Support TIME. Preserve the truth.
Culture

Daut Dauti – worthy witness to the efforts of the people of Kosovo for freedom, independence and statehood

Dr. Daut Dauti

Dr. Daut Dauti ishte historian, jurist, gazetar e publicist, por mbi të gjitha, ishte një njeri i përkushtuar ndaj Kosovës dhe çështjes shqiptare.

Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të mikut, intelektualit dhe veprimtarit të shquar, dr. Daut Dauti.

Dauti i përkiste atij brezi të intelektualëve shqiptarë që dijen nuk e konsideronin privilegj vetjak, por përgjegjësi ndaj atdheut. Ai ishte historian, jurist, gazetar e publicist, por, mbi të gjitha, ishte një njeri i përkushtuar ndaj Kosovës dhe çështjes shqiptare.

Në Londër, Dauti ishte njëri ndër organizatorët e referendumit për pavarësinë e Kosovës, të mbajtur në shtëpinë e Agron Loxhës. Ishte gjithashtu njëri prej themeluesve të klubit shqiptar “Faik Konica”, i cili për vite me radhë shërbeu si vatër e rëndësishme e veprimtarisë kulturore, intelektuale dhe kombëtare të shqiptarëve në Britaninë e Madhe.

Gjatë viteve të rënda të Luftës së Kosovës, më 1998–1999, ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në Londër. Me fjalën, shkrimin, lidhjet dhe angazhimin e tij të palodhur, Dauti punoi për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe për paraqitjen e së vërtetës shqiptare përpara opinionit britanik. Në një kohë kur Kosovës i duhej zëri i çdo shqiptari, ai ishte ndër zërat më të ndërgjegjshëm, më të argumentuar dhe më të përkushtuar.

Daut Dauti i kreu studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet pasuniversitare i vazhdoi në Londër. Në Universitetin e Leedsit përfundoi doktoratën me temën “Politika e jashtme britanike dhe çështja shqiptare 1876–1914”, duke sjellë një kontribut të çmuar në studimin e marrëdhënieve shqiptaro-britanike dhe të historisë diplomatike të çështjes shqiptare.
Punimi i tij i doktoratës u botua në gjuhën shqipe në Shkup, ndërsa në gjuhën angleze nga shtëpia botuese “Bloomsbury” në Londër. Me hulumtimet e tij në arkivat britanikë, Dauti nxori në dritë dokumente dhe dëshmi të rëndësishme, duke e pasuruar historiografinë shqiptare me burime, argumente dhe këndvështrime të reja.

Ai ishte autor i disa librave dhe i një numri të madh studimesh, artikujsh e analizash. Njëri prej librave të tij u promovua në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Londër nga historiani i shquar britanik, Sir Noel Malcolm.

Dauti e nisi herët rrugën e gazetarisë. Shkroi për “Botën e Re”, revistën “Zëri”, “Zërin javor” dhe për gazeta të tjera në Kosovë e Shqipëri. Prej vitit 1994 deri më 1999 ishte korrespondent nga Londra, duke raportuar në një nga periudhat më vendimtare të historisë sonë të re. Më vonë punoi edhe pranë Institute for War and Peace Reporting dhe kontribuoi në themelimin e zyrës së këtij institucioni në Prishtinë.

Pas luftës, shërbeu si sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Gazetarëve të Kosovës. Në vitin 2005 ishte këshilltar për media dhe zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, të drejtuar nga kryeministri Bajram Kosumi. Kudo që punoi, ai solli seriozitetin e studiuesit, përgjegjësinë e gazetarit dhe urtësinë e njeriut që e njihte mirë peshën e fjalës publike.

Në jetën e tij intelektuale dhe profesionale Dauti krijoi miqësi të shumta. Ndër to ishte edhe miqësia me gazetarin dhe njohësin e shquar të Ballkanit, Tim Judah. Ai dinte të ndërtonte ura ndërmjet njerëzve dhe kulturave, duke e paraqitur çështjen shqiptare me dinjitet, dije dhe argumente të qëndrueshme.
Daut Dauti nuk ishte njeri i zhurmës. Ishte njeri i punës së qetë, i dokumentit, i fjalës së peshuar dhe i përkushtimit të pandërprerë. Në biseda ishte i dashur dhe i çiltër; në shkrime, i mprehtë dhe i argumentuar; në miqësi, besnik dhe bujar. Ai e ndante dijen pa kursim dhe gëzohej kur mund t’u vinte në ndihmë të tjerëve.

Dr. Daut Dauti u nda nga jeta në Londër, në mëngjesin e 1 shtatorit 2026, pas një sëmundjeje të rëndë. Me largimin e tij, familja humbi njeriun e saj të dashur, miqtë humbën një shok besnik, ndërsa kultura, gazetaria dhe historiografia shqiptare humbën një nga punëtorët e tyre të palodhur.
Por njerëzit si Dauti nuk largohen tërësisht. Ata vazhdojnë të jetojnë në librat që kanë shkruar, në dokumentet që kanë zbuluar, në mendimet që kanë nxitur dhe në kujtesën e njerëzve që patën fatin t’i njohin. Ai do të mbetet pjesë e historisë së veprimtarisë shqiptare në Britaninë e Madhe dhe një dëshmitar i denjë i përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe shtetësi.

Familjes Dauti, të afërmve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta.

Lamtumirë, miku im Daut. U prehsh në paqe!

I përjetshëm qoftë kujtimi dhe e paharruar vepra jote!