Support TIME. Preserve the truth.
Culture

Serbian List misdirects the strengthening of the Cultural Heritage Inspectorate

Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore u themelua në vitit 2018. Projektligji e fuqizon duke e bërë agjenci qendrore (Foto: Driton Paçarada)

Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore u themelua në vitit 2018. Projektligji e fuqizon duke e bërë agjenci qendrore

Photo: Driton Pacharada

Miratimit në shqyrtim të parë të Projektligjit për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, dy orë pas mesnate, i ka paraprirë debati për të, kryesisht teknik, por kur fjalën e kanë marrë deputetët e Listës Serbe, janë hapur tema që kanë nxitur edhe përplasje. Ka shkuar deri te cilësimet si Projektligj antikushtetues e cenues për Kishën Ortodokse Serbe. Deputeti Igor Simiq ka “paralajmëruar rrezikun” kur “një inspektor do të hyjë në një manastir dhe do të thotë se ‘nuk mund të ndizni qirinj’”

Nisma ligjore për ta fuqizuar Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore duke e bërë agjenci qendrore, e cila mbi të gjitha ka kompetencë ta ndalojë ndërhyrjen e paautorizuar në objektet e mbrojtura të trashëgimisë, ka marrë kahe tjetër. Ka qenë Lista Serbe e cila e çorientuar krejtësisht diskursin për të, duke e paraqitur edhe si cenim të asaj që e quan trashëgimi serbe dhe jo vetëm. 

Dy orë e nëntë minuta pas mesnatës midis të enjtes dhe të premtes, me 62 vota për, 8 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në shqyrtim të parë Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore. Miratimit i ka paraprirë debati për të, kryesisht teknik, por kur fjalën e kanë marrë deputetët e Listës Serbe, janë hapur tema që kanë nxitur edhe përplasje. 

Fillimisht, ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujenci, në fjalën e saj para se t’u kërkojë deputetëve ta votojnë, ka thënë se Projektligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore është rezultat i një procesi të rregullt dhe transparent, duke filluar nga hartimi i tij, si obligim që rrjedh nga Ligji për Inspektimet dhe deri te miratimi nga Kabineti Qeveritar. Sipas saj, njëra prej shtyllave kryesore është rregullimi i çështjeve organizative dhe procedurale të inspektimeve. 

“Pra, nuk e prek përmbajtjen dhe aspektin normativ të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, e cila mbetet e rregulluar me legjislacionin bazë dhe ligjet e veçanta në fuqi. Ne po e riorganizojmë Inspektoratin ekzistues në nivel të një agjencie ekzekutive, e cila do të jetë mekanizëm për zbatimin e legjislacionit në fuqi”, ka thënë ministrja Bogujevci.

Shteti synon që Inspektoratin për Trashëgimi Kulturore, i cili vepron në kuadër të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, ta çojë në një nivel tjetër, si për nga rangimi institucional, ashtu edhe për nga kompetencat. Në zbatim të përcaktimeve të Ligjit për trashëgiminë kulturore, të miratuar më 2006, Ministria e Kulturës e ka themeluar Inspektoratin në shkurt të vitit 2018. Inspektorati, me seli në Prishtinë, vazhdon të ketë kompetenca për inspektimin e ligjshmërisë së ndërhyrjeve në asetet e trashëgimisë kulturore. Ndalon punimet që, pa leje, ndërhyjnë në zonat e mbrojtura ose në perimetrin e monumenteve, si dhe punimet që nuk u përmbahen lejeve të lëshuara nga institucionet e trashëgimisë kulturore. 

Qeveria e Kosovës në mesin e tetorit e kishte miratuar për herë të dytë Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore. Tash ka arritur në Kuvend. 

“Ky ligj nuk krijon mbivendosje të kompetencave dhe nuk ndërhyn në veprimtaritë apo regjimet specifike dhe trupat e veçantë të krijuar me ligje të posaçme, të cilat mbeten plotësisht të paprekura. Me një reformë të tillë ligjore, ne rrisim kapacitetet inspektuese dhe konsolidojmë kushtet për inspektimin e trashëgimisë kulturore në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë ministrja Bogujevci. 

Kryetarët e grupeve parlamentare të LDK-së, PDK-së, AAK-së dhe të VV-së, i kanë dhënë mbështetje Projektligjit, por kur ka ardhur puna te Lista Serbe, situata ka ndryshuar. 

Deputeti Igor Simiq, kryetar i Grupit Parlamentar të Listës Serbe, e ka lexuar ndryshe Projektligjin. Ka shkuar deri aty sa ta cilësojë si antikushtetues e që e cenon edhe Kishën Ortodokse Serbe. 

“Ky Projektligj prek atë që Kushtetuta e përcakton si interes jetik të komuniteteve joshumicë, të përcaktuar me nenin 81. Me miratimin e tij do ta shkelni Kushtetutën, përkatësisht nenet 38 dhe 39, me të cilat garantohen liria e besimit dhe autonomia e komuniteteve fetare, si dhe nenin 81, sepse nuk do t'i keni votat e nevojshme të deputetëve të komuniteteve joshumicë që i kanë vendet e garantuara në Kuvend. Përse është problematik ky projektligj? Sepse shkel ligjet ekzistuese me të cilat rregullohet, para së gjithash, raporti me komunitetet fetare dhe, veçanërisht, statusi i Kishës Ortodokse Serbe, me përfaqësuesit e së cilës askush nuk ka zhvilluar konsultime. Po ashtu, nuk janë konsultuar as deputetët e Listës Serbe për këtë Projektligj”, ka thënë Simiq. 

Por një ligj si ky për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, nuk u takon ligjeve me interes vital, miratimi, ndryshimi ose shfuqizimi i të cilëve, sipas nenit 81 të Kushtetutës, kërkohen “votat e shumicës së deputetëve të Kuvendit të cilët janë të pranishëm dhe që votojnë, si dhe të shumicës së deputetëve të Kuvendit që janë të pranishëm dhe që votojnë, të cilët mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e Komuniteteve që nuk janë shumicë”. Ligji për trashëgiminë kulturore si dhe ai për Lirinë Fetare në Kosovë, i takojnë asaj kategorie. 

Replika e ministres Bogujevci se Inspektorati nga një “departament bëhet agjenci”, s’e ka bindur. 

“Është e padrejtë që të paraqisni të dhëna që nuk kanë të bëjnë me përmbajtjen e këtij ligji. Inspektorati është i paraparë edhe në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore. Siç funksionon tani, do të vazhdojë të funksionojë edhe më tej. Tani është departament dhe do të bëhet agjenci. Funksioni i tij mbetet i njëjtë”, ka thënë ministrja Bogujevci. 

Për t’ua “sqaruar qytetarëve” se çfarë “rreziku” paraqet Inspektorati, deputeti i Listës Serbe ka marrë një shembull krejt jashtë kontekstit. 

“Do të vijmë në një situatë kur një inspektor do të hyjë në një manastir dhe do të thotë se ‘nuk mund të ndizni qirinj, sepse kjo e dëmton trashëgiminë kulturore’, ose se ‘nuk mund të mbani liturgji, sepse numri i madh i qytetarëve mund të dëmtojë afresket shekullore’. A jeni të vetëdijshëm se çfarë po bëni?”, ka pyetur ai teksa ka imagjinuar “sjelljen e inspektorit si sherif”. 

Në të njëjtën frymë ka reaguar edhe deputetja e Listës Serbe. Ka pyetur se si do të veprojë inspektori në një manastir që gëzon të drejta të veçanta. Ka thënë se “nuk është e vërtetë që deri tash nuk ka hyrë ndonjë inspektor në manastir”. Ka përmendur rastin e Manastirit të Graçanicës. 

“Ka ndodhur në rastin e Manastirit të Graçanicës kur është ndalur ndërtimi i Konakut dhe tek pas intervenimit të bashkësisë ndërkombëtare përkatësisht Bashkimit Evropian, Kisha Ministria dhe Komuna kanë gjetur zgjidhje dhe kanë vazhduar punimet”, ka thënë ai. Por rasti i Manastirit të Graçanicës nuk ka të bëjë me “riparim kulmi për t’u mbrojtur nga shiu”. 

Në shkurt të këtij viti Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore kishte shqiptuar masën e ndalimit të punimeve për ngritjen e një konaku të murgjve te Manastiri i Graçanicës. Deri te ky vendim kishte ardhur pasi kishte konstatuar se punimet janë nisur dhe zhvilluar brenda perimetrit të monumentit pa leje të institucioneve të trashëgimisë kulturore. Investitori, në këtë rast Kisha Ortodokse Serbe bashkë me Komunën e Graçanicës që ka lëshuar leje për ndërtim, kishin shpërfillur Ligjin për trashëgimi kulturore. Pak ditë më vonë Komuna e Graçanicës do të detyrohej ta pezullonte lejen për konakun e murgjve dhe të kërkonte pëlqim. Një muaj më pas, Kishës Ortodokse Serbe nuk i ishte miratuar kërkesa e bërë nëpërmjet Komunës së Graçanicës për pëlqim arkeologjik për ndërtimin e konakut të murgjve te Manastiri i Graçanicës. Tek në prill kur ndërtimi kishte arritur deri në kulm pa kurrfarë lejeje, Manastiri i Graçanicës i kishte rregulluar letrat që të vazhdojë punimet për ndërtimin e konakut të murgjve.

Deputeti i VV-së, Arbër Rexhaj, ka thënë se nuk e ka pasur ndërmend të reagojë. Por e ka marrë fjalën kur e ka dëgjuar deputetin Simiq dhe kolegët përreth tij “teksa viktimizohen”. Është kthyer prapa në histori. 

“Igori thotë këta inspektorë mund t’i ndërpresin ritet fetare të ndezjes së qirinjve. Është një viktimizim siç dinë dhe siç kanë ditur ta bëjnë në konsistencë këta në Kosovë. Do t’ua them për shembull që në njërën prej kishave ku janë falur edhe të parët e mi – ka qenë Kisha e Kabashit – janë vrarë e masakruar 112 shqiptarë. Nuk janë vrarë me armë e revole, por me sëpatë dhe familja ka qenë afër shuarjes shkaku i asaj masakre. Është problem sistemi i Pakos së Ahtisaarit kur komplet trashëgiminë tonë ortodokse shqiptare këta e kanë marrë dhe e kanë bërë serbe e që kurrë në Kosovë nuk ka qenë serbe. Pra edhe na kanë vrarë edhe na kanë masakruar edhe del këtu dhe thotë që ‘Inspektorati e inspektori mua ma ndalin lutjen’”, ka thënë Rexhaj. Sipas tij Kishat Ortodokse “kanë shërbyer si kazamate dhe bunkerë për eliminimin e shqiptareve”. “Jeni mundu edhe Zotin ta mashtroni e lëre me botën e neve”, ka thënë ai. 

Projektligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore i hartuar qysh më 2024 përcakton se IQTK themelohet si Agjenci Ekzekutive në kuadër të Ministrisë, ushtron juridiksionin në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe organizohet në nivel qendror dhe në degë lokale. Është përgjegjës për kontrollin dhe vlerësimin e kushteve dhe gjendjes së ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe sipas nevojës, ndërmerr masat e duhura për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Detyrë primare e Inspektoratit mbetet mbikëqyrja e zbatimin e legjislacionit në fuqi për trashëgiminë kulturore. Agjencia do të ketë mandat për ndalimin e menjëhershëm të çdo lloj pune të paautorizuar në asetet e trashëgimisë kulturore, të urdhërojë ndalimin e punëve konservuese dhe restauruese në rast të identifikimit të parregullsive gjatë zbatimit të tyre, e po ashtu të ndërmarrë veprime konkrete ndaj personave në rastet e punimeve të paautorizuara me të cilat dëmtohen asetet e trashëgimisë kulturore. 

Kur u themelua në kuadër të MKRS-së më 2018, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore nisi punën me dy inspektorë, Labëri Dakaj dhe Pajtim Zogaj. Ata vazhdojnë të jenë të vetmit inspektorë që kanë nën mbikëqyrje të gjitha komunat e vendit. Me Projektligj parashihet zgjerimi, por deri atëherë e pret edhe një votim në Kuvend.