Atdheu i poetes është i vaditur me gurra gjaku e djerse, është dhe një fushë e bekuar e me dritë verbuese dhe është po ashtu dhe altar që thërret për flijime burra e gra, nuse e plaka, pleq e fëmijë, pa dallim. Është ujëvara dhe kulla dhe është një gjeth që këputet në vjeshtë. Është lufta e kushtrimi për liri e një populli të robëruar që ngjitet deri mbi re. Në itakën poetike të Flora Brovinës është dhe një atdhe tjetër, ai i ëndërrti që kërkon të bëhet zhgjëndërr, është pra, atdheu i zgjëndërrt, atdheu me fytyrë lirie. Thjesht, është atdheu i autores që flet shqip
Libri, “Bima ime e kuqe” është një përmbledhje e poezive të autores Flora Brovina të krijuara pothuajse gjatë një harku kohor prej më se gjysmë shekulli. Ajo që bie në sy menjëherë pas leximit të poezive është fakti se pavarësisht periudhës krijuese të tyre, të gjitha, gati pa përjashtim, si ato të fillimit të krijimtarisë së saj, si ato që janë shkruar në periudhat e më vona, a këto që kanë marrë jetë tash së fundmi, shënojnë një realizim cilësor artistik e estetik.
Poezitë e kësaj kreature estetike, kundruar qoftë në aspektin motivor e tematik, qoftë në aspektin e formës e stilit, të gjuhës e shtresimeve të saj, të figurave dhe llojllojshmërisë së tyre, vijnë si një buqetë poetike që gjithsesi ngjallin emocion e ndjesi, mendim e gjykim.
Pajtimi i individumeve poetike për të qenë bashkë brenda kopertinave të librit dhe për të frymuar në mënyrë harmonike brenda organikës së tij është element identifikues i krijimtarisë artistike të poetes. Këtë pajtim e siguron vlera poetike e estetike duke bërë e nënvizuar se poezia e hershme e saj jo vetëm që ia dalë t’i rezistojë erozionit të kohës si temporalitet historiko-letrar, por edhe të ruaj gjuhën komunikuese të saj me recipientin bashkëkohor.
Gjatë shfletimit të këtij vëllimi poetik, një çështje tjetër, që po ashtu, s’ka si të mos e hetosh menjëherë, është mungesa e një sistemi strukturor, përkatësisht mungesa e strukturës së librit, siç ndodh zakonisht që poezitë e përfshira të ndahen në cikle të veçanta a në ndonjë skemë tjetër, varësisht qëllimit krijues o tek e fundit, thjesht, sipas preferencës autoriale. Kjo mungesë e strukturës, duket të jetë njëkohshëm edhe qëllim, edhe preferencë e poetes.
Tabloja
Poetja, në këtë rast, përmbledhjen e saj, në aspektin strukturor e sjell sikur ajo të ishte tablo e bardhë pikture, duke e ftuar lexuesin që të bëhet kështu pjesë e librit, të bëhet bashkautor e bashkudhëtar në krijimtarinë dhe ecejaket jetësore e ekzistenciale të saj. Prandaj, deshi a nuk deshi, recipienti pashmangshëm, nëpërmjet kësaj telajoje, duke u futur nën shtresimet e preparacionit të saj e herë duke nxjerrë krye mbi syprinë, do të gjejë një botë të tërë të mbushur me jetë e vdekje, me gjak e hekur, me dashuri e dhembje, do të gjejë një paanësinë e një shpirt të lirë. Kështu, lexuesi, ndonjëherë pahetueshëm e qetas, ndonjëherë tjetër me rrëmbim e trishtim, do të futet në kopshtin e krijesave poetike të autores dhe, aty, doemos do të ndiejë aromën e bukur të tyre, do të përjetojë mall e vuajtje, do të rritet e do të marrë krahë për t’ia thekur hapësirave të pafundme të qiellit, do të zvogëlohet si një fëmijë e do të fusë kokën nën hijen e këtij objekti artistik. Në këtë mënyrë, libri kthehet në një pikturë me kontraste të forta dritë-hijesh, me ngjyra të ndezura all e të errëta futë dhe, veçanërisht me një kompozicion të çliruar nga korniza. Ndërsa, linja që e bën të mundshme jo vetëm vazhdimësinë dhe kapërcimin prej një poezie te tjetra, por e siguron edhe thurjen poetike për të na e dhënë plotëninë e organikës artistike, është linja e dashurisë si motivacion qendror, e cila e vë pushtetin e saj në gjitha galeritë estetike të librit. Shi për këtë, pa ndonjë sforcim, recipienti do të mund të pikasë një pemë dashurie që përdegëzohet në dashurinë për atdheun dhe në dashurinë për njeriun. Në këtë rast do të përmendja poezinë të këtij procedeu “Thirrje e Kosovë”, ndërsa shembulli më tipizues i dashurisë me profil atdheu e njeriu na vjen nëpërmjet dy vargjeve, citat:
Vallë ç’bëj unë tërë ditën,
Pos që të dua.
