Support TIME. Preserve the truth.
Opinions

The strange winds of history

Jetojmë në kohëra të çuditshme. Kush do të kishte imagjinuar që pas gjithë atyre viteve të zgjerimit, shpëtimtari i tij do të dilte një vend që nuk mund të jetë më larg nga Evropa. Historia, siç duket, nuk ka detyrim t'i bindet gjeografisë

Dje presidentja e Komisionit Evropian, znj. Ursula von der Leyen, mbajti fjalimin e saj më të rëndësishëm të vitit. Të ideuar bazuar në traditën e vjetër amerikane fjalimi vjetor i presidentes para eurodeputetëve çdo vit gëzon vëmendje të madhe publike pasi ai bën një skicim të pulsit publik evropian, por edhe të planeve politike të gjithë BE-së për vitin vijues.

Njëkohësisht për neve këtu në katundin tonë të vogël fjalimi është rikujtim i kohëpaskohshëm për vogëlsinë që ne si rajon zëmë në tablonë e madhe të prioriteteve të BE-së. Këtë vogëlsi e kap bukur një statistikë kurioze - i gjithë fjalimi ishte 7,700 fjalë, ndërsa për rajonin tonë presidentja e Komisionit Evropian foli vetëm 150 fjalë, pra vetëm 2% të kohës. Por në këtë rast vlen ajo moto pikante që madhësia nuk është e rëndësishme. Dhe me të vërtetë në këtë rast nuk është. Ndonëse ishin pak fjalë ato thanë gjënë e duhur dhe të rëndësishme. Në ato 150 fjalë presidentja premtoi se së shpejti do të propozojë “udhërrëfyes” anëtarësimi për vendet më të avancuara në procesin e anëtarësimit duke e pasur fjalën këtu për Malin e Zi dhe Shqipërinë, dhe potencialisht po ashtu për Moldavinë dhe Ukrainën. Por në gjithë këtë sfond papritmas u përmend edhe një vend i interesuar për anëtarësim në BE – Kanadaja.

Dje në sallë të Parlamentit Evropian të gjithë ishin konfuzë se përse aty ishte ulur kryeministri i një vendi që gjeografikisht nuk është fare në kontinentin evropian. Por nga fjalimi i presidentes së KE-së shumë shpejt u kuptua se përse Mark Carney ishte aty. Në fjalimin e saj, nën duartrokitje të mëdha, presidentja njoftoi botën se BE-ja është gati ta pranojë Kanadanë si vendi i parë i asociuar i BE-së.

Dhe përderisa është e paqartë se çfarë i bie të jesh një “vend i asociuar” me BE-në, ajo çfarë është shumë e qartë është se kjo nuk është një aleancë dashurie, por një aleancë interesash. Kanadaja dhe BE-ja kanë zgjedhur të fuqizojnë marrëdhëniet në mes tyre si kundërpërgjigje ndaj bullizimit që të dyja kanë përjetuar në lëkurën e tyre nga ana e Trumpit. Në