Support TIME. Preserve the truth.
CHRONICLE

Three arrested after raids on five locations in Kosovo

police

Tre persona janë arrestuar në Kosovë në kuadër të një operacioni ndërkombëtar kundër një grupi të dyshuar kriminal, i cili dyshohet se ka mashtruar qytetarë përmes qendrave të thirrjeve dhe platformave të rreme të investimeve.

Operacioni është zhvilluar me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike të Policisë së Kosovës, në pesë lokacione në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Ferizaj.

Si rezultat i aksionit, janë arrestuar tre persona me inicialet M.P., I.H. dhe F.Z., të dyshuar për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, mashtrim, hyrje të paautorizuar kompjuterike dhe mashtrim kompjuterik.

Sipas dyshimeve të hetuesve, të dyshuarit paraqiteshin si agjentë apo ndërmjetës financiarë dhe mashtronin qytetarë, kryesisht gjermanishtfolës, duke i bindur të transferonin para për investime të pretenduara në instrumente financiare dhe kriptovaluta.

Fitimet që shfaqeshin në platformat përkatëse dyshohet se ishin fiktive, ndërsa paratë e transferuara nuk investoheshin sipas premtimeve të bëra.

Operacioni në Kosovë është pjesë e një aksioni ndërkombëtar, gjatë të cilit kontrolle janë kryer edhe në Shqipëri, Qipro, Izrael, Finlandë dhe Maqedoninë e Veriut.

Gjatë kontrolleve në Kosovë janë sekuestruar përkohësisht vetura, telefona celularë, kompjuterë dhe pajisje të tjera elektronike, të cilat mund të shërbejnë si prova në procedurën penale.

Në operacion kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Prokurorisë dhe hetues nga Gjermania, si dhe ekspertë të krimeve kibernetike nga Europol. Bashkëpunimi ndërkombëtar është lehtësuar edhe nga Eurojust.

Me urdhër të Prokurorisë Speciale, tre të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë.
PSRK-ja dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë me qëllim të zbardhjes së plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale, identifikimit të personave të tjerë të përfshirë dhe gjurmimit të pasurisë që mund të ketë prejardhje nga veprat penale.

Read other updates
call center

International action against investment fraud, a call center in Kosovo is raided

Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale (Eurojust) dhe Europoli kanë njoftuar se Kosova...