Support TIME. Preserve the truth.
Culture

Serbia establishes award named after Bekim Fehmi, Kosovo cancels it

"Bekim Fehmiu" Award Trophy

Trofeu i Çmimit kombëtar për vepër jetësore, “Bekim Fehmiu” që dikur e kishte Kosova dhe s’e ka më

Jo pak premtime e zotime janë dhënë ndër vite për nderimin e aktorit të madh Bekim Fehmiu, por edhe një çmim me emrin e tij që e themeloi dikur, Kosova tashmë s’e ka. E në anën tjetër, Serbia, pos çmimit të themeluar rishtas, trashëgimisë së tij ia ka bërë një vend të përhershëm në “Kinotekën jugosllave” në Beograd. Të mërkurën mbrëma ka hapur ekspozitën e përhershme, e pas një javë, për herë të parë, do ta ndajë edhe çmimin “Bekim Fehmiu”

Përderisa në Serbi themelohet çmimi me emrin e aktorit më të madh në këto anë, Bekim Fehmiu, Kosova tashmë e ka zhbërë. “Jugosfera”, e ka titulluar programin e ri Festivali i Filmit Autorial, edicioni i 32-të i të cilit do të hapet sot (e premte). Mediat në Serbi, teksa kanë paralajmëruar festivalin, kanë raportuar edhe për themelimin e çmimit “Bekim Fehmiu” për aktorin më të mirë. Për të do të vendosë Uliks Fehmiu, aktori dhe i biri i Bekim Fehmiut, do të dorëzohet të premten e ardhshme në natën përmbyllëse të festivalit. 

E, Kosova kapitullin e këtij çmimi, i cili u nda për herë të parë para 13 vjetësh, e ka përmbyllur sivjet kur ka vendosur që asnjëri prej çmimeve vjetore në art dhe kulturë të mos mbajë emra personalitetesh, nëpërmjet Rregullores për Çmimet vjetore të artit dhe kulturës e miratuar më 2025. Rregullorja e re kishte hyrë në fuqi nëpërmjet miratimit nga ish-ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. Konkursi i sivjetmë qe hapur bazuar në këtë Rregullore, e cila përcakton që çmimet vjetore të ndahen më 10 qershor. Më shumë se gjashtë muaj pas shkeljes së afatit, ende nuk ka çmime. Tok me emrin e Bekim Fehmiut, janë hequr edhe emrat e personaliteteve të tjera që mbanin çmimet nëpër kategori. Siç ka raportuar KOHA edhe më herët, as ai për dramë origjinale shqipe më s’do ta ketë emrin e aktores Katarina Josipi, ai për letërsi atë të Azem Shkrelit, e ai për muzikë të Niketë Dardanit. Asnjë çmim vjetor për letërsi s’do ta ketë emrin që ka bartur deri vjet: për prozë “Anton Pashku”, për poezi “Ali Podrimja”, për letërsi për fëmijë “Vehbi Kikaj”, për kritikë letrare dhe eseistikë “Ibrahim Rugova” dhe për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe anasjelltas “Pjetër Bogdani”.

Kosova do ta themelonte Çmimin kombëtar për vepër jetësore “Bekim Fehmiu” fill pas vdekjes së tij e as kjo nuk kaloi pa zhurmë. Çmimi do të rithemelohej më 2013 me arsyetimin se ministri pasues i Kulturës s’ka gjetur vendim për të, u nda për herë të parë atë vit, në ditën e parë të qershorit që përkon me ditëlindjen e aktorit. Më të u nderua post-mortem aktori i madh, Feruk Begolli. 

Por pos çmimit, Serbia e ka çuar në një tjetër nivel nderimin për aktorin Fehmiu. Prej së mërkurës mbrëma, “Kinoteka Jugosllave” i ka bërë një vend të përhershëm trashëgimisë së tij. Me të shënon 90-vjetorin e lindjes së Fehmiut (1936-2010). Inaugurimin e ka bërë edhe nëpërmjet dy ekspozitave, shfaqjes së filmave ku ka luajtur aktori i madh. E pranishme ka qenë edhe e veja e Fehmiut, aktorja Branka Petriq. Nga Kosova, enkas ka udhëtuar edhe Milazim Salihu, mik i aktorit dhe i familjes së tij. KOHA e ka pyetur se si e komenton themelimin në Serbi të çmimit të cilin Kosova tashmë s’e ka. E, për ekspozitën ka përcjellë ndjesinë prej atje. 

“Ne e kemi themeluar të parët çmimin ‘Bekim Fehmiu’. Është çmimi më i lartë në kinematografinë e Kosovës. Edhe pulla postare është para Serbisë. Për ligjin e ri nuk e di, sepse nuk e kam lexuar dhe nuk mund të përgjigjem. Por, nëse më pyetni për qëndrimin tim, është mirë të kemi një Ministri të Kulturës që i mban këto çmime me emrat e aktorëve dhe shkrimtarëve. Kjo është mjerim. Nuk jemi aq të varfër sa të mos mund t'i nderojmë aktorët, regjisorët dhe shkrimtarët që kanë lënë gjurmë. Duhet t’i nderojmë ata që kanë dhënë kontribut në fushat e tyre. Është marrëzia më e madhe”, ka thënë Salihu, i cili ka udhëhequr kinemanë “ABC” dhe tash drejton një rrjet kinemash private. 

Për heqjen e emrave të personaliteteve nga çmimet, KOHA kishte raportuar edhe më 1 prill të këtij viti.

“Nuk është normale pasi një Bekim Fehmiu e ka e gjithë shqiptaria. Edhe për emrat e tjerë ka menduar dikush që i ka vënë. Nuk mund të nisë historia tash. Po e shohim çfarë po bëhet edhe me dekorata që po i jepen gjithkujt. Largimi i emrave është marre. Edhe ashtu njerëzit kanë mbetur në harresë. Tash le t’i largojnë edhe emrat e personaliteteve nga çmimet”, kishte thënë Salihu. 

Në mesin e atyre që kanë reaguar për heqjen e emrave nga çmimet, kishte qenë edhe dramaturgu Jeton Neziraj. Tash, me themelimin e çmimit Bekim Fehmiu në Serbi, ka thënë se jeta dhe krijimtaria e tij duhet të njihen, shënohen, promovohen e festohen nga të gjithë. 

“Pra, edhe nga njerëzit e institucionet në Kosovë, apo në Serbi e gjetiu. Por që në Kosovë çmimi me emrin e tij është zhbërë, këtë gjë e konsideroj papjekuri institucionale. Mendoj që emri i Bekim Fehmiut i bën nder Kosovës. Përtej atyre sentimenteve nacionale, sepse unë besoj që Bekim Fehmiu ka operuar me paradigma para-nacionale, ai duhet të nderohet e festohet, si shembull frymëzimi artistik e njerëzor”, ka thënë ai. Sipas tij, Bekim Fehmiu “ka qenë shembull i artistit që ka besuar te krijimtaria artistike, vlerat humane, përtej atyre dallimeve gjuhësore, kulturore e nacionale”. 

“Dhe kjo gjë përbën bazë të mjaftueshme që ai të njihet, respektohet e festohet edhe në Serbi, edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri e gjetiu”, ka thënë Neziraj. 

Në ditën e parë të prillit, KOHA e kishte pyetur Ministrinë e Kulturës se përse janë rikonceptuar çmimet në formatin e tanishëm, përse është humbur tradita e emrave që kanë bartur çmimet dhe po ashtu përse te Çmimi për dramë origjinale shqipe s’do të ketë vend të dytë e të tretë. Për 232 ditë nuk është përgjigjur. 

Çmimi kombëtar për vepër jetësore “Bekim Fehmiu” kishte një trofe ngjyrë ari me portretin e aktorit të madh. Ishte vepër e skulptorit Luan Mulliqi dhe do të mbetet në sirtarët e laureatëve Faruk Begolli, Isë Qosja. Xhevat Qorraj, Bislim Muçaj, Besim Sahatçiu, Azem Shkreli, Ekrem Kryeziu, Afrim Spahiu, Menduh Nushi. Tok me rrëfimin se Kosova e kishte dikur një çmim të tillë. Dhe s’e ka më. 
Në sirtar kanë mbetur edhe premtimet që Kosova ta nderojë Bekim Fehmiun, aktorin i cili la amanet që hiri i tij të derdhej në Lumbardhin e Prizrenit. 

Ka qenë dita e parë e qershorit të vitit 2021, kur Ministria e Kulturës do të organizonte një ngjarje madhore. Ceremonia e dhënies së çmimit kombëtar për vepër jetësore për kinematografi “Bekim Fehmiu” do të zhvendosej nga kabineti i ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, në “Kino Armatë”. Aty udhëheqësit institucionalë, në krye me kryeministrin Albin Kurti, kishin treguar se shteti do të kthejë kokën nga krijimtaria e aktorit të pashoq në këto anë. Në 85-vjetorin e lindjes së aktorit, do të premtonte “Qeveria e Kosovës së bashku me institucionet e kulturës me kujdes do të kurojnë një program vjetor dhe të përhershëm për nder të Bekim Fehmiut”. 

Do të merrej vendim për emërimin e grupit punues për hartimin e planit shtetëror për nderimin, mbrojtjen, dokumentimin dhe promovimin e veprimtarisë së aktorit kosovar me famë botërore. Në fund të vitit 2021, grupi punues do t’i propozonte Ministrisë së Kulturës që të themelohej kinoteka e Kosovës, “Bekim Fehmiu”, pjesë e saj të jetë Pavijoni i Bekim Fehmiut, një festival ndërkombëtar studentor i filmit dhe teatrit “Bekim Fehmiu”, përkthimi në anglisht i vëllimeve autobiografike “Shkëlqim dhe tmerr” e po ashtu monografisë “Bekim Fehmiu – Odiseu i Kosovës”, me autor gazetarin veteran Fahri Musliu. Më pas propozohej edhe një fondacion me emër të aktorit që do të mbështeste edukimin e studentëve jashtë vendit, si dhe shfaqja e filmave ku luan Fehmiu në televizionin publik, përfshirë “Odisenë”. Krejt këto, sot e kësaj dite, janë odisejadë premtimesh.