Support TIME. Preserve the truth.
Culture

Poetry as a voice for the freedom and dignity of girls and women

Poetry

Në diskutimet e ngjarjes “Për çikat, për gratë, për jetën!”, të cilat i kanë paraprirë leximit të një a dy poezive, është theksuar se barazia gjinore nuk është çështje që kufizohet në hapësirën private apo në marrëdhëniet brenda familjes

Ngjarja “Për çikat, për gratë, për jetën!” ka bashkuar zëra poetikë rreth një teme të përbashkët: liri, barazi dhe të drejta që duhet të respektohen çdo ditë. Të enjten, në mesditë, ka bashkuar në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë 15 poetë me poezitë që janë shndërruar në himn të përbashkët që ka ndërthurur edhe thirrjen për dëgjim dhe respektim të zërit të vajzave dhe grave. Është konstatuar se pabarazitë historike vazhdojnë të lënë gjurmë

Fjala poetike ka pasur për mision zërin për të drejtat, liritë dhe dinjitetin e vajzave dhe të grave. Poezia, përmes ndjesive, përjetimeve dhe reflektimeve të 15 poetëve, është shndërruar në formë thirrjeje për më shumë barazi, mirëkuptim dhe kujdes ndaj grave, në shoqërinë ku është vlerësuar se pabarazitë historike vazhdojnë të lënë gjurmë.

Manifestimi poetik me titullin “Për çikat, për gratë, për jetën!”, i organizuar nga portali për kulturë “ObserverKult”, është mbajtur të enjten në mesditë, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Në të kanë marrë pjesë poetët Naime Beqiraj, Abdullah Zeneli, Dije Demiri-Frangu, Halil Matoshi e Ilire Zajmi.

Programin e kanë pasuruar edhe Ag Apolloni, Rrahman Paçarizi, Vlora Konushevci, Ndue Ukaj, Sibel Halimi, Majlinda Sinani-Lulaj, Manjola Brahaj, Nora Prekazi, Alketa Gashi-Fazliu dhe Donika Dabishevci.

Përmes poezive të shkruara nga vetë autorët, manifestimi ka sjellë tema që lidhen me përvojën e grave, vendin e tyre në shoqëri, dashurinë, përkushtimin dhe të drejtën për të jetuar të lira e të barabarta. Organizatorët e kanë konceptuar këtë takim kulturor si hapësirë ku fjala poetike u jep zë të drejtave të panegociueshme: të drejtës për të jetuar, për të qenë të lira dhe për t’u trajtuar me dinjitet.
Organizatorja Donika Dabishevci ka thënë se 15 poetët kanë lexuar krijime të tyre, përmes të cilave kanë shprehur ndjesi, emocione dhe përjetime të ndryshme.

“Besoj se edhe temat kanë qenë të larmishme. Ka qenë një lloj himni dedikuar grave, vajzave dhe çikave”, ka thënë Dabishevci.

Në këtë manifestim, poezia është ndërthurur edhe me thirrjen për dëgjim dhe respektim të zërit të vajzave dhe grave. Poetja dhe prezantuesja e ngjarjes, Alketa Gashi-Fazliu, ka vënë theksin te përgjegjësia që shoqëria ka në këtë aspekt. 

“Shpesh u themi të flasin, të kenë guxim, ta mbrojnë fjalën e tyre. Ua themi shpesh, por edhe ne duhet ta pyesim veten se si dhe sa i dëgjojmë kur na tregojnë diçka që mund të na vërë në siklet. Kur na kundërshtojnë ose kur na tregojnë diçka që neve na duket e zakonshme, por ato i mundon. Për mua, respekti fillon pikërisht aty: te mënyra se si i përgjigjemi një vajze që ka marrë guximin të flasë. Dhe ju mos ngurroni kurrë. Flisni, buçisni, bërtisni, por kërkoni veten tuaj, ajo është më e rëndësishmja”, ka thënë Gashi-Fazliu.

Poetja Nora Prekazi ka vënë në pah dimensionin altruist të kontributit të grave.

“Çfarë kemi lënë anash është ta trajtojmë dhe ta kultivojmë dashurinë ndaj punës, ndaj dedikimit, një dashuri ndaj altruizmit, të cilin më së miri e bëjnë gratë”, ka thënë Prekazi para se të interpretojë poezinë revoltë “Për me u dashtë” dhe “Trupit” dedikuar vajzës së saj. 

Në diskutimet e ngjarjes, të cilat i kanë paraprirë leximit të një a dy poezive, është theksuar se barazia gjinore nuk është çështje që kufizohet në hapësirën private apo në marrëdhëniet brenda familjes. Kështu është shprehur Majlinda Sinani-Lula, e cila ka thënë se pabarazitë janë ndërtuar historikisht. 

“Kjo është një temë që nuk i përket vetëm një dimensioni apo një rrafshi. Nuk kufizohet ngushtësisht në botë të vogla, brenda shtëpive dhe familjeve. Çështja e barazisë gjinore, e shprehur me terma që shpesh i dëgjojmë edhe zyrtarisht, është diçka që e vuajmë edhe sot, sepse historikisht është e rrënjosur në mënyrën e gabuar. Historikisht pabarazitë janë ndërtuar dhe shtresuar, ndërsa pasojat e tyre i vuajmë edhe sot”, ka thënë ajo.

Në këtë kontekst, poetja dhe sociologia, Sibel Halimi, e ka cilësuar lirinë për të qenë vetvetja si një nga borxhet që shoqëria në Kosovë ka ndaj grave dhe vajzave.

“Është çështje komplekse që kërkon studim të thellë, por ajo që përjetojmë çdo ditë dhe e shohim është se ky vend ua ka borxh grave dhe çikave vetëm lirinë për të qenë vetvetja”, ka thënë Halimi. Ka interpretuar poezinë e saj me titull “Arnim kohe”. 

Përgjegjësinë kolektive për krijimin e një vendi më të kujdesshëm dhe më të ndjeshëm ndaj grave e ka theksuar edhe profesori Rrahman Paçarizi. 

“Në Kosovë po dëshmohet se, në këtë pikë, askush nga ne nuk jemi mjaftueshëm të kujdesshëm. Ka vend për më shumë kujdes, për më shumë dashuri”, ka thënë Paçarizi.

Kurse poeti Ndue Ukaj ka folur për peshën e letërsisë në formësimin e vetëdijes njerëzore dhe për mundësinë që ajo të ndihmojë shoqërinë të kuptojë më thellë jetën dhe përvojat që shpesh mbeten të pathëna.

“Pesha e artit përgjatë gjithë historisë njerëzore ka qenë jashtëzakonisht e madhe. Më kujtohet një shkrimtar që thoshte se arti nuk të mëson asgjë, përveç domethënies së jetës. Besoj se ne si shoqëri është më së miri të mësojmë përmes letërsisë domethënien e jetës. Letërsia mëson për gjërat e fshehura, ato që nuk duhet të mbeten të fshehura”, ka thënë Ukaj, i cili ka interpretuar një poezi revolë dhe një tjetër dedikim për bashkëshorten e tij. 

Manjola Brahaj ka interpretuar poezinë e saj me titull “E kem harrue veten” pasi është shprehur se gratë paragjykohen edhe pa shkas. 

“Gjithmonë edhe kur nuk jemi për t’u paragjykuar, paragjykohemi. Nëpërmjet poezisë dhe krijimtarisë sime, jo pak herë jam paragjykuar. Por e vetmja zgjidhje për këtë është ta duam veten. Duke e pranuar veten do të mund ta pranojmë edhe tjetrin, pavarësisht se nëse ai qëndron, ikën apo na braktis”, ka thënë ajo. 

Ngjarja “Për çikat, për gratë, për jetën!” ka bashkuar zëra poetikë rreth një teme të përbashkët: liri, barazi dhe të drejta që duhet të respektohen çdo ditë.