Atdheu i poetes
Flora Brovina, nëpërmjet këtij vëllimi ndërton atdheun e saj poetik vetanak, i cili s’ka si mos të bëhet atdheu ynë në përmasat e tij kombëtare. Ai nuk është vetëm gjeografi, por është edhe hapësirë e pamatë dashurie. Ky atdhe, pa çka se i robëruar (siç ishte në fazat e mëhershme të krijimtarisë poetike të autores), është një vatër e shenjtë, është një tokë shqiptare e krijuar nga perënditë, është një shtëpi që përpiqet me të gjitha forcat, energjitë e dijet, përpiqet me mund e sakrificë, përpiqet pra, me tërë qenien e tij, duke mos pyetur për asnjë çmim të vërë pullaz mbi kokë. Të këtij diskursi janë poezitë shënjuese “Kulla”, “Kur më amputojnë”, “Viti 1981” etj.
Atdheu i poetes është i vaditur me gurra gjaku e djerse, është dhe një fushë e bekuar e me dritë verbuese dhe është po ashtu dhe altar që thërret për flijime burra e gra, nuse e plaka, pleq e fëmijë, pa dallim. Është ujëvara dhe kulla dhe është një gjeth që këputet në vjeshtë. Është lufta e kushtrimi për liri e një populli të robëruar që ngjitet deri mbi re.
Në itakën poetike të Flora Brovinës është dhe një atdhe tjetër, ai i ëndërrti që kërkon të bëhet zhgjëndërr, është pra, atdheu i zgjëndërrt, atdheu me fytyrë lirie. Thjesht, është atdheu i autores që flet shqip. Andaj, poezitë për atdheun të poetes janë të mbushura me diell e krisma pushkësh, me cicërima fëmijësh e net të pafundme dimri dhe patjetër edhe me flakë dashurie. Shkurt dhe përfundimisht, poezia për atdheun e Flora Brovinës është poezi dashurie.
Dega tjetër, si tharm e motiv poetik për njeriun e këtij nënqielli dhe jo vetëm, për burrin dhe gruan, për tjetrin që na gjendet pranë sa herë të kemi mall e nevojë për të, për frymën që na e mbush me jetë shpirtin tonë, për zjarrin që na e ndez palcën e ashtit, për hukamën që na i shkrin akujt e buzëqeshjes, për qenien njerëzore që ecën vertikalisht e na merr për dore, për atë që na bën me flatra e na e mbush me lot oqeanin e gjoksit, për thonjtë që na gërryejnë përbrenda e na lënë fare të zbrazët e na bën të ndjehemi të vetmuarit e botës, është dashuria, njerëzorja. Dhe, hyjnorja. Njerëzorja dhe hyjnorja bashkë.
