Sistemet u bënë aq komplekse sa as ndërtuesit e tyre nuk i kuptojnë më. Përballë të pakuptueshmes, njeriu u kthehet dy mjeteve të vjetra: thashethemit dhe profecisë. Për 28 Nëntor, shembulli i Skenderbeut na kujton se dikur epërsia teknologjike ishte aq e thjeshtë sa mund ta kuptonte secili që e mbante. Tani kemi ardhur në dakikun që mbiemrin „human“ (njerëzor/e; e njerëzishme) ta zgjedhim fjalë të vitit. Punë insani
Babai im, njeri, ishte shahist i mirë, aso që fitonte meçe edhe kundër mjeshtrave. Luante me xhaxhain, edhe ai njeri, dhe thelloheshin të dy gjatë e gjatë në lojën e tyre, ndërsa realiteti për ta, në ato orë, ishte një shpërqendrim. Ndonjëherë unë kisha qejf t’i tallja dhe e thosha ndonjë fjalë rasti: „Costacurta“ (futbollisti italian i asaj kohe që kishte rastisur në televizor) dhe ata, pa vëmendje për botën rreth tyre, i luanin lëvizjet: Kostakurta, njëri, duke luajtur ushtarin përpara. Kostakurta tjetri, duke ia marrë me top. Pastaj bënte telefoni. Halla. “O Drita, qe po luajmë shah”. Halla vazhdonte të fliste, këta vazhdonin Kostakurta njëri, Kostakurta tjetri, me dëgjuesen e telefonit në dorë. Pastaj, sa e mbaronin lojën, nja dhjetë minuta më pas, i ktheheshin dëgjueses. “Drita! Drita? … U e paska ndërprerë”. Vazhdonin shahun. Një parti të re. Si robotë.
Unë dhe im vëlla luanim videolojëra. Në atë kohë, videolojërat duhej t’i luanim në aparate të mëdha diku jashtë. Nuk luanim shah. I dinim lëvizjet, por nuk luanim aq mirë dhe babai nuk na konsideronte kundërshtarë të denjë për të. Përtonte të luante me ne. Mirëpo, e dinim se kishte një ves. Kishte qejf t’u përzihej të tjerëve që luanin: „Ec me mbretëreshë. Hiqe kalin. Rokada tash. ’Qy, po ta sulmon oficerin”.
Do të kishte qejf të na shihte të luanim mes vete dhe të ndërhynte pastaj. Njëherë vendosëm t’ia bënim një mahi. E gjetëm në një revistë një meç të Kasparovit me një kryemjeshtër tjetër dhe i mësuam përmendësh të 52 lëvizjet. Ishte mesi i viteve ’90. E morëm tabelën e shahut dhe shkuam afër tij. Ai po lexonte gazetë me shpërfillje. Morëm të luanim. Pas pak e la gazetën dhe po e shikonte tabelën. Ne kishim mbërritur tashmë te lëvizja e nëntë dhe vëllai, atëherë nja 11-12 vjeç, e kishte memorizuar mirë se tani duhej të luante me kalë. E preku kalin lehtë. „Mos aty“, u përzie babi. Vëllai luajti gjithsesi. Babi u ndal. Unë luajta lëvizjen tjetër që e kisha mësuar përmendësh. Një lëvizje e vogël me mbret. „Yyyyhhh“, bëri ai. Vëllai u kundërpërgjigj. Babai i vuri shuplakat në mjekër, i vendosi bërrylat në tavolinë, u mbështet mirë dhe po shikonte me vëmendje. Nja 30 lëvizje rresht nuk foli asgjë. Kurrë nuk i kishte bërë vaki të mos fliste kaq gjatë, duke parë një meç të shahut. Kush e di se çfarë po mendonte. Dikur nga fundi, vëllai i vogël e luajti një lëvizje të Kasparovit që mjeshtrat e tjerë nuk do ta shihnin. Babai mbuloi gojën me dorë tek po shikonte tabelën. Pastaj na shikoi të dyve dhe u ngrit të largohej.
„Po bëni hajgare diçka“.
Ne i mblodhëm figurat dhe i futëm në kuti, duke u përpjekur ta përmbanim gazin.
Mami na tha: „Sa mësoni përmendësh lëvizje të shahut, mësoni diçka për shkollë, bile“.
Shakanë ia kemi bërë më pas edhe dy mjeshtrave, edhe ata njerëz, por nuk shkoi me aq lezet. Njëri tha: „Ose jeni krejt budallë, ose krejt gjeni“, e tjetri: „Nuk po dishit me lujtë, axhës“. E vërtetë, e vërtetë. Nuk dimë. Po as ai nuk po ditka, e.
Ndonjë vit më pas Kasparovi e humbi meçin e tij nga kompjuteri Deep Blue. Deep Blue nuk u gëzua. Në reagimin e tij fillestar, Kasparovi tha se dyshonte që pas makinës ishte një njeri dhe se lëvizja kishte qenë tepër njerëzore që të luhej nga makina. As dhjetë vjet më vonë, programet elite të shahut u bënë aq të forta sa më nuk i mposht asnjë njeri. Fitorja e fundit e një njeriu kundër një programi të majës, në kushte turneu, është e vitit 2005. Nuk e kemi shpallur festë botërore.
Këtë muaj, Cambridge zgjodhi mbiemrin „human“ (njerëzor/e; e njerëzishme) si fjalë të vitit. Fjalori i tyre e përkufizon: „…që ka cilësitë, të metat dhe ndjenjat e njerëzve, ndryshe nga perënditë, kafshët a makinat".
A! Makinat, pra.
Babai im kishte të drejtë. Kasparovi, jo.
Me të birin tim nuk kam luajtur shah, por kam luajtur videolojëra dhe dikur i ndalëm edhe ato. Prej moshës 7-8-vjeçare ka qenë për mua përafërsisht si babai për shah: një kundërshtar që nuk mund ta mposhtja dot. U përqendrua në videolojëra sa iu bë edhe profesion. Krijon të tilla. Mua posaçërisht më ngazëllen një videolojë për Skenderbeun, që është duke e krijuar thuaja i vetëm.
Dikush do të thotë: eh, lojë.
Ndërsa ai e krijon lojën me Skenderbeun, shumëkush ka drojë nga teknologjia. Ndonjëherë me të drejtë. Koha e sotme është kohë e Inteligjencës Artificiale, e cila nuk është insan, dhe, me të, e rreziqeve që mund të vijnë prej saj, insanhalli. Më 17 nëntor ra rrjeti i klasifikuar i NSA-së, agjencisë amerikane të sigurisë që na përgjon të gjithëve. Kurrkush nuk e sulmoi. Një muaj më parë, me ndihmën e AI-së ishin zbuluar disa dobësi në një gjuhë programimi që e përdor shumica e internetit. Dobësitë u arnuan me ngut dhe, pas arnimit, disa sisteme nuk u ngritën më. Komunikata zyrtare e quajti „degradim i përkohshëm gjatë mirëmbajtjes së rregullt”. Sistemet janë bërë aq komplekse sa prishen edhe duke u rregulluar. Në rrethana të tilla ne, populli, përballë së pakuptueshmes, kthehemi te mjetet e moçme të interpretimit: thashethemet dhe profecia.
„Kanë me ra sistemet dhe kemi me u kthye në vitet '80, boll të amla kanë qenë”, më tha një plak. Nuk e dija a po paralajmëronte apo po uronte. Ia kishte ënda të ’80-tat, kur kishte qenë në të tridhjetat.
Në rrjetet sociale nisën të përhapnin se duhet të blejmë ujë e bukë për tri ditë, sekush një javë, e sekush një muaj. E takova një koleg, të traumatizuar nga pandemia, që kishte blerë letër toaleti për një muaj. Se, njeriu nuk duhet të mendojë vetëm çfarë të hajë.
Me rëndësi, nuk do të kthehemi në shekullin XV. Përveç me videolojë.
Loja e të birit tim zhvillohet në Krujën e shekullit XV, të cilën e ka rindërtuar nga fotografitë e sotme, ashtu siç duhej të kishte qenë në kohën e Skenderbeut. Lëvizjet i ka marrë nga aktorë e aktore, me pajisje që vishen në trup. Një prezantim e bëri në prag të 28 Nëntorit në Hungari, në vendin e Janosh Huniadit, aleatit të Skenderbeut.
Në kohën e tij, Skenderbeu ishte inovacioni. Ne sot e festojmë ditën e tij me figurina dhe flamuj.
Më 1460 e dërgoi në Itali nipin e tij, Konstantinin, me 500 kalorës, një vit më pas Ivan Strez Balshën me 500 kalorës e 1000 këmbësorë e pastaj shkoi vetë, me 3000 veta, për t'i ndihmuar Ferdinandit të Napolit kundër armiqve të tij. Bënë hatanë. Kundërshtarët kishin parzmore të rënda hekuri, kurse ushtria e Skenderbeut ishte e lehtë. Përshkonte 50 deri 65 kilometra në ditë, tri-katër herë më shumë se armiqtë. Të ngratët nuk kishin gjasë.
Secili kalorës e dinte pse fitonte: ishte më i lehtë dhe shkonte më larg. Epërsi ofron edhe AI sot, ndonëse askush nuk e di më pse fiton.
Lea Ypi, kur qe verës në Prishtinë, thoshte pak a shumë se AI është si thika: mund të përdoret për keq, por përndryshe është mjet i vlefshëm. Ndërkohë sistemet po bien dhe shpesh e fajësojmë AI-në. Kurrë nuk e dimë se për çfarë mund ta përdorë dikush një thikë. Sidomos një thikë që të mund në shah.
Sakaq, vazhdojmë të luajmë ndonjë videolojë. Fundja, edhe shahu ishte lojë, dhe pikërisht në lojë e morëm vesh për herë të parë se makina na e kalon.
Kur babi u plak, e ula një herë të luante kundër një programi kompjuterik të nivelit të mjeshtrave. Unë e kisha zgjedhur nivelin dhe i shkruaja kompjuterit llafe për ta ngacmuar (nuk u ngacmua). Telefoni i shtëpisë nuk ishte më për të cingëruar. Fituam. Babi nuk u mahnit. Kurrë nuk e pyeta pse.
Happy holiday!
Me fjalë të tjera: Po bëjnë hajgare diçka