Support TIME. Preserve the truth.
EVENING NEWS

Government and opposition clash in the Economy Committee

commission

Mbledhja e Komisionit parlamentar për Ekonomi është përcjellë me polemika, pas mungesës për të raportuar aty kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Neime Binaku-Isufi. Në Komision nuk është paraqitur as ministrja Artane Rizvanolli

Rezana Bozhlani

Mungesa e kryetares së Autoritetit të Konkurrencës, Neime Binaku-Isufi, e ftuar për të raportuar në Komisionin parlamentar për Ekonomi, Tregti dhe Ndërmarrësi, ka nxitur përplasje verbale mes deputetëve të partisë në pushtet dhe atyre opozitarë.

Kryetari i Komisionit, Arben Mustafa, i cili është deputet nga radhët e Partisë Demokratike, e ka përfshitë në rend të ditës edhe çështjen e mungesës së kryetares Binaku-Isufi.

“Znj. Binaku-Isufi, pra kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, më 21 tetor 2026, e konfirmon ardhjen për raportim në Komision. Mirëpo, dy ditë më vonë, më 23 tetor 2026, pa dhënë ndonjë arsyetim konkret, njofton se nuk mund të vijë për raportim në Komision”, ka thënë ai.

Atij i kanë reaguar ligjvënësit nga Lëvizja Vetëvendosje.

Deputeti Taulant Kelmendi ka kërkuar që Komisioni të vazhdojë punën kur e pranishme të jetë edhe kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës.

“Patjetër që problemet me Autoritetin e Konkurrencës dhe materialet që na kanë dërguar janë serioze dhe duhet të trajtohen nga Komisioni. Megjithatë, ta presim kur të vijë znj. Neime Binaku-Isufi dhe të raportojë. Tash e kam parë emailin që e ka dërguar ajo. Ajo thotë se, për arsye objektive, ka qenë e pamundur të vijë”, ka thënë Kelmendi.

Por deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka thënë se kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës nuk duhet të merret në mbrojtje.

“Mua m’u duk realisht i pakuptimtë reagimi i kolegëve nga pjesa e Vetëvendosjes, që u dukën sikur po i mbrojnë. Dhe, me të vërtetë, unë, sa i njoh kolegët këtu, besoj se sado pak kanë mundësi të jenë edhe kritikë, pavarësisht bindjeve. Prandaj, unë mendoj se keni dalë keq”, ka thënë ai.

Komisioni ka vendosur t’i shtyjë për mbledhjen e ardhshme dy pika të rendit të ditës, raportimin e kryetares së Autoritetit të Konkurrencës, lidhur me gjendjen në institucionin që ajo drejton, si dhe shqyrtimin në parim të Projektligjit për Efiçiencën e Energjisë, për të cilin ishte ftuar të raportonte ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila po ashtu nuk është paraqitur.