Dashuria, në cilësinë e konfigurimit ndjesor e psikologjik, në cilësinë e bërthamës shpirtërore e sentimentale, me tërë kompleksivitetin e saj vjen e na shpaloset në poezinë erotike të autores dhe si e tillë, ajo, na jep udhë për ta njohur kuptimin e asaj që për ne është gjithçka dhe është asgjë, njëkohshëm. Madje, ajo është një asgjë që ndonjëherë na bën më të lumtur se gjithçka tjetër, vetëm për faktin se asgjëja pra, zgabella e të gjitha qelizave bashkë e veç e veç që ndiejmë në ditët me diell a në netët pa hënë, na vjen si pasojë e mungesës së madhe për tjetrin, e, e cila nuk është gjë tjetër pos gjeni jonë njerëzor, ADN-ja jonë. Është dashuria ajo që kërkon ta zgjerojë kozmosin shpirtëror të njeriut. Është dashuria që i jep kuptim boshit, asgjësë sonë. Dhe, natyrshëm, ajo kuptimëson gjithçka, gjithçka tjetër në jetën tonë për të na dëshmuar kësisoj se njeriu është qenie njerëzore, sociale e humane.
Dashuria është këtu dhe është në faqet e librit “Bima ime e kuqe” për të na kujtuar se ka doemos një rrugë që na dërgon tek e vërteta. Tek ajo e vërtetë, e cila edhe nëse nuk ekziston mbi këtë rruzull, ne jemi ata që thirremi e duhet të mundemi për ta krijuar të vërtetën për njerëzoren dhe humanizmin, për ta bërë kështu me më shumë ngjyra realitetin jetësor dhe vetë jetën tonë prej njeriu, sado që lindja e jetës ndonjëherë mund të ketë dhembje fataliste për krijuesit e saj.
Ta krijojmë të vërtetën artistike.

Dhembje e dashuri
Një tufë tjetër poezish në ngrehinën artistike të autores janë poezitë për njeriun e gjakut tonë që ka marrë kokën në duar në kërkim të një jete tjetër në të katër anët e humbëtirave të botës, atje ku dielli nuk nxeh por kafshon. Këto janë vargjet që iu kushtohen të gjithë atyre që kanë një emër të vetëm e të njëjtë: Mërgimtar. Ky lloj i poezisë është i mbrumur me mall për vendlindjen, për ferrat dhe blozën, për sytë e pafajshëm të fëmijëve, për lotët e kapërdirë të nënave dhe për dënesën e mallshme të nuseve që e bëjnë të ujët terrin e gjerdekut. Të tilla janë poezitë “Djemtë shqiptarë në mërgim”, “Burrave tanë në mërgim” etj.
Mërgimtari si personazh lirik është burri i cili në emër të kërkimit të një mirëqenie për familjen, të sigurimit të ekzistencës si kusht për ruajtjen e vazhdimësisë së qenies, portretizohet me nuanca të gjalla dhimbjeje e dashurie. Këto dy linja paralele gërshetohen fuqishëm në poezinë për kurbetin dhe si të tilla bëhen shenja dalluese të saj. Nëse vuajtja, mallëngjimi dhe sakrifica janë biografia e mërgimtarit në këtë tip të lirikës, poetja në qenien e këtij subjekti derdh stërkala dashurie, siç është fjala vjen poezia Expres Akropolis, citat:
Në trenin Expres Akropolis.
Për Evropë,
Në nisje hap bohçe.
Erë buke qepe shtëpie erë fëmije,
Erë gruaje.
Bisedë me sytë tretur në pikënisje.
Pra, edhe te poezia për mërgimtarin e gjejmë të pranishëm dimensionin e dashurisë. Ky dimension s’është gjë tjetër veçse një pip në degën e bimës poetike të Flora Brovinës. Dashuria, pra këtu, prapë bëhet linja që përthekon tërësinë e realitetit artistik.
