Support TIME. Preserve the truth.
Culture

Four cinemas in "KinoRrjeta" to keep film culture alive

KinoRrjeta

Bashkëpunimi i deritanishëm i katër organizatave kulturore që menaxhojnë me kinema publike në Prishtinë, Prizren e Pejë është zyrtarizuar me rrjetin që mungonte

Me synimin që shfaqjet filmike të mos mbeten të izoluara brenda qyteteve përkatëse, katër kinema kanë bashkuar kapacitetet. I pagëzuar si “KinoRrjeta”, Rrjeti i Kinemave Publike të Kosovës është themeluar nga “Kino Armata” në Prishtinë, “Kino Lumbardhi” e “DokuKino” në Prizren, si dhe kinemaja “Jusuf Gërvalla” në Pejë

Kinematë publike në Kosovë po përpiqen të gjejnë mënyra të reja për ta mbajtur gjallë kulturën e shfaqjes së filmit në ekranin e madh, në kohën kur përballen me mungesë të hapësirave funksionale, kushte të kufizuara infrastrukturore, vështirësi në tërheqjen e publikut por edhe primatin që e kanë marrë kinematë private.

Bashkëpunimi i deritanishëm i katër organizatave kulturore që menaxhojnë me kinema publike në Prishtinë, Prizren e Pejë është zyrtarizuar me rrjetin që mungonte.  

Katër kinema kanë bashkuar kapacitetet në këtë rrjet të përbashkët, me synimin që shfaqjet filmike të mos mbeten të izoluara brenda qyteteve përkatëse. I pagëzuar si “KinoRrjeta”, Rrjeti i Kinemave Publike të Kosovës është themeluar nga “Kino Armata” në Prishtinë, “Kino Lumbardhi” e “DokuKino” në Prizren, si dhe kinemaja “Jusuf Gërvalla” në Pejë. Nisma, siç bëhet me dije, synon të krijojë programe të përbashkëta filmi, të lehtësojë qasjen në filma, të shkëmbejë përvoja e burime ndërmjet organizatave dhe të avokojë për përmirësimin e kushteve të funksionimit të kinemave publike. Këto janë katër kinematë publike që i kanë mbetur Kosovës. “Kino ABC”, ka kohë që nuk shfaq filma. Prej fillimit të vitit të kaluar, Qendra Kinematografike e Kosovës e ka marrë me qira kur kishte njoftuar se është në proces të marrjes së pronësisë së saj e marrëveshjen për qiranë e kishte lidhur “në përputhje me vendimin e Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit”.

Në komunikatën për media nga “KinoRrjeta” theksohet se ndonëse të katër kinematë “kanë kaluar nëpër periudha dhe faza të ndryshme të zhvillimit, të ndërtuara gjatë ish-Jugosllavisë, dhe më pas të rijetësuara dhe të menaxhuara nga organizata kulturore, të përbashkët kanë vizionin për ndërtimin e hapësirave të përbashkëta, shfaqjeve filmike të qasshme, si dhe nxitjen e dialogut përmes programeve tematike”. 

Rrjeti ka nisur veprimtarinë në kohën kur vetë ekzistenca e funksionalizimi i hapësirave është sfidues. Rasti i kinemasë “Lumbardhi” në Prizren, i mbyllur për shkak të renovimit e ilustron këtë gjendje. Është dashur që “DokuKino” të shërbejë si hapësirë e përbashkët e fondacionit “Lumbardhi” dhe e programit të festivalit “DokuFest” që menaxhon me këtë të parën. 

Ares Shporta, drejtor i fondacionit “Lumbardhi”, i cili menaxhon kinemanë me të njëjtin emër, ka thënë se misioni i institucionit që drejton përkon me atë të rrjetit të sapothemeluar. 

“Kinemaja është e mbyllur, por organizata vazhdon të zhvillojë program të filmit. Pra, jemi duke bërë program filmi rregullisht në ‘DokuKino’ prej vitit të kaluar, kështu që kemi hapësirë alternative. Ne si organizatë që punojmë në rrjetëzim, ndërtim e politika të tilla, prandaj për formimin e një rrjeti të tillë ka pasur kuptim që organizata të jetë aktive. Prandaj jemi bashkënismëtarë me organizatat e tjera partnere”, ka thënë Shporta për KOHËN. 

Ai ka treguar se rihapja e kinemasë “Lumbardhi” do të krijojë mundësi për zgjerimin e programit, por se njëri prej synimeve kryesore të rrjetit është edhe ndërtimi i shprehive të reja të publikut.

“Kur hapet ‘Lumbardhi’, do të ketë mundësi të diversifikohet dhe të shpeshtohet programi. Edhe ashtu, e gjithë nisma është që të shtohet audienca, të krijohet shprehia e vajtjes në kinema dhe të ngrihet kapaciteti i përbashkët i organizatave në raport me menaxhimin dhe programimin e kinemave”, ka thënë ai.

Sfidë e kahershme e kinemave publike është krijimi i një publiku të qëndrueshëm për filma që nuk janë pjesë e ofertës së zakonshme komerciale. Veton Nurkollari, drejtor artistik i “DokuFest”, që menaxhon me “DokuKinon” në Prizren, ka thënë se ideja e bashkimit të kinemave ka ekzistuar prej kohësh, por se tashmë është konkretizuar përmes një strukture të përbashkët.

“Ideja për krijimin e këtij rrjeti ka ekzistuar për një kohë të gjatë, ndërsa tani është konkretizuar. Kinemaja ‘Lumbardhi’, ‘DokuKino’, kinemaja ‘Jusuf Gërvalla’ dhe ‘Kinema Armata’ janë bashkuar për të krijuar një rrjet që do ta lehtësojë shpërndarjen dhe qasjen në filma, si dhe zhvillimin e programeve, përfshirë edhe ato edukative”, ka thënë Nurkollari.

Ai ka vlerësuar se bashkëpunimi do t’u mundësojë organizatave qasje më të lehtë në filma dhe programe, duke theksuar se në vend mungonte një rrjet i tillë, ndryshe nga vendet e rajonit.

“Tash, ideja është që bashkëpunimi të na bëjë më të fortë dhe të na mundësojë qasje më të lehtë në filma dhe programe. Kinematë publike në vend janë të paktat në rajon që nuk kanë pasur një bashkëpunim të tillë ndër vite, prandaj ishte e logjikshme të krijohej”, ka thënë ai.

Një prej qëllimeve është që programet të mos kufizohen vetëm në filmat artistikë ndërkombëtarë, por të përfshijnë edhe kinematografinë vendore. Nurkollari ka treguar se janë në plan bashkëpunime me Qendrën Kinematografike të Kosovës dhe Qendrën Kombëtare të Kinematografisë së Shqipërisë, për të sjellë para publikut filma nga arkivat e këtyre institucioneve.

“Duhet të theksoj se kemi plane dhe ide për bashkëpunim edhe me Qendrën Kinematografike të Kosovës dhe Qendrën Kombëtare të Kinematografisë së Shqipërisë, për të shfaqur filma vendorë, filma në gjuhën shqipe dhe filma nga arkivat që posedojnë këto institucione, veçanërisht në Kosovë dhe Shqipëri. Është një moment i rëndësishëm që publiku të ketë rastin t’i shohë filmat vendorë, të cilët ndoshta shumica nuk ka pasur mundësi t’i shohë në kuadër të këtyre kinemave dhe në kuadër të këtij rrjeti”, ka thënë ai.

Se interesi i publikut mund të ndryshojë varësisht nga përmbajtja e programit, e dëshmon edhe përvoja e kinemasë “Jusuf Gërvalla” në Pejë. Vullnet Sanaja, drejtor i festivalit “Anibar”, që menaxhon këtë kinema, ka thënë se bashkëpunimi ndërmjet hapësirave publike do të mundësojë shpërndarjen e resurseve dhe organizimin e shfaqjeve të njëjta në disa qytete, duke krijuar audiencë më të gjerë.
“Qëllimi i këtij rrjeti ka qenë rritja e bashkëpunimit ndërmjet kinemave. Kjo nënkupton, në disa raste, ndarjen e resurseve, ndërsa në të tjera programimin më të lehtë, në mënyrë që ato të shfaqen në të njëjtën kohë në të gjitha kinematë. Një aspekt tjetër i rëndësishëm është ndikimi në zhvillimin e audiencës. Pra, synojmë të ndërtojmë një audiencë të përbashkët dhe të organizojmë shfaqje filmash që mund t’i prezantojmë e t’i zhvillojmë së bashku. Këto janë disa nga qëllimet kryesore që na kanë bashkuar”, ka thënë Sanaja.

Ai ka theksuar se përvoja në Pejë tregon se filmat vendorë kanë arritur të tërheqin më shumë publik sesa disa prej filmave të huaj të programuar në këtë kinema.

“Sa i përket gjendjes në kinematë publike, mund të flas konkretisht për Pejën. Gjatë muajve të kaluar kemi shfaqur disa filma vendorë, si dhe kemi organizuar një seri shfaqjesh me filma të anëtarëve të rrjetit. Ajo që kemi vërejtur është se ka interesim mjaft të madh për filmat vendorë. Për shembull, filmat ‘Dua’, ‘Hana’ dhe ‘Shame and Money’ kanë pasur interesim të konsiderueshëm nga publiku. Ndërkaq, te filmat francezë, interesimi ka qenë më i ulët”, ka thënë ai.

Në komunikatë shpjegohet se programi i rrjetit do të përqendrohet në promovimin e kinematografisë vendore dhe ndërkombëtare, përmes filmave artistikë, eksperimentalë, të shkurtër e dokumentarë. Retrospektivat, ciklet tematike, festivalet e filmit dhe programet e veçanta do të jenë pjesë e ofertës së përbashkët, me synimin që në ekranet publike të rikthehen vepra të rëndësishme të historisë së kinemasë dhe filma bashkëkohorë që trajtojnë çështje shoqërore, politike e kulturore.

Veprimtaria e “KinoRrjetës” do të nisë me një shfaqje të përbashkët të filmit “The Fifth Seal”, me regji të Zoltan Fábrit, më 22 nëntor, në “Kino Armata”, “Doku Kino” dhe në kinemanë “Jusuf Gërvalla”. Sipas komunikatës, kjo shfaqje përkon me edicionin e 11-të të “European Arthouse Cinema Day”, ngjarje që këtë vit bën bashkë 660 kinema në 45 shtete, përmes shfaqjeve speciale, bisedave dhe aktiviteteve të ndryshme që i kushtohen kinemasë evropiane. 

Gjithashtu është bërë e ditur se programi inaugurues do të vazhdojë më 24 nëntor në “Kino Armata” në Prishtinë me një performancë të Ansamblit Eksperimental të Lumbardhit. Nën drejtimin e Ilir Bajrit, grupi i instrumentistëve do të interpretojë muzikë të ripërpunuar për dokumentarët “Prizreni, qyteti i burimeve dhe bukurisë”, me regji të Zvonimir Saksidës, “117”, me regji të Besim Sahatçiut, dhe “Nëpër Kosovën tonë”, me regji të Drago Chloupekut.

Sipas komunikatës, inicimi i rrjetit “KinoRrjeta” është mbështetur nga Fondacioni “Heinrich Böll” dhe Ministria e Kulturës dhe Turizmit. 

Krijimi i rrjetit të kinemave publike përveçqë është përmendur kaherë, definohet edhe në Ligjin për kinematografi të vitit 2023 i cili e shfuqizoi atë të vitit 2007. Sipas këtij ligji në kuadër të Qendrës Kinematografike të Kosovës “themelohet njësia e veçantë për menaxhimin e rrjetit të kinemave publike, me qëllim të ruajtjes së kinemave, zhvillimit dhe menaxhimit të kinemave”.