Support TIME. Preserve the truth.
EVENING NEWS

Krasniqi visits family due to wife's health condition

Jakup Krasniqi

Photo: Driton Pacharada

Të mërkurën, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës ka mbërritur në Kosovë me lejen e Gjykatës Speciale. Arsyeja e kësaj vizite është gjendja shëndetësore e bashkëshortes së Krasniqit. Kjo është vizita e dytë e Krasniqit që nga koha kur është arrestuar gjashtë vjet më parë

Për disa orë, Jakup Krasniqi mundi të qëndrojë pranë familjes në shtëpinë e tij në Prishtinë. 

Ish-kryetari i Kuvendit, i cili është dënuar për krime lufte me 25 vjet burgim, arriti në Kosovë në orët e paradites, me leje të posaçme të Gjykatës Speciale, për ta vizituar bashkëshorten, gjendja shëndetësore e së cilës është përkeqësuar. 

Ai nuk ishte vetëm. U shoqërua nga pjesëtarë të sigurisë, ndërkaq rreth shtëpisë u panë automjete të policisë së EULEX-it dhe atyre të Kosovës. Po kështu, edhe të ekipeve të tjera, përfshirë një autoambulancë.

Bazuar në një video të bërë nga momenti i hyrjes, ai shihet tek pritet në hyrje të shtëpisë nga vajza, bashkëshortja e djalit dhe nipi i vogël.

Specialja, me seli në Hagë, ka konfirmuar për KOHËN se Krasniqit i është lejuar vizita në Kosovë. 

“Për arsye humanitare bindëse, Trupi Gjykues ka udhëzuar Zyrën Administrative të organizojë një vizitë nën ruajtje të Jakup Krasniqit në Kosovë”, thuhet në përgjigje.

Kjo gjykatë nuk ka dhënë detaje të tjera për kohën e qëndrimit të Krasniqit në Kosovë apo edhe për arsyet konkrete të vizitës. Po ashtu, nuk është treguar as se kush janë personat me të cilët mund të ketë kontakt.

Përpos që vizita familjare u zhvillua nën masa të rrepta sigurie, për të pati edhe kufizime në kontaktet me të afërmit.

Një prej personave që nuk arriti ta takojë, është vëllai i tij, Daut Krasniqi. Ai tregoi se nuk iu lejua t’i afrohet shtëpisë, pasi familjarët druheshin se një përpjekje e tillë mund të rrezikonte ndërprerjen e vizitës. 

“Vajza e tij me tha mu ‘na ndalin vizitën’. ‘Jo’, i thashë. Unë nuk po dua me prishë”, ka thënë ai, dhe ka folur edhe për gjendjen e kunatës. “Ligsht është”. 

Vëllai i Jakup Krasniqit tregoi se edhe informatat për vizitën janë mbajtur në fshehtësi, shkaku i kufizimeve të vendosura nga gjykata. Ai ka thënë se rastësisht e ka kuptuar sot, pas masave të sigurisë që janë parë rreth shtëpisë.

“Po më thotë djali ‘dil në ballkon’. Kur dola, e kishin blloku këtu”, ka treguar ai.

Pas lajmit për vizitën, një numër qytetarësh kanë shkuar afër shtëpisë së tij për ta përshëndetur. Po ashtu, edhe disa aktivistë të organizatës “Liria ka emër”.

Çlirim Haziri ka thënë se janë vetëm një grup i vogël që duan ta shohin atë. Ai ka thënë se nëse ka kërkesë të largohen, do të largohen.

Jakup Krasniqi është larguar nga shtëpia në orët e mbrëmjes.

Ai është dënuar në shkallë të parë për krime luftë nga Gjykata Speciale së bashku me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.

Mbrojtja e tij dhe e tre të tjerëve do ta apelojnë vendimin.

Kjo është vizita e dytë që Krasniqi e bën në Kosovë prej kohës kur është arrestuar gjashtë vjet më parë. Vizitën e parë e kishte realizuar më 10 tetor të vitit 2024, pas vdekjes së vëllait të tij, Azem Krasniqi. Edhe atëherë, Trupi Gjykues ia kishte miratuar kërkesën për arsye bindëse humanitare. Gjatë qëndrimit në Kosovë, Krasniqi kishte vizituar varrin e të vëllait në Negroc të Drenasit dhe ishte takuar me familjarët.