Poezia përkushtim
Një pip tjetër dashurie edhe më frymëzues, edhe më emocional, edhe më i fuqishëm që ndodhet në lirikën e Flora Brovinës është poezia përkushtim. Në këtë lirikë gjallojnë disa prej protagonistëve më eminentë të jetës e historisë, artit e kulturës, të luftës e filozofisë ekzistencialiste të kombit tonë, siç fjala vjen, Adem Demaçi, Adem Jashari, Onufri e ndonjë tjetër. Poezia “Në shtëpinë e Nelson Mandelës” është kushtim për kryeburrin e shqiptarizmës, Adem Demaçin. Veçantia e kësaj perle poetike nuk qëndron në krahasimin dhe njëjtësimin e dy simboleve (Demaçit e Mandelës), por në gjetjen e veçantë poetike, ku tani në cilësinë e simbolit vijnë e bëhen këpucët e harruara, të humbura, të munguara të Adem Demaçit, citat:
Ku i ke këpucët, Bacë Adem Demaçi,
Ti a kishe këpucë
Kjo poezi përmbyllet me dy vargje. Vargu i parafundit është një pyetje e mbushur me dhembje që i bëhet simbolit të rezistencës, citat: “Shtëpinë ku e ke”, për të pasuar pastaj përgjigja që vetiu i del poetes nga gjiu krijues, përgjigje kjo me trajtë konstatimi e me një dhembje që as qiejt nuk e mbajnë, citat: “Ta mori harrimi”.
Poezia tjetër përkushtim, si njëra ndër më të gdhendurat e ngrehinës artistike, e titulluar “Komandant”, është për legjendën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharin. Në këtë poezi, sikundër edhe në disa sosh, poetja përdor njërin prej elementeve më qenësore të dramës si gjini krijuese, dialogun. Një tip i dialogut të monologjizuar, përkatësisht monologut të dialogjizuar. Nëpërmjet këtyre llojeve të bashkëbisedimit të poetes me Komandantin fuqizohet natyrshëm linja komunikuese me recipientin, përshkallëzohet gradacioni emocional, krijohet figura poetike dhe përcaktohet përmasa e subjektit lirik, të cilit, pasi ia kërkon ndjesën, citat: “Më fal, Komandant/Të lash vetëm kur këndoje”, i thotë, citat:
Nuk të zë varri,
Legjendat nuk i zë.
Në poezinë përkushtim përvijohen edhe shumë emra të përndritshëm të heronjve e dëshmorëve të kombit (Jusuf Gërvalla, Ylfete Humolli, Afrim Zhitia, Shukrie Obertinca etj) duke skalitur, po kështu, edhe disa nga emrat e fëmijëve të vrarë e masakruar nga makineria çetnike serbe, siç janë Afrim Prebreza, Bekimi, Nesimi e shumë e shumë të tjerë që tashmë s’janë veçse yje të përjetshme në qiellin e lirisë së Kosovës. Poetja ndërfut edhe emra identifikues të qenësisë e të etnitetit tonë, të ardhur qoftë nëpërmjet kujtesës historike, qoftë nëpërmjet kujtesës antropologjike, mitike, deri te legjendat, siç janë, fjala vjen emri Agron, Teutë, Ilir, Yll, Rozafë, Ajkunë, Valbonë, Abri etj.
Flora Brovina përdor emrat e të parëve tanë apo përmend emërvendet e tokës shqiptare me qëllim që të vendos kontrastin, krahasimin për të nxjerrë në pah egërsinë e pushtuesit serb, i cili nuk la mjet pa përdorur vetëm e vetëm që të zhdukë nga faqja e dheut shqiptarët, kulturën, civilizimin dhe trashëgiminë e kombit tonë. Bukuria e poezisë përkushtim qëndron në diskursin ligjërimor të autores, e cila subjektet e saj lirike, fëmijë e të rritur, heronj e shkrimtarë i ul në bankat e shkollës, të cilët së toku kanë çelur në trajtë të lulëkuqeve.
