Zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për të drejtat autoriale në menaxhimin kolektiv të tyre – në rastin e videomaterialeve dhe të muzikës – Ministria e Kulturës synon ta lehtësojë edhe nëpërmjet ndërmjetësuesve. Për këtë është vënë në kërkim të tyre. “Roli i ndërmjetësuesve është pikërisht që t’i ndihmojnë palët të arrijnë një marrëveshje, duke marrë parasysh interesat e të dyja palëve. Në këtë mënyrë, nga njëra anë sigurohet që autorët, artistët dhe mbajtësit e tjerë të të drejtave të marrin kompensimin që u takon, ndërsa, nga ana tjetër, përdoruesit të mos ngarkohen me tarifa të paarsyeshme”, ka thënë Valon Kashtanjeva, ekspert i pronësisë intelektuale
Ministria e Kulturës është vënë në kërkim të ndërmjetësuesve në fushën e së drejtës së autorit. Ndërmjetësuesit, sipas Ligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta, janë një hallkë që plotëson sistemin e menaxhimit kolektiv të të drejtave të autorit në Kosovë. Thirrja, e hapur këtë javë me afat prej 15 ditësh, pret aplikacionet e atyre që synojnë të bëhen ndërmjetësues për zgjidhjen e kontesteve ndërmjet organizatave kolektive dhe përfaqësuesve të përdoruesve, në rastet e parapara me Ligjin për të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta. Paraprakisht, më 2013, Qeveria e Kosovës kishte emëruar shtatë ndërmjetësues. Por, me rishikimin e fundit të Ligjit, më 2023, është paraparë një proces i ri i emërimit të ndërmjetësuesve.
“Qëllimi i kësaj thirrjeje publike është përzgjedhja e kandidatëve që plotësojnë kriteret dhe kushtet e përcaktuara për ushtrimin e funksionit të ndërmjetësuesit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në fushën e së drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta, në përputhje me nenin 122 të Ligjit Nr. 08/L-205 për të Drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta dhe Rregulloren (MKRS) Nr. 03/2025”, shkruhet në thirrje. Sipas saj, kandidatët duhet të kenë diplomë universitare, të kenë kaluar me sukses kursin e trajnimit për ndërmjetësim, të jenë të regjistruar në regjistrin e ndërmjetësuesve, të jenë të certifikuar si ndërmjetësues, të kenë njohuri në fushën e të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta, si dhe të zotërojnë njërën nga gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës dhe gjuhën angleze. Sipas thirrjes, në procesin e përzgjedhjes përfshihen kandidatët që i plotësojnë kushtet e përcaktuara. Pas përfundimit të shqyrtimit të aplikacioneve, Zyra për të Drejtat e Autorit harton listën e ndërmjetësuesve të përzgjedhur dhe ia përcjell ministres së Kulturës dhe Turizmit për miratim. Në fund të procesit, lista zyrtare e ndërmjetësuesve publikohet në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit.
Valon Kashtanjeva, i cili ka udhëhequr Zyrën për të Drejtat e Autorit për rreth një dekadë, ka thënë se është shumë e rëndësishme që Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka hapur thirrjen publike për përzgjedhjen e ndërmjetësuesve në fushën e së drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta.
“Ndërmjetësuesit që do të përzgjidhen sipas kësaj thirrjeje do të kenë një rol të rëndësishëm, veçanërisht në rastet kur organizatat e menaxhimit kolektiv dhe përfaqësuesit e përdoruesve nuk arrijnë marrëveshje për përcaktimin e tarifave të përgjithshme, përkatësisht për shumën që duhet të paguhet për përdorimin e veprave dhe përmbajtjes së mbrojtur me Ligjin për të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta.
“Përcaktimi i këtyre tarifave është shumë i rëndësishëm për mbajtësit e të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta, pasi ligji ka paraparë kompensimin e tyre me rastin e përdorimit të veprave dhe përmbajtjes së mbrojtur. Këtu përfshihet, ndër të tjera, përdorimi publik i muzikës në lokale dhe biznese të ndryshme, transmetimi i veprave muzikore dhe audiovizuale nga radiot dhe televizionet, si dhe ritransmetimi i programeve televizive dhe radiofonike nga operatorët kabllorë, si dhe raste të tjera të përcaktuara me ligj”, ka thënë Kashtanjeva, ekspert i pronësisë intelektuale dhe udhëheqës i studios ligjore “AMA IP-LEX”. Sipas tij, përcaktimi i tarifave të përgjithshme është po aq i rëndësishëm edhe për përdoruesit e këtyre të drejtave. Ai ka thënë se, përmes këtij mekanizmi, përdoruesit kanë mundësi që, në rast të mospajtimit me tarifat e propozuara, të kërkojnë ndërmjetësim dhe të marrin pjesë në arritjen e një marrëveshjeje për tarifat që duhet të paguajnë. Sipas tij, kjo është e rëndësishme, sepse tarifat duhet të jenë të drejta dhe të arsyetuara, duke marrë parasysh edhe mënyrën dhe shkallën e përdorimit të veprave, përfitimet ekonomike nga përdorimi i tyre dhe kriteret e tjera të përcaktuara me ligj.
“Roli i ndërmjetësuesve është pikërisht që t’i ndihmojnë palët të arrijnë një marrëveshje, duke marrë parasysh interesat e të dyja palëve. Në këtë mënyrë, nga njëra anë sigurohet që autorët, artistët dhe mbajtësit e tjerë të të drejtave të marrin kompensimin që u takon, ndërsa, nga ana tjetër, përdoruesit të mos ngarkohen me tarifa të paarsyeshme”, ka thënë Kashtanjeva.
Ai ka përmendur se Ligji ka paraparë edhe mekanizma të tjerë për zgjidhjen e këtyre mosmarrëveshjeve. Ka treguar se, në rastet kur ndërmjetësimi nuk është i suksesshëm dhe palët nuk arrijnë marrëveshje për tarifat e përgjithshme, Ligji u mundëson atyre që, sipas kushteve dhe afateve të përcaktuara, ta referojnë mosmarrëveshjen në arbitrazh ose ta zgjidhin atë përmes gjykatës kompetente.
“Mendoj se kjo thirrje është një hap shumë i rëndësishëm për funksionalizimin e plotë të sistemit të menaxhimit kolektiv të të drejtave të autorit në Kosovë. Në fund të fundit, nuk është vetëm çështje e përcaktimit dhe pagesës së tarifave, por edhe e krijimit të një sistemi ku puna dhe krijimtaria e autorëve dhe artistëve vlerësohen dhe kompensohen, ndërsa përdoruesit kanë kushte të qarta dhe të arsyeshme për përdorimin e përmbajtjeve të mbrojtura”, ka thënë Kashtanjeva. Sipas tij, një sistem i tillë është në interes të të gjithëve dhe, mbi të gjitha, i shërben zhvillimit të krijimtarisë, industrive kreative dhe kulturës në Kosovë.
“Unë them vazhdimisht se e drejta e autorit sot është trashëgimia jonë kulturore nesër. Pra, është e tashmja dhe reflekton se si do të duket e kaluara jonë në të ardhmen”, ka thënë ai.
Kosova tenton që prej vitit 2012, nëpërmjet organizatave për menaxhimin kolektiv të të drejtave të autorit, të nisë zbatimin e Ligjit për mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta. Por, pavarësisht negociatave për marrëveshjet mbi tarifat, një gjë e tillë nuk është arritur. Pas marrjes së licencës nga organizata APIK, e cila menaxhohej nga kompozitori dhe producenti Florent Boshnjaku, organizata e re ka arritur që brenda një kohe të shkurtër t’i përcaktojë tarifat.
Në korrik të vitit 2025, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit njoftoi palët dhe publikun se “Kosova Music Rights Society” kishte publikuar draft-tarifat për shfrytëzimin e veprave të mbrojtura muzikore për vitin 2026. KMRS-ja është licencuar nga MKRS-ja në prill të vitit 2025.
"The publication of these tariffs is made in accordance with Article 102 of the Law on Copyright and Related Rights. If, within thirty (30) days from the publication of the tariffs, no representative organization or other authorized joint representative of users of copyrighted material notifies the collective management organization and the Office that it does not accept the tariffs, it will be considered that the tariffs have been approved for the calendar year," the announcement read.
KOHA në maj të këtij viti ka raportuar se krejt radiot në Kosovë do të paguajnë si tarifë vjetore për të drejtën e autorit nga 2.5 për qind deri në 4.5 për qind të të ardhurave vjetore bruto, varësisht nga kohëzgjatja e transmetimit të veprave muzikore. E për televizione vlen i njëjti rregull sa u përket të ardhurave bruto, veçse dallojnë tarifat. Varësisht nga koha e transmetimit, ato lëvizin prej 1.5 për qind deri në 4 për qind të të ardhurave bruto. E kur të ardhurat janë të ulëta dhe nuk pasqyrojnë vlerën reale ose nuk janë të disponueshme do të aplikohen tarifa në bazë të audiencës: Te radiot prej 800 deri në 6500 euro kurse për televizione prej 500 deri në 5500 euro. Këto tarifa llogariten të jenë në fuqi prej ditës së parë të vitit që vjen. Kurse kafehanet e restorantet tradicionale do të paguajnë tarifën në bazë të banorëve që ka komuna. Shkallëzimi nis me 15 euro për 10 mijë banorë. Agjencitë e shitjeve e zyrat e tjera që ofrojnë shërbime për publikun do të tarifohen në bazë të numrit të punëtorëve. Prej 1 deri në 6 punonjës paguhet nga 60 euro në vit. Sallat e sportit do të kenë tarifë 40 centë për metër katrorë, kurse hapësirat e ushqimit të shpejtë, varësisht prej karrigeve që kanë për klientë. Për 10 vende, tarifa është 50 euro në vit.