Support TIME. Preserve the truth.
CHRONICLE

Woman dies after her condition worsened during police interview on suspicion of narcotics

police

Photo: Driton Pacharada

Një grua ka vdekur pasi gjendja i ishte keqësuar kur pritej të niste intevistimi i saj, pasi në Vërmicë ishte ndaluar bashkë me një burrë, dhe në veturën me të cilin udhëtonin janë gjetur mbi 100 gram kokainë. 

Policia dhe Prokuroria në një njoftim të përbashkët kanë thënë se ajo ishte transportuar në Spitalin e Prizrenit, nga ku janë njoftuar se ka vdekur. 

Sipas njoftimit ndalimi në Vërmicë është bërë të dielën në orën 18:00, ndërkohë që nga Spitali janë njoftuar për vdekjen e saj në orën 1:30.

Hetimet për këtë rast janë duke u bërë për tri vepra penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoke”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Hetim i vdekjes”. 

“Gjatë kontrollit të veturës janë gjetur dhe konfiskuar 105.7 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, dy fishekë të kalibrit 9x19 mm, dhe dy telefona celularë. Personat e dyshuar janë të njohur për Policinë, ku me urdhër të prokurorit kompetent është bastisur shtëpia e të dyshuarit mashkull kosovar, me ç‘rast është gjetur dhe është konfiskuar një detektor për identifikimin e GPS dhe kamerave”, thuhet në njoftim. 

Tutje thuhet se sipas procedurës palëve u është caktuar avokati mbrojtës, ku pas intervistimit me vendim të prokurorit të dyshuarit mashkull kosovar i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa e dyshuara femër kosovare përderisa ka qenë duke filluar intervistimi me prezencë të avokatit mbrojtës, i është përkeqësuar gjendja shëndetësore, ku edhe është kërkuar ndihma emergjente nga Spitali i Përgjithshëm Rajonal në Prizren.

“Pas ofrimit të ndihmës së parë mjekësore në vend, nga emergjenca ajo është transportuar në Spitalin e Përgjithshëm për trajtim të mëtejshëm mjekësor, ku nga mjekët kompetentë, rreth orës 01:30, Policia është informuar se personi në fjalë ka ndërruar jetë. Lidhur me rastin janë njoftuar njësitet përgjegjëse hetimore të Stacionit Policor në Prizren, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve, IPK-ja si dhe prokurori kujdestar”, thuhet në njoftim. 

Tutje thuhet se të gjitha njësitë kompetente policore, përfshirë Hetuesinë dhe Forenzikën kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet fillestare hetimore për sqarimin e rrethanave të rastit.

“Pas përfundimit të procedurave fillestare hetimore dhe sigurimit të dokumentacionit përkatës mjekësor, me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, thuhet në njoftim.