Poezia e burgut
Një tjetër lloj poezie që ka zënë shtat në kurorën e bimës së kuqe është ajo që për subjekt lirik ka vetë autoren e vargjeve, e cila për një kohë qe e mbërthyer prapa grilave në kazimatet e pushtuesit serb. Poetja pra, merr statusin e subjektit lirik autorial, i cili, vjen e bëhet element semiologjik e poetik që konoton me linja paradigmatike në kohë e epoka të ndryshme të robërisë, identifikon dhe personifikon të gjithë ata atdhetarë e liridashës që përjetuan natën e burgjeve pse ishin shqiptarë dhe pse ishin zëri kryengritës e syri largpamës për çlirim kombëtar, liri e barazi me të gjithë popujt e civilizuar. Këto poezi kanë tone të errëta e vijnë me nuancat e së zezës nga të cilat vjen erë lagështie e dhune. Ato janë të mbushura me kërbaç e gjak, me dhimbje e përfytyrime, me pranga e terrorizime më çnjerëzore. Megjithëkëtë, në to gjendet një tis ëndrre e besimi të pathyeshëm, gjendet një rremb dielli dhe një fije shprese, të cilat ia dalin të arratisen nga qelitë e të fluturojnë deri tek ideali i lirisë. Kjo arratisje buron nga biologjia njerëzore, nga vetëdija kombëtare, nga vetëdija krijuese, ani pse në hapsane pushtuesit me dashuri, citat: “e burgosin edhe ditën”, duke harruar se, sado i fortë që të jesh, dita nuk mund të burgoset ngase, citat: “ka dashuri mbi dashuri”.
Kështu, poetja me vetëdije të plotë krijuese shtreson kontraste e ndërton figura poetike për të dalë te konceptet etike, tek e mira, humania dhe mbi të gjitha te qeliza amë e librit, te dashuria.
Poezitë “Zgjim feniksi”, “Duart në pranga”, “Lapsi”, “Ajo ishte gjashtëmbëdhjetë vjeçe”, “Përfytyrimet”, “Balada për Doruntinin” e ndonjë tjetër janë përjetime të burgut apo të shkruara në burgje nëpërmjet të të cilave autorja sjell arketipa të imazheve dhe i funksionalizon ato në raport me kontestet e kujtesës kolektive, duke vënë theksin kështu, në konceptet ontologjike.
Çështjet me koncepcione ekzistencialiste që kanë të bëjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë me natyrën e qenies njerëzore e kombëtare mbesin imanencë sa estetike po dhe aq etike. E dhunuara është poezi përkushtim për Martën dhe mijëra Marta të tjera. Është elegji për të gjitha ato gra e vajza të përdhunuara e të mbijetuara, elegji për dhembjen e pamatë njerëzore për njeriun dhe jo vetëm. Në këto vargje gruaja është Kosova, Marta e përdhunuar është Kosova, prandaj poetja pisket në heshtje, citat: “Flokëshprishura Kosovë”, për t’i thirrur paskëtaj në trajtë urdhërese e për ta uruar me zemër nëneje flokëshprishurën, citat: “Ti mbijeto”.
Vargu artistik i Flora Brovinës ka një tingëllimë të dallueshme, por që herë-herë përcillet me një lloj isoje që vjen nga damari i poezisë gojore.
Intonacioni te këto poezi deklamohet nëpërmjet përsëritjes së qëllimshme të vargut si dhe nëpërmjet rikomponimit të leksemave poetike. Kjo mjeshtëri vargëzuese e fuqizon poezinë e saj dhe njëkohësisht ia determinon ritmin, veçanti këto që i hasim të poezia “Kulla”, “Gu gu gu”, “Përmasa” etj. Shembull, citat nga poezia “Kulla”:
Kur sytë lidh me shami,
Ç’më duhen frëngjitë,
Kullë lum Kulla.
Me lojën symbyllas,
Më gjej të gjeta,
Mund të rrëzohem.
Të qaj të shastisem,
Të qesh mundem,
Në mes të odës.
...
N’u bëfsha Nuse,
Do të hipi në majë Kulle.
Tërë Rrafshi e tutje,
Të shohë,
Sa me ka hije,
Nusëria, o
Në majë të Kullës, o.
Conclusion
Objekti estetik “Bima ime e kuqe” i Flora Brovinës duke qenë se për palcë shpirtërore në tërësinë e tij përmbajtjesore ka të kuqen, ka pra, dashurinë si eros, dashurinë si atdhe, dashurinë si dhimbje e mall, dashurinë si frymë e liri, mund të përfundohet se e gëzon epitetin e të qenit libër i dashurive.
Ky tekst është parathënia e librit “Bima ime e kuqe”, botuar nga “Bard Books”. Me leje të botuesit, ribotohet në shenjë kujtimi për Flora Brovinën (30 shtator 1949 – 15 shtator 2026). Titulli është i Redaksisë