Support TIME. Preserve the truth.
Opinion

Revolt against social inequality or "crisis" of contemporary capitalism!

Këto ditë, kur një pjesë e madhe e shteteve evropiane po ballafaqohen me protesta masive të studentëve dhe qytetarëve, shumica e analistëve fokusin e vështrimeve të tyre e ndërlidhin me luftën e partive politike opozitare për pushtet. Një qasje e tillë është shumë shkurtpamëse për faktin se, ndonëse në dukje të para thirrjet e protestuese janë për largimin e qeverive aktuale, ato në realitet janë shprehje e problemeve ekonomike dhe sociale që janë depozituar për një kohë më të gjatë, si rezultat i zhvillimit të kapitalizmit dhe korporatave bashkëkohore, e që tani po shpërthejnë në formë të protestave shkatërruese.  

Pra, hipoteza që po shtroj këtu është se, ndonëse protestat duket të jenë të organizuara për çështje politike dhe të drejtuara ndaj qeverive aktuale në pushtet, duke përfshirë këtu edhe “dorën e huaj” e cila në këso raste provon që të shfrytëzojë mundësinë për përfitime edhe gjeopolitike, revolta në realitet rrënjët i kanë në pabarazitë ekonomike të krijuara për vite me radhë e të cilat kanë çuar në shtresimin e popullsisë në ata “që nuk ia dinë skajin luksit” dhe në ata që mezi e përballojnë javën apo muajin me pagën që fitojnë nga puna e tyre (që përbëjnë shumicën). Kjo ndarje e vlerës së re, tani më “e perceptuar” si një ndarje e padrejtë e profitit në mes të punës dhe kapitalit, përpos që ka shpie në pabarazitë e skajshme shoqërore, ka shpënë edhe deri te krijimi i perceptimit për pasiguri sociale për të tashmen dhe për të ardhmen e një pjese të konsiderueshme të popullsisë e në veçanti tek të rinjtë.

Andaj, protestat e të rinjve, studentëve, mësimdhënësve, punëtorëve dhe shtresave tjera shoqërore në vendet si në Francë, Itali, Spanjë, Portugali, Greqi, Gjermania, Holandë, Belgjikë, Austri e vende të tjera nuk duhet parë vetëm si protesta për pakënaqësinë ndaj qeverive aktuale që janë në pushtet, por edhe si një revoltë ndaj gjendjes ekonomike të krijuar për vite me radhë si rezultat i mënyrës si është bërë ndarja e vlerës së shtuar (profitit) në kapitalizmin bashkëkohor dhe mënyrës së funksionimit të korporatave. Po kështu protestat në Serbi, Shqipëri dhe në vendet ish-socialiste duhet parë jo vetëm si protesta kundër pushteteve aktuale por edhe si revoltë e përgjithshme ndaj gjendjes së krijuar ekonomike dhe sociale si rezultat i një tranzicioni të përfunduar në mënyrën më të vrazhdë i shoqëruar me një shkallë të lartë të korrupsionit në të gjitha nivelet e shoqërisë, i cili ka qua deri te një shtresim i shoqërisë në ata që fitojnë shumë dhe vazhdojnë të mos ngopen dhe ndarjes së padrejtë të profitit të krijuar, me ç’rast të ardhurat e të punësuarve nuk sigurojnë një jetesë me dinjitet, kurse perspektiva e të rinjve të shkolluar dhe të përgatitur për tregun e punës vazhdon që të jetë e zymtë dhe pa një shpresë për të ardhmen.

Pra pyetja është, a mund të jenë shkaktarë të protestave pabarazitë e krijuara si rezultat i ndarjes jo të drejtë të vlerës së krijuar (profitit) në mes të kapitalit dhe të punës për vite me radhë? Dilema të tilla kanë ekzistuar gjithmonë dhe vazhdojnë të ekzistojnë edhe tani dhe si të tilla nuk paraqesin një temë tabu për diskutim edhe në tryezat akademike. 

Këto pyetje e dilema mund t’i nxjerrim nga një krahasim i thjeshtë i kërkesave që kanë dal nga këto protesta, e që kryesisht përmblidhen në gjendjen e përgjithshme ekonomike e sociale dhe në pamundësinë për të jetuar një jetë të dinjitetshme, çmimet e larta, pagat e ulëta ose të pamjaftueshme për të përballuar kostot e jetesës, shkollimin, studimet, e të ngjashme. Prandaj, para një analisti serioz shtrohet çështja thelbësore që ka të bëjë me kapitalizmin bashkëkohor e që mund të shtrohet si hipotezë se, a jemi në një fazë të zhvillimit ekonomik kur mund të vihet në pikëpyetje çështja e raportit në mes të krijimit të pasurisë (profitit) në ekonomi (si rezultat i ekonomisë së lirë të tregut), dhe shpërndarjes së drejtë të tij në mes të punës ( në formë të pagës), kapitalit (në formë të profitit) dhe shtetit (në formë të taksave).

Nuk ka dilemë se ekonomia e lirë e tregut dhe vetë sistemi ekonomik i mbështetur në parimet e saj ka bërë qe Prodhimi i Përgjithshëm, pra Bruto Produkti (GDP) në përmasa botërore të shënojnë rritje dhe dinamikë të jashtëzakonshme. Kjo ka bërë që pasuria e përgjithshme të rritet në mënyrë të pakrahasueshme krahasuar me periudhat e kaluar. Dilema që shtrohet këtu është se rritja e Bruto Produktit të Përgjithshëm a ka shpënë në rritjen e mirëqenies së përgjithshme të qytetarëve? Përgjigjja në këtë pyetje është e thjeshtë, sigurisht se po. Për vite me radhë dinamika e përgjithshme e zhvillimit ka bërë që qytetari të ndihet i vlerësuar dhe standardi i jetës të rritet. Por, ka ndodh edhe diçka tjetër, në këtë rrugëtim. Ndonëse pasuria e përgjithshme është rritur gjithnjë e më shumë, me kalimin e viteve kjo pasuri (profiti), ka të dhëna nga institucione relevante ndërkombëtare që dëshmojnë se nuk është ndarë në mënyrë të drejtë, ose “nga moskujdesi i mjaftueshëm social” ka bërë që mirëqenia dhe lumturia e një pjese të popullsisë “të rrëshqas” ngadalë për të ardhur në një situate kur edhe në vendet e zhvilluara (ku papunësia është relativisht e ultë), të punësuarit ankohen për rritjen e kostos dhe për rënie të standardit të jetesës. Ka të dhëna që tregojnë se paga reale mesatare e qytetarëve nga vitit 2000 deri në vitin 2025 ka rënë në Itali, Francë, Spanjë, Gjermani e shumë vende evropiane.

Po kështu, rritja e vazhdueshme e çmimeve ndonëse jo me një ritëm “të shfrenuar”, megjithatë, nuk është përcjell me rritje proporcionale të pagave. Kjo ka bërë që fuqia blerëse e të punësuarve në veçanti e atyre me paga të ulëta të keqësohet në mënyrë të vazhdueshme. Pra, zhvillimi tekniko teknologjik e së bashku me te rritja e produktivitetit të punës që ka sjellë në rritjen e profitit të përgjithshëm, ka të dhëna që dëshmojnë, se nuk është përcjell në mënyrë të drejtë edhe në rritjen proporcionale të pagave dhe të mirëqenies e sigurisë sociale në përgjithësi. Nëse pagat reale rriten më ngadalë se sa produktiviteti i punës në një periudhë më të gjatë, atëherë proporcionalisht pjesa e profitit që i mbetet kapitali është me e madhe dhe se e njëjta përmes riinvestimit multiplikohet gjë që ndonëse sjell zhvillim ekonomik, ka bërë që të mos sjellë përmirësim apo ngritje proporcionale të standardit të jetës të qytetarëve, në tregues absolute, e madje në tregues relativ të sjell edhe deri të rënia e tij. Ose thënë ndryshe vendi të përjetojë zhvillim ekonomik dhe të bëhet më i pasur, por qytetarët nuk përjetojnë përmirësim proporcional të standardit të jetesës. Kjo duket paradoksale, por është realitet i cili për disa dekada është duke ndodhur, ashtu që shtresa e mesme e popullsisë ngadalë është shndërruar në shtresën e ulët, kurse pjesa e shtresës së lartë vazhdimisht ka shkuar duke u tkurrur. Ky paradoks i rritjes së pasurisë por jo edhe i mirëqenies së përgjithshme, në veçanti mund të reflektohet në pakënaqësinë e të rinjve, por edhe me një pakënaqësi të përgjithshme shoqërore. Shtrohet pyetja, a ka ardhur koha për të menduar për një ndarje më të drejtë të vlerës së krijuar në mes të kapitalit dhe të punës?   

A ka ardhur koha për një “kontratë sociale” më të drejtë dhe për një model më të drejtë të ekonomisë së tregut në ndarjen e vlerës së krijuar në mes të pronarëve të kapitalit, pagës së punëtorëve dhe taksave të shtetit. Një ndarje ku brezi i ri do të ketë mundësi dhe siguri më të mëdha për shkollim, për punë, për strehim më të përballueshëm, kujdes shëndetësor, kosto më të lirë të qirave, kosto më të lirë të konsumit dhe të jetesës në përgjithësi, ku paga garanton siguri ekonomike dhe mirëqenie sociale. Një ndarje ku shtetit i garantohet funksionim normal me detyrim për kujdes më të shtuar social, ku taksat përbëjnë burim të buxhetit e jo ngufatja në borxhin publik i cili në fund të fundit bie në barrën e qytetarit. Një ndarje ku biznesit i mbetet mjaftueshëm profit për rritje dhe zhvillim. Kjo kontratë sociale, ndonëse e pa shkruar, ka funksionuar në mënyrë perfekte për dekada më radhë, por zhvillimi i kapitalizmit bashkëkohor dhe korporatave moderne “ka gjasa” që e kanë lënë anash këtë “marrëveshje të padukshme” nga lakmia e madhe për profit në njërën anë dhe ngufatja e shteteve me borxhe publike për kryerjen e funksioneve të domosdoshme në anën tjetër. 

(Autori është profesor në Universitetin e Prishtinës)