Pawel Pawlikowski me filmin “Fatherland” dhe Javier Calvo e Javier Ambrossi me filmin “La Bola Negra” kryesojnë listën e nominimeve për “European Film Awards”, të njohura në botën e filmit si çmimet “Oscar” të Evropës. Nominimet u shpallën të shtunën, në kuadër të Festivalit të Filmit në Selanik. Dy filmat nga Kosova – “Dua”, nën regji të Blerta Bashollit, dhe “Shame and Money”, nën regji të Visar Morinës, të përzgjedhur muajin e kaluar në listën e ngushtë – kanë mbetur jashtë nominimeve.
“Fatherland”, një dramë bardhezi që trajton marrëdhënien mes shkrimtarit Thomas Mann dhe vajzës së tij, Erikës, mori numrin më të madh të nominimeve, gjithsej 11. Mes tyre janë nominimet për filmin më të mirë evropian, regjisorin, skenaristin dhe montazhin për Pawlikowskin, ndërsa Henk Handloegten dhe Piotr Wojcik janë gjithashtu të nominuar në dy kategoritë e fundit.
Filmi, i prodhuar nga “Mubi”, u shfaq premierë në garën zyrtare të Festivalit të Filmit në Kanë në maj, ku Pawlikowski mori çmimin për regjinë më të mirë, së bashku me Calvon dhe Ambrossin. Filmi i këtyre të fundit, “La Bola Negra”, mori 10 nominime për EFA-n, përfshirë ato për filmin më të mirë evropian, regjinë dhe skenarin (së bashku me Alberto Conejeron). Filmi është një rrëfim epik mbi dashurinë queer në Spanjën e shekullit XX, i zhvilluar në tri periudha të ndryshme kohore dhe i frymëzuar nga vepra e fundit, e mbetur e papërfunduar, e dramaturgut Federico García Lorca.
Filmi “Fjord”, me regji të Cristian Mungiu, fituesit të “Palmës së Artë”, mori pesë nominime, përfshirë ato për filmin më të mirë evropian, regjisorin dhe skenarin. Lista e nominimeve është publikuar në uebfaqen zyrtare të EFA-s dhe në “Screen Daily”.
Në kategoritë e aktrimit, Sandra Hüller u nominua dy herë në kategorinë e aktores më të mirë evropiane, për rolet e saj në filmat “Fatherland” dhe “Rose”. Dy aktorët e filmit “Fjord”, Renate Reinsve dhe Sebastian Stan, u nominuan për aktoren dhe aktorin më të mirë evropian. Ndërkohë, çifti i njohur edhe në jetën reale, Penélope Cruz dhe Javier Bardem, u nominuan për rolet e tyre në filmat “Bunker” dhe “The Beloved”.
Në kategorinë e filmit më të mirë të animuar evropian janë nominuar “Lucy Lost”, i Olivier Clert, dhe “Viva Carmen”, i Sébastien Laudenbach. Ndërkaq, filmi “NAZA”, i Yuval Abraham dhe Rachel Szor, i prezantuar në Venecia, është ndër të nominuarit në kategorinë e dokumentarit më të mirë evropian.
Të pesë filmat e nominuar në kategoritë e animacionit dhe dokumentarit janë nominuar gjithashtu për filmin më të mirë evropian. Kjo ka bërë që disa prej filmave artistikë që konsideroheshin favoritë – si “Minotaur”, “Elsinore”, “Everytime” dhe “Gentle Monster” – të mos përfshiheshin në listën përfundimtare prej 15 filmash të nominuar në këtë kategori, megjithëse të gjithë morën nominime në kategori të tjera.
Aktorja palestineze Hiam Abbass, e cila jeton në Francë, është shpallur më herët fituese e çmimit të nderit për Arritje në Kinemanë Botërore Evropiane (European Achievement in World Cinema). Ndërkohë, ndër nominimet e shpallura më parë për Çmimin Evropian të Publikut të Ri (European Young Audience Award) përfshihet edhe filmi i animuar “Iron Boy”, me regji të Louis Clichy.
Nominimet janë përcaktuar me votat e 5 700 anëtarëve të Akademisë Evropiane të Filmit. Fituesit do të shpallen gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve, e cila do të mbahet më 16 janar në Athinë të Greqisë.
Në edicionin e vitit 2025, filmi “Sentimental Value”, i Joachim Trier, kryesoi listën e fituesve, duke rrëmbyer gjashtë çmime, përfshirë atë për filmin më të mirë. Pas tij u rendit “Sirat”, i Oliver Laxe, i cili fitoi pesë çmime.