgjatë tri ditëve, në kuadër të festivalit janë paraparë edhe performanca, punëtori dhe diskutime. 

“Stacioni Kulturor” prej shtatorit të sivjetmë është “Shtëpia e re” e organizatës joqeveritare “Artpolis”. Një objekt i harruar te Stacioni i Trenit në Prishtinë, i është dhënë në shfrytëzim nga Komuna e Prishtinës për ta transformuar në hapësirë arti e pikëtakim artistësh dhe jo vetëm. I inauguruar me prerje shiritash, “si një hapësirë krijuese pozitive, jo toksike”, muret e rrjepura kanë marrë ngjyrë, për t’u funksionalizuar plotësisht ka ende punë, por për komunitetin kulturor është një vend i domosdoshëm. Me ngjarjet që po organizohen aty, objekti në lagjen “Arbëria” përditë e më shumë po shndërrohet në adresë ngjarjesh kulturore në Prishtinës që ofron pak infrastrukturë. “Circle Fest” është ngjarja e radhës.