Support TIME. Preserve the truth.
Opinions

A turning point for Kosovo and Serbia

Kuti matës i marrëdhënieve me BE-në nuk mund të jetë më kapaciteti i Serbisë për të normalizuar ose jo marrëdhëniet në regjion, kuti matës i marrëdhënieve me BE-në duhet të jetë kapaciteti i Serbisë për ta normalizuar veten

1.

Prej kur ra Muri i Berlinit, në Ballkanin Perëndimor ka qarkulluar, me ciklet e veta, një postulat gati i shndërruar në dogmë: se stabiliteti i regjionit varet nga Serbia. Pra, nga Serbia varet normalizimi i marrëdhënieve me Kroacinë, nga ajo varet nëse Bosnjë-Hercegovina do të jetë një shtet demokratik e funksional, nëse Mali i Zi do të ndërtojë lirshëm identitetin e vet evropian, nëse Kosova e Serbia do të kenë marrëdhënie të mira fqinjësore. 

Ky mendim i ka meritat e veta; po të kthejmë kokën prapa, do të shohim se si një Serbi jodemokratike e me urrejtje ndaj vetes dhe të tjerëve ka çrregulluar jetët e kombeve dhe shteteve në regjion. Por, i ka mangësitë e veta sepse dinamikat e regjionit i përqendron në një përllogaritje që deri tani ka dalë negative. Në atë përllogaritje, pesha gjeopolitike e Serbisë është e rëndësishme për shkak të potencialit negativ për regjionin. Rrjedhimisht, Serbinë do trajtuar si të fortin e lagjes që nuk të lejon ta kalosh rrugën në mëhallë pa i dhënë ndonjë para, me shpresë se një ditë edhe i forti do të bëhet si të tjerët në qytet.

Kjo ka qenë pak a shumë politika e Bashkimit Evropian ndaj Serbisë dhe Aleksandar Vuçiq e ka shfrytëzuar me mjeshtëri. Për dymbëdhjetë vjet, sundimi personal ai ka ndërtuar një Serbi autokratike e të korruptuar, me simbiozë të sektorit të sigurisë me krimin e organizuar. Sa më i kapur ka qenë shteti, aq më shumë i janë dhënë Vuçiqit dhurata nga Brukseli e shtetet anëtare, me shpresë se i forti i mëhallës një ditë do të emancipohet.

2.

Kjo javë është e mirë për ta ndryshuar politikën evropiane ndaj Serbisë. Lista e Studentëve që fitoi zgjedhjet në Serbi ka bërë analizë më të mirë të gjendjes në shtet sesa politika evropiane. Për dallim prej diplomatëve të BE-së që e përshkruan Serbinë si një shtet të gatshëm për negociata anëtarësimi në BE, studentët u thanë bashkëqytetarëve të vet që Serbia është një shtet i kapur dhe se kjo kapje duhej çmontuar. U thanë që institucionet duhet të profesionalizohen e jo të partizohen. U thanë se shteti duhet të ketë një rol më aktiv në arsim, shëndetësi, banim dhe zhvillim ekonomik.

Studentët fituan. Aleksandar Vuçiq humbi e me të mund të humbasë kapacitetin për të ndikuar edhe Bashkimi Evropian nëse nuk e ndryshon këndvështrimin e vet pas zgjedhjeve në Serbi. Këto zgjedhje u fituan nga një listë që në rend të parë e ka funksionimin e Serbisë si shtet demokratik, shtet të së drejtës dhe shtet social evropian. Pas mbi tri dekadash gjeopolitike, ndeshjesh ideologjike, luftërash dhe hiperprodhimi nacionalist, një gjeneratë në Serbi ka vënë përpara këto prioritete. Dhe BE-ja e të gjithë ne të tjerët do të bënim mirë të ndalemi për një moment duke u pajtuar me shumicën e votuesve në Serbi. Pra, një Serbi si shtet demokratik, shtet të së drejtës dhe shtet social është në interes të rajonit dhe të Evropës.

Për më tepër, ky duhet të jetë interesi parësor në marrëdhëniet e BE-së dhe të tjerëve me Serbinë. E kjo do të thotë përmbysje e qasjes së BE-së në marrëdhëniet me Serbinë. Kuti matës nuk mund të jetë premtimi i liderit të Serbisë se do të bashkëpunojë për stabilitetin e Bosnjë-Hercegovinës apo se përkrah këtë apo atë pikë të marrëveshjes për normalizim me Kosovën — një spirale negative në të cilën A. Vuçiq e futi me mjeshtri BE-në. Kuti matës duhet të jenë rezultatet në sundimin e ligjit, pavarësinë e institucioneve dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, diçka që është më afër kritereve të Kopenhagës sesa lojërave gjeopolitike.

Kuti matës i marrëdhënieve me BE-në nuk mund të jetë më kapaciteti i Serbisë për të normalizuar ose jo marrëdhëniet në regjion, kuti matës i marrëdhënieve me BE-në duhet të jetë kapaciteti i Serbisë për ta normalizuar veten.

3.

Ndihma më e madhe që mund t’i japë BE-ja Listës së Studentëve dhe Qeverisë që do të dalë prej saj është që të mos e zgjerojë portofolin e agjendës përtej asaj që kanë vënë studentët. Në dymbëdhjetë muajt e ardhshëm, prej të cilëve nja tre janë përgatitorë, Qeveria e ardhshme e Serbisë do të ketë në menynë e vet si pikë kryesore reformën institucionale kundër kapjes së shtetit. Pra, riorganizimin e sektorit të sigurisë, pavarësinë e gjyqësorit dhe Prokurorisë, hetimin e korrupsionit, konfiskimin e pasurisë së paligjshme, lustracionin, transparencën e prokurimit dhe çlirimin e mediave nga kontrolli politik. 

Kjo është vetëm ajo pjesë që synon ta ndërpresë lidhjen mes pushtetit partiak, parasë publike dhe pandëshkueshmërisë. Si e këtillë, është ngarkesë për një Qeveri të fortë e me shumë përvojë, lëre më për një që del nga një Lëvizje ende e pakonsoliduar politikisht. Dhe si e tillë mund të rrezikojë sigurinë fizike të anëtarëve të qeverisë, siç u dëshmua me kryeministrin e vrarë Gjingjiq.

Pra, një sfidë e këtillë nuk ka nevojë për ngarkesa të reja, çfarë janë ato të politikës së jashtme. Po t’i kryejë këto detyra që ia ka dhënë vetes Lista Studentore, edhe pa dashje do të përmbushë disa prej detyrave të veta të jashtme. Çmontimi i shtetit të kapur dhe ndërprerja e simbiozës mes sektorit të sigurisë e krimit do të nxjerrin në pah, për shembull, edhe lidhjet e ndikimit rus në sektorin e sigurisë apo rrjetin kriminal të Radoiçiqit, qoftë në veprimet e veta në Serbi, qoftë në Kosovë.

4.

Serbia ka nevojë për një vit përqendrimi në shkapjen e shtetit dhe pauzë nga temat e tjera, përfshirë Kosovën. Çështjet e zbatimit të kësaj apo asaj pike të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit të trajtuara në takime liderësh në Bruksel, mund të marrin shumë energji politike pa dhënë ndonjë përfitim real. Një Serbi që nuk e respekton rendin e vet demokratik vështirë se mund të jetë partnere e besueshme në zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën, të ndërmjetësuara nga BE-ja. 

Brenda këtyre dymbëdhjetë muajve pauze për konsolidimin evropian në Serbi duhet të ndodhë edhe konsolidimi evropian i Kosovës. Republika e Kosovës duhet të anëtarësohet në Këshillin e Evropës dhe të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Pesë shtetet mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës mund ta kundërshtojnë në fund anëtarësimin e Kosovës në BE, nëse duan. Por, nuk do të duhej t’ia mohonin këtij vendi aspiratën për të qenë shtet funksional demokratik evropian i gatshëm për t’u reformuar e zhvilluar deri në pikën që një ditë të mund të bëhet anëtar i BE-së.

Serbia ka nevojë për normalizim të vetes dhe normalizimi që Lista Studentore ka zgjedhur është ai i shtetit evropian. Kosova ka nevojë për normalizim të vetes dhe konsensusi i përgjithshëm në vend është që ai normalizim kalon përmes ndërtimit të një shteti evropian. Bashkimi Evropian mund të bëjë këto ditë një kthesë domethënëse konceptuale. Kjo do t’i rriste gjasat që, pas dymbëdhjetë muajsh përpjekjesh për normalizimin e vetes, Kosova dhe Serbia të jenë më të gatshme të normalizojnë marrëdhëniet mes vete si dy shtete evropiane.

Serbia nuk ka garanca për t’u bërë demokratike; historia e saj dëshmon prapakthimin si zakon. Por, ajo këto ditë ka gjasa të bëhet e tillë, dhe është në interesin evropian që të mos humbë ky rast.