Në skenën e “Hanit të Dy Robertëve”, ney ka sjellë frymën e Anadollit dhe të muzikës sufiste, pianoja ka hapur hapësirën e harmonive dhe improvizimit, ndërsa trumbeta e bateria kanë zgjeruar ritmin drejt jazzit dhe funkut. “Ethno Fusion – Fusion Bridges” ka sjellë ndërthurje të traditave muzikore të Lindjes dhe Perëndimit. Instrumenti tradicional, ney, ka qenë një lloj udhërrëfyesi në një rrugëtim tingujsh që u ka dhënë hapësirë meditimit, improvizimit dhe ritmit
Tingujt e instrumentit ney, me ngjyrime orientale dhe frymë medituese, kanë hapur udhëtimin muzikor që ka kaluar nga tradita sufiste te improvizimet e jazzit, për të përfunduar në ritme funk. Në skenën e “Hanit të Dy Robertëve”, projekti “Ethno Fusion – Fusion Bridges” ka sjellë ndërthurje të traditave muzikore të Lindjes dhe Perëndimit, ku tingulli i instrumentit frymor ney ka krijuar fillimisht një atmosferë shpirtërore, ndërsa pianoja, trumbeta dhe bateria e kanë zgjeruar gradualisht peizazhin tingullor.
Koncerti i së shtunës mbrëma ka bashkuar muzikantin turk, Burak Malçok, interpretues të neyt, me pianistin Ertan Iliyaz. Në këtë dialog muzikor kanë marrë pjesë edhe bateristi Timur Urcan dhe trumbetisti Avni Krasniqi. Të katër instrumentistët kanë ndërtuar rrjedhën muzikore që është mbështetur në koncertin që ka rrjedhur lirshëm duke u dhënë hapësirë meditimit, improvizimit dhe ritmit. Ritmet e para të tyre si ansambël i kanë thurur në skenë, para publikut.
Ney i Malçok ka qenë filli që ka lidhur pjesët e para të koncertit. Tingujt e tij të gjatë kanë sjellë frymën e muzikës tradicionale turke dhe asaj sufiste, duke krijuar një atmosferë që më shumë sesa kërkonte vëmendjen e publikut, e ftonte atë në përqendrim.
Në këtë hapësirë tingullore, pianoja e Iliyazit ka ndërhyrë me harmoni që e kanë zgjeruar melodinë, pa ia zbehur karakterin meditues. Më pas, trumbeta e Krasniqit dhe bateria e Urcanit e kanë zhvendosur muzikën drejt një gjuhe më ritmike që sikur e ka zgjuar publikun nga ajo gjendje medituese.
Për Malçok, tingëllimi sufist i muzikës ka qenë i lidhur drejtpërdrejt me ney-in, një instrument frymon i ngjashëm me kavallin e që vulos frymën e muzikës së Lindjes së Mesme. Ai ka treguar se kompozimet e tij kanë qenë në qendër të programit, krahas interpretimeve të këngëve popullore turke dhe ballkanike.
“Të gjitha këngët i kam kompozuar unë. Kemi interpretuar edhe këngë popullore turke dhe ballkanike, ndërsa tingujt elektronikë dhe meloditë vijnë nga ideja ime”, ka thënë ai.
Sipas Malçok, lidhja e ney me traditën sufiste nuk është vetëm çështje tingulli, por edhe e frymës që e prodhon atë.
“Tingëllojnë si muzikë sufiste për shkak të neyt, sepse ney është instrumenti themelor i sufizmit. Ndoshta e njihni Rumin dhe ‘Masnavinë’, e cila nis me ney-in dhe poezitë kushtuar atij. Për ne, ai është instrument themelor. Kur luan përmes frymës, kjo ka diçka mbresëlënëse, sepse fryma lidhet edhe me vetë jetën”, ka treguar Malçok.
Referenca e tij ndaj poetit dhe mendimtarit persian, Rumi, si dhe veprës së tij “Masnavi”, e ka plotësuar kuptimin e tingujve që kanë shoqëruar pjesën e parë të koncertit. Ney në këtë traditë është simbol i frymës, i mungesës dhe i kërkimit shpirtëror. Ky ngjyrim ka qenë i pranishëm në interpretimet e Malçok.
Kompozimet e Malçokut dhe qasja pianistike e Iliyaz kanë hapur rrugë për përzierje më të gjerë, në të cilën tingujt elektronikë, harmonitë e jazzit dhe ritmet ballkanike kanë bashkëjetuar me motivet turke. Muzika ka kaluar nga atmosfera e përmbajtur në komunikim më të gjallë ritmik, ku trumbeta dhe bateritë kanë marrë rol më të theksuar.
Për trumbetistin Avni Krasniqi, pjesëmarrja në këtë projekt ka qenë mundësi për të përjetuar nga afër një bashkëpunim që ndërton ura ndërmjet muzikantëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë.
“Mendoj se është një projekt shumë i dashur. Kam qenë pjesë e tij si i ftuar special dhe kam pasur kënaqësinë të luaj me një muzikant të mrekullueshëm. Qëllimi i këtij projekti, të cilin e organizon kolegu ynë Ertani, është shumë i mirë, pasi shërben si urë lidhëse ndërmjet instrumentistëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë. Sonte patëm një artist të jashtëzakonshëm nga Turqia”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka vlerësuar veçanërisht karakterin e neyt dhe mënyrën se si ky instrument është ndërthurur me trumbetën, dy instrumente frymore që, megjithëse vijnë nga tradita të ndryshme, kanë gjetur hapësirë të përbashkët në këtë formacion.
“Ney ka një tingull shumë karakteristik. Është instrument i veçantë dhe interpretimi i Burakut është i mrekullueshëm. Edhe trumbeta ka karakteristikat e veta, me një traditë që lidhet më shumë me muzikën perëndimore. Pikërisht kjo përzierje e kulturave të ndryshme e ka bërë këtë mbrëmje muzikore të veçantë”, ka treguar ai.
Krasniqi ka thënë se koncerti ka qenë edhe një sfidë për të, pasi muzikantët nuk kanë pasur kohë për prova. Megjithatë, sipas tij, ndërveprimi në skenë dhe njohja e gjuhës së përbashkët muzikore kanë bërë që bashkëpunimi të funksionojë.
“Për mua ka qenë paksa sfiduese, pasi nuk kemi pasur kohë për prova, por mendoj se koncerti ka qenë në nivel dhe ka shënuar një arritje të veçantë të këtij bashkëpunimi”, ka thënë ai.
E Malçok ka veçuar edhe ndjesinë e afërsisë me publikun në Prishtinë.
“Edhe me publikun, edhe nga bisedat me miqtë e tjerë, nuk jam ndier sikur ndodhesha diku larg, në një hapësirë ndërkombëtare. Jam ndier si në shtëpi, sikur të isha në baret, kafenetë apo galeritë e Stambollit. Ndiej një afërsi të madhe shpirtërore me njerëzit këtu. Jam vërtet i lumtur që ndodhem këtu dhe që jam pjesë e këtij komuniteti”, ka thënë ai.
Në skenën e “Hanit të Dy Robertëve”, ney ka sjellë frymën e Anadollit dhe të muzikës sufiste, pianoja ka hapur hapësirën e harmonive dhe improvizimit, ndërsa trumbeta e bateria kanë zgjeruar ritmin drejt jazzit dhe funkut.
“Ethno Fusion – Fusion Bridges” me Ertan Iliyazin si organizator dhe muzikant, ka vazhduar idenë e muzikës si pikëtakim kulturash.