Support TIME. Preserve the truth.
EVENING NEWS

Three arrested in Kosovo in international action against online fraud

Europol

Një hetim që ka nisur pas ankesës së një çifti gjerman për paratë e humbura në një platformë online, të martën ka çuar në një aksion ndërkombëtar në disa shtete, përfshirë edhe Kosovën. Tre persona janë arrestuar në Kosovë nën dyshimet për mashtrim përmes platformave të rreme të investimeve, ndërsa janë kontrolluar pesë lokacione në Prishtinë, Fushë-Kosovë dhe Ferizaj

Tre persona janë arrestuar të martën në Kosovë, në kuadër të një operacioni ndërkombëtar kundër një rrjeti të dyshuar për mashtrime përmes platformave të rreme të investimeve dhe qendrave të thirrjes.
Me urdhër të Prokurorisë Speciale operacioni është zhvilluar në pesë lokacione në tri qytete të ndryshme: Prishtinë, Fushë-Kosovë dhe Ferizaj.

Sipas Prokurorisë, M.P., I.H., dhe F.Z., dyshohen për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, mashtrim, hyrje të paautorizuar kompjuterike dhe mashtrim kompjuterik.

“Sipas dyshimeve të deritanishme, personat e përfshirë, duke u paraqitur si agjentë apo ndërmjetës financiarë, dyshohet se kanë mashtruar qytetarë, kryesisht gjermanishtfolës, duke i nxitur të transferonin mjete financiare për investime të pretenduara në instrumente financiare dhe kriptovaluta. Fitimet e paraqitura në platformat përkatëse dyshohet se ishin fiktive, ndërsa mjetet e transferuara nuk investoheshin sipas premtimeve të dhëna”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, gjatë zbatimit të urdhër kontrollit në Kosovë, janë sekuestruar vetura, telefona celularë, kompjuterë dhe pajisje të tjera elektronike që mund të shërbejnë si prova në procedurën penale.

Prokuroria ka njoftuar se operacioni në Kosovë është realizuar në koordinim me autoritetet gjermane dhe partnerët ndërkombëtarë.

E Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunimin në Drejtësinë Penale (Eurojust) dhe Europoli kanë njoftuar se Kosova ka qenë një nga vendet ku është zhvilluar aksioni ndërkombëtar kundër një rrjeti kriminal që dyshohet se mashtronte qytetarë në mbarë botën përmes platformave të rreme të investimeve.

“Autoritetet identifikuan gjithashtu klientë të dyshuar të kësaj kompanie në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilët dyshohet se operonin qendra të paligjshme të thirrjeve (call center). Aksioni u përqendrua te këta të dyshuar dhe te serverët që përdoreshin për aktivitetet e tyre kriminale. Në total, autoritetet kontrolluan 17 lokacione, përfshirë një qendër thirrjesh në Kosovë. Gjatë operacionit u sekuestruan më shumë se 100 serverë, së bashku me prova dhe asete të tjera”, thuhet në njoftimin e EUROPOL-it.

Sipas EUROPOL-it, skema funksiononte përmes platformave online që paraqiteshin si të ligjshme dhe premtonin fitime të mëdha nga tregtimi i kriptomonedhave, valutave të huaja dhe aksioneve.

Hetimi sipas njoftimit, ka nisur në vitin 2022, pas një ankese të një çifti gjerman, i cili ka investuar kursimet përmes një platforme online, por nuk ka arritur t'i tërheqë fitimet.

EUROPOL-i ka dërguar gjithashtu ekspertë në Kosovë dhe Shqipëri për të mbështetur hetimet digjitale dhe analizimin e provave të sekuestruara.