Support TIME. Preserve the truth.
Opinions

The Fisherman's Wharf

Për të gjitha krimet e Serbisë në Kosovë, komandantët dhe liderët serbë patën marrë bashkë gjithsej 107 vjet burgim. Asnjëri, në fund, nuk mori më shumë se 22 vjet për mijëra të vrarët dhe dëbimin

Na patën thënë se Christopher Hill do të shkonte diku në Malishevë dhe ne u nisëm me makinën e redaksisë pas tij. Ishte një makinë zyrtare amerikane, një humvee dhe ne pas — një konvoj i vetëm në sytë e militarëve serbë në postëroja. Amerikanët nuk na nganin fare dhe na linin të shkonim pas tyre. Arritëm në Dragobil dhe makinat amerikane ndaluan. Hilli dhe bashkëpunëtorët e tij hynë në një shtëpi me derë të hekurt blu. Ishte vjeshtë e vonë e vitit 1998 dhe unë gazetar i ri, pa përvojë. Ambasadori amerikan Hill po takohej me liderët e UÇK-së. Po prisja të merrja vesh se çfarë ishte folur, por askush nuk po më jepte ndonjë detaj me rëndësi. Jakup Krasniqi ishte zëdhënës e më dha një deklaratë të përgjithshme që nuk thoshte gjë, Fatmir Limaj kaloi afër pa fjalë e Christopher Hilli pa frymë.

Kisha bërë rrugën pa ndonjë rezultat. Nuk ka gjë, kështu është shpeshherë në gazetari, pata menduar. U ula prapa në makinë dhe po niseshim për t’u kthyer. Sapo do të niseshim, një djalë rreth 30 vjeç, me uniformë ushtarake, me një bllok shënimesh e pa armë, as edhe revole, hopa, erdhi e hapi derën e m’u ul në ulësen pranë. Kishte një fytyrë urbane dhe të qetë e të qeshur. U prezentua: “Hashim Thaçi”.

Gjovani, shoferi, mori të lëshonte një këngë me çifteli, aso ku shqiptarët fitojnë në beteja heroike kundër armikut gjakatar, por mysafiri ynë i kërkoi të lëshonte një tjetër muzikë.

Ato dhjetë, pesëmbëdhjetë minuta bisedë me të në makinë nëpër rrugët që ai na tregonte nga do të shkonim, më patën krijuar në kokë imazhin e një personi rrugën e të cilit doja të ndiqja. Nuk jam pajtuar me shumëçka në vitet më pas. Ai u bë lider në momentet më të rëndësishme të Kosovës.

Kur vendimi për dënimin e tij në Hagë u shqiptua, më doli përpara fytyra e tij e qeshur e asaj dite në Dragobil dhe kisha një përzierje dhimbjeje, inati e trishtimi.

Dhimbja na bën të reagojmë emocionalisht dhe reagimet emocionale mposhtin arsyen. Madje, edhe zyrtarët më të lartë shtetërorë dolën me deklarata, ku thuhej se Kosova po humbiste (gjykatësi nuk e thotë, po ata po), se Serbia po fitonte e kështu me radhë. Pati edhe kërkesa që të refuzohet fare gjykata. Kjo po që do të ishte disfatë e rëndë për Kosovën.

Verdikti është i dhimbshëm për katër njerëz, familjet e të dashurit e tyre dhe ne që kemi empati për ta. Mirëpo, tutje emocionit subjektiv, për Kosovën nuk është as i dhimbshëm as i gëzueshëm — nuk është i saji fare. Gjykatësi nuk ka e shpallur fajtore as luftën e UÇK-së, as Kosovën.

Ndonjëherë të kap një pikë optimizmi. Është edhe apeli. Urojmë të mos jenë fajtorë dhe të lirohen.

Megjithatë, sado më qetëson një grimë kjo, disi ende nuk jam i qetë. Nuk është punë e emocionit subjektiv. Diçka nuk është në rregull me këtë verdikt.

Si gazetar kam ndjekur rastin e vrasjes së civilëve në Rakovinë. Vrasjen e një burri në Stanovc. Nuk ka pasur gjykime në Hagë për vrasësit. Nuk është gjykuar askush për shtëpinë time të djegur në Pejë. Kushërira ime në Gjakovë më ka treguar se si kishin dashur ta vrisnin të shoqin e saj dhe e kishin kujtuar për të vdekur, kur i kishin përzënë nga shtëpia atë dhe mijëra të tjerë. Pak lagje më tutje ishin vrarë gratë dhe fëmijët. Askush nuk është gjykuar në veçanti për këtë në Hagë. Shumë e shumë krime të luftës në Kosovë nuk janë gjykuar kurrë. As Kosova nuk i ka gjykuar vetë.

Haga i ka gjykuar dhe dënuar komandantët e fushatës së spastrimit etnik: Shainoviq, Pavkoviq, Lukiq, Gjorgjeviq e të tjerët. Dënimet ishin këto: Pavkoviqi 22 vjet, Lukiqi 20, Shainoviqi 18, Gjorgjeviqi 18, Ojdaniqi 15, Lazareviqi 14 — gjithsej 107 vjet. Milutinoviqi, ish-presidenti i Serbisë, u lirua nga të gjitha akuzat. Milosheviqi vdiq pa pritur verdiktin. Ky është dënimi për mijëra të vrarë, masakrat, qindra mijë të dëbuar, shtëpitë e djegura, përdhunimet, maltretimet deri në ditën e fundit. Haga gjykoi komandën. Vrasësit që qenë lënë të lirë për të vrarë e masakruar janë të lirë sot e gjithë ditën.

Vetëm në gusht të këtij viti Prokuroria Speciale e Kosovës — jo Haga — ngriti aktakuzë ndaj 20 vetave, mes tyre Milan Radoiçiqi, për vrasjen e 107 civilëve në Gjakovë, me propozim që gjykimi të mbahet në mungesë — trupat u gjetën në varrezë masive në Batajnicë. Për 107 të vrarët e Gjakovës, aktakuza e parë erdhi pas 27 vjetësh, nga Prishtina, në mungesë.

Katër shqiptarët do të shkojnë në apel. Mund të lirohen, nëse del se nuk janë fajtorë. Sidoqoftë, nuk duam të paragjykojmë.

Para disa vjetësh po kthehesha nga Tirana në Prishtinë. Në segmentin e autostradës nga lidhja e vjetër prej Krujës për në Milot, një polic më ndaloi dhe tha se do të më dënonte, sepse kisha tejkaluar shpejtësinë e lejuar. Kisha shkuar 100 km në orë në zonën ku lejohej 90. Rrudha krahët dhe u bëra gati të paguaja dënimin. Kolegu im që ishte me mua në rrugë, kishte dalë nga makina dhe bëri një koment të zakonshëm: Përse po na dënon ne për dhjetë kilometra më shumë, kur shiko të gjithë këta që po kalojnë janë duke shkuar mbi 90 e ndoshta edhe më shumë se ne?

Polici u përgjigj disi si pa të keq: Epo, ne jemi si peshkatarët, kë kapim, kapim!

Nuk do të shtyhesha me policin aty. I thashë se detyrë e tij ishte të kujdesej për mbarëvajtjen e trafikut dhe se drejtësia nuk ishte selektive. Drejtësia funksionon vetëm nëse ligji vlen për të gjithë njëjtë dhe shkelja e ligjit ndëshkohet pa seleksionime dhe pa përjashtime.

Policët nuk duhet të jenë peshkatarë. As gjykatat.

Kjo ishte ajo që më brente.

Kur Thaçi pati shkuar në bisedime për të ardhmen e Kosovës, e kishte ditur se bisedimet nuk janë këngë me çifteli. Reagimet tona për gjykimin e tij s’ka përse të jenë të tilla.

Në vend të deklaratave, ka punë që mund të bëhen: apelit për katërshen që mbahet në Sheveningen, dikur fshat peshkatarësh, t'i ndihmohet me juristë e argumente, jo me mitingje, kurse për peshqit që kaluan, të mblidhen faktet, të dëgjohen dëshmitarët sa janë gjallë, të ngrihen aktakuzat.

Aktakuza e gushtit për 107 të vrarët e Gjakovës tregoi se kjo bëhet. Vonë, por bëhet.

Me fjalë të tjera: Ndërrojeni këngën.