Tweet-et e Aleksandar Dugin ndjekin një vijë që më parë e kishte promovuar edhe Dobrica Qosiq, i cili asokohe promovonte idenë se vetëm serbëve dhe shqiptarëve në ish-Jugosllavi u nevojitej rishikimi i kufijve të republikave dhe krahinave. Asokohe, qysh nga viti 1968, kjo ishte po aq dinake si ide, sepse synonte që të nxiste shqiptarët të thyenin kufijtë dhe të armiqësohen me popujt përreth, duke iniciuar projektin e Serbisë së madhe, duke legjitimuar kështu goditjen serbe ndaj popujve të tjerë, në mbrojtje të një Jugosllavie unitariste dhe autoritare
Në sfondin e valëve të protestave qytetare që kanë përfshirë Beogradin dhe Tiranën kundër pushteteve të akuzuara për autokraci e korrupsion, ideologu rus Aleksandar Dugin u shfaq në platformën X me mesazhe të befasishme për shqiptarët. Përmes dy postimeve radhazi, ai udhëzonte popujt e rajonit, serbët dhe shqiptarët, drejt një rruge të re gjeopolitike. Në tweet-in e tij të parë, Dugin komentoi protestat në Shqipëri duke deklaruar se shqiptarët po tregojnë fytyrën e tyre të vërtetë si një komb me rrënjë ortodokse (duke përmendur Fan Nolin), me një Islam sufist/mistik dhe me prejardhje indoevropiane. Menjëherë pas këtij "vlerësimi", ai hodhi propozimin e tij kryesor: "Serbët dhe shqiptarët duhet të luftojnë së bashku globalistët evropianë". Kjo ftesë për bashkim anti-BE përbën atë që mund të quhet një "përqafim mbytës i ariut". Ndërtimi i narrativës së Dugin-it mbështetet mbi një seleksionim të qëllimshëm historik. Ndërsa përmend Fan Nolin për t’i dhënë Shqipërisë një ngjyrim ortodoks e mistik, ai harron me vetëdije se si Ahmet Zogu u kthye në Tiranë në dhjetor të vitit 1924 për të rrëzuar qeverinë e Nolit me mbështetjen e Beogradit dhe mercenarëve bjelogardistë rusë.
Prapa kësaj retorike fshihet një strategji e mirëfilltë e luftës hibride ruse, ku Moska fiton në çdo opsion (Win-Win).
Opsioni i Parë: Nëse pushtetet në rajon i shtypin protestat, ato mund të përdorin fjalët e Dugin-it si alibi për të pretenduar se lëvizjet qytetare po nxiten nga Moska për të dëmtuar orientimin euroatlantik, duke arsyetuar kështu dhunën policore. Njëkohësisht sugjeron armikun e përbashkët për qeveritë në Serbi dhe Shqipëri dhe duke tentuar të fus Shqipërinë në orbitën e Serbisë proruse.
Opsioni i Dytë: Nëse protestat përshkallëzohen, Moska e shet tek opinioni ndërkombëtar narrativën se edhe popujt më pro-amerikanë në Ballkan po ngrihen kundër BE-së dhe rendit unipolar. Synimi përfundimtar i këtij konfuzioni është mbjellja e mosbesimit në çdo nivel: mes vetë shqiptarëve, mes vetë serbëve, dhe veçanërisht mes shqiptarëve e serbëve. Sidomos synohet mosbesimi në vizionin e Evropës së Bashkuar dhe interesin e shqiptarëve dhe serbëve që të jenë pjesë e saj.
Për popujt e vegjël të rajonit, alternativa përballë integrimeve mbinacionale është e pamëshirshme: ose të kthehen në vasalë të fuqive imperialiste, ose të bashkohen si të barabartë brenda kuadrit të BE-së, ku kufijtë zbehen dhe sovraniteti ushtrohet përmes lirisë e zhvillimit.
Për të kuptuar retorikën e Aleksandar Dugin, duhet zbërthyer bërthama e mendimit të tij: neoeuroazianizmi. Për të, Euroazia nuk është thjesht gjeografi, por një qytetërim më vete antiliberal me qendër Rusinë, e cila mund të mbijetojë vetëm si një perandori mbikombëtare. Rusia e kundërshton dhe e urren BE-në sepse një Evropë e bashkuar dhe e integruar pengon krijimin e akseve gjeopolitike që Dugin synon (si aksi Moskë–Berlin) dhe bllokon zgjerimin e sferës së ndikimit rus. Për më tepër, modelimi i BE-së mbi shtetin e së drejtës, tregun e lirë dhe vlerat liberale përbën një kërcënim ideologjik të drejtpërdrejtë ndaj modelit autokratik e imperial evroaziatik. Kjo teori shërben sot si bazë filozofike për të justifikuar agresionin në Ukrainë dhe përpjekjet e Kremlinit për destabilizimin e Perëndimit. Tweet-et e Dugin-it, që udhëzojnë shqiptarët dhe serbët, janë pjesë e një përplasjeje më të madhe globale mes tri doktrinave kryesore: Doktrina Ruse (Neoeuroazianizmi): Që sforcon një imperializëm përmes kaosit, përçarjes dhe fragmentimit të Perëndimit, si dhe me insistim për rishikimin e kufijve. Doktrina Amerikane ("America First"): E cila braktis rolin e "policit të botës" dhe multilateralizmin, duke kaluar në një pragmatizëm e proteksionizëm për interesat dhe aleatët e saj. Doktrina Kineze (Mendimi i Xi Jinping): Që synon ekspansionin teknokratik e ekonomik global përmes iniciativave "Një Brez, Një Rrugë", duke promovuar një multipolaritet pa kushtëzime rreth lirive dhe të drejtave të njeriut. Asnjëra nga këto doktrina nuk shqetësohet për demokracinë dhe, në njëfarë mënyre, bien ndesh me standardet demokratike të Evropës së Bashkuar. Si të tilla paraqesin bërthamën ideologjike të antiglobalizmit. Kjo përplasje po e zhvendos botën nga unipolariteti drejt një multipolariteti, ku fuqitë e mëdha po riorganizojnë de facto sferat e tyre të interesit. Në këtë mjedis të ri ndërkombëtar, ku institucionet multilaterale humbasin peshën, rajone gri si Ballkani rrezikojnë të mbeten shesh i pazareve apo konflikteve hibride. Për rrjedhojë, integrimi evropian dhe tejkalimi i miteve mesjetare mbetet e vetmja rrugë strategjike që garanton sovranitetin dhe sigurinë e popujve të rajonit, dhe çfarëdo udhëzimi, joshjeje apo frikësimi që mjegullon perspektivën evropiane të popujve të Ballkanit, do të thotë jostabilitet, luftëra civile dhe luftëra të pafund për kufij.
Tweet-et e Aleksandar Dugin ndjekin një vijë që më parë e kishte promovuar edhe Dobrica Qosiq, i cili asokohe promovonte idenë se vetëm serbëve dhe shqiptarëve në ish-Jugosllavi u nevojitej rishikimi i kufijve të republikave dhe krahinave. Asokohe, qysh nga viti 1968, kjo ishte po aq dinake si ide, sepse synonte që të nxiste shqiptarët të thyenin kufijtë dhe të armiqësohen me popujt përreth, duke iniciuar projektin e Serbisë së madhe, duke legjitimuar kështu goditjen serbe ndaj popujve të tjerë, në mbrojtje të një Jugosllavie unitariste dhe autoritare. Natyrisht, Aleksandar Dugin është i vetëdijshëm se fjala e tij çon pak peshë ndër protestuesit shqiptarë, por gjithsesi synon të fusë konfuzion dhe të sensibilizojë të gjitha lëvizjet dhe ideologjitë autoritare, të majta e të djathta, që vlerat dhe standardet e BE-së i shohin si të rrezikshme për interesat e veta.