Support TIME. Preserve the truth.
Culture

"Memory Box" with crippled mannequins that speak of war

The Memory Box - Burim Mufti's exhibition

Në ekspozitën “Kutia e kujtesës”, fotografi Burim Myftiu në Galerinë e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës prezanton gjurmimin që ka për qëllim të kthejë në kujtesë luftën në Kosovë.

Kukullat e gjymtuara në imazhet e Burim Myftiut shndërrohen në personazhe që rrëfejnë nëpërmjet plagëve. Imazhet me karaktere joreale provokojnë për të kujtuar karakteret reale që pësuan këtu e gati tri dekada më parë. Zbërthejnë metafora të tjera si ajo për “një realitet dhe të vërtetën trishtuese mbi përkohshmërinë e ëndrrave të shpifura të kësaj bote”. Ky provokim preku autorin, që për dy dekada shkrepi aparatin fotografik për të ruajtur imazhet e lënduara e të bashkuara tash në “Kutinë e kujtesës”

Është ambient i personazheve që bartin plagët që ua ka gravuar “jeta”. S’kanë etni, ndjesi, ditëlindje e as s’janë qenie humane. Por kanë një karakter estetik. Kush me vrimë në sy e kush me hundë të thyer, manekinët sikur rrëfejnë tragjedi. Janë kukulla plastike që gjenden para dyqaneve të veshmbathjeve. Përplasjet i kanë shndërruar në personazhe që rrëfejnë nëpërmjet plagëve. Nganjëherë duken shumë reale, sidomos kur provokojnë si imazhe lufte. E ky provokim preku autorin, që për dy dekada shkrepi aparatin fotografik për të ruajtur imazhet e lënduara.

Në ekspozitën “Kutia e kujtesës”, fotografi Burim Myftiu bashkon dhjetëra imazhe të tilla. Në Galerinë e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, ai prezanton gjurmimin që ka për qëllim të kthejë në kujtesë luftën në Kosovë. Nëpërmjet portreteve ngjall edhe imazhe reale. Aso që, pos që janë parë drejtpërdrejt nga njerëzit, edhe kanë bërë xhiron e botës përmes mjeteve të informimit.

Nën kurimin e treshes, Shkëlzen Maliqi, Rafet Jonuzi e Elton Koritari, ekspozita e hapur të martën mbrëma sikur ndahet në dy pjesë: në njërën anë janë imazhet si portrete në mur, e në tjetrën edhe një instalacion i ndërtuar po nga imazhet, e edhe nga prania e kukullave të gjymta. Imazhet me karaktere joreale provokojnë për të kujtuar karakteret reale që pësuan këtu e gati tri dekada më parë.

“Në Gjakovë para më shumë se 20 vjetësh i pashë manekinët e thyer para dyqaneve dhe, në njëfarë mënyre, ma kujtuan luftën kur kam parë fshatra të shkatërruara. Thashë me vete se a mund të ndikohet edhe ndokush nga këta manekinë. Unë fillova të fotografoj e mandej u bë një cikël”, ka rrëfyer Myftiu.

Më pas, kuratori Rafet Jonuzi i kishte propozuar që të hapte një ekspozitë në Bregenz të Austrisë. Dhe ashtu u bë. U hap pak a shumë me instalacionin ku fotografitë ndërtojnë një lloj piramide dhe me manekinin e dërguar atje si trup. Sipas Myftiut, atje ngjau edhe një ndodhi që përthekon idenë e tij.

“Në Bregenz të Austrisë më pas më treguan se një grua ishte alivanosur dhe pas një dite ishte kthyer dhe kishte treguar se ka përjetuar Luftën e Dytë Botërore si fëmijë dhe, kur ka parë një manekin me sy të verbër, i është kujtuar lufta. Kishte treguar se kishte frikë ta kthente memorien në kohën e luftës dhe tash kishte blerë punimin pasi kishte thënë se s’ka më frikë ta kthejë memorien”, ka rrëfyer Myftiu.

Nëpërmjet portreteve ngjall edhe imazhe reale. Aso që, pos që janë parë drejtpërdrejt nga njerëzit, edhe kanë bërë xhiron e botës përmes mjeteve të informimit

Bashkëkuratori Shkëlzen Maliqi tekstin e tij për ekspozitën e ka titulluar “Ëndërr e rremë manekinësh”. Maliqi, në tekstin e lexuar para të pranishmëve, thotë se në dramën “As You Like It”, Shakespeare e ka një sentencë të famshme: “E gjithë bota është skenë (teatri), dhe të gjithë burrat e gratë thjesht janë aktorë”.

“Te kjo ekspozitë e Burim Myftiut metafora e Shakespeareit sikur lëviz më tutje, bëhet metaforë e metaforës që na thotë: ‘E gjithë bota është skenë e mbushur me manekinë që aktrojnë gra e burra që ëndërrojnë jetën e premtuar më të bukur’”, ka thënë ai. Sipas tij, Myftiu, si mjeshtër i portreteve, ndër më të mirët, e ka hetuar se edhe këta manekinë me bukuri hollywoodiane kanë fate dhe disfata “jetësore”.

“Edhe pse kanë rol prej statisti, figuranti që s’lëviz, entropia e përgjithshme i prek edhe ato në ‘karakter’ dhe në dukje, madje ua dëmton edhe rolin që e kanë, të simulojnë veshjen, pamjen dhe grimin e një jete të zbukuruar, që përmbledhtazi mund të quhet ëndërr holivudiane”, ka thënë ai.
Sipas Maliqit, fotografitë e Myftiut zbardhin një realitet dhe të vërtetën trishtuese mbi përkohshmërinë e ëndrrave të shpifura të kësaj bote, të asaj që edhe në traditën vendore të puqjeve me kulturën dhe mendësinë orientale është quajtur “jallan dynja”, si një ndjesi universale që e kanë edhe kulturat tjera.
“Neve, si gjallesa dinjitoze, na shtrohet detyrimi ta gjejmë udhën e evitimit të mashtrimit, të mos u nënshtrohemi tregtarëve dhe politikanëve që njerëzit i trajtojnë si kukulla me role të paracaktuara në teatrin e botës”, ka thënë Maliqi.

Sipas tij, arti ndoshta nuk është mjet i vetëm dhe i mjaftueshëm që shpëton njerëzit nga mashtrimi, por të paktën tregon dhe e demaskon atë.

Arti, në shkrepjet e Myftiut, bashkon manekinët që bartin plagë e s’rrëfehen dot.

Skulptori Skënder Boshtrakaj ka thënë se autori e ka zgjedhur modelin, kukullën e cila nuk ka etni, prejardhje, nuk i takon një kulture të caktuar e s’ka as përvojë.

“Kukullën, lëndimi, gjurma e goditjes e shenjat e dhunës e përafrojnë me përvojat njerëzore. Praktikisht këtu e zë një paradoks: sa shumë identifikohemi jo me kukullën që i ngjan njeriut, por me lëndimin e gjurmën e dhunës së secilës kukull. Praktikisht mbërrihet efekti i dhimbshëm që të ka kthyer në kujtesë”, ka thënë ai.

Sipas Boshtrakajt, kthimi prapa i bën mirë njeriut dhe ia jep mundësinë që t’i gëzohet të tashmes dhe t’i rishikojë traumat e së kaluarës.

“Është një projekt që Burimit ia kujton ‘Listën e Schindlerit’. Vetë ka dëshirë ta shohë si një listë të personave që në botën e durimit kanë mbijetuar, edhe pse të lënduar e me gjurmë të dhunës. Është një ekspozitë shumë e veçantë dhe një punë që, posaçërisht shoqërive që e kanë kaluar një përvojë dhune, ajo u vjen si e gjallë. Është diçka që me të parën hyn në atmosferë. Nuk është kujtesë, por të hyn në kujtesë”, ka thënë Boshtrakaj.

Ekspozita ngacmon kujtesën njerëzore me personazhe prej plastike. Është provokim real i karaktereve që s’ndiejnë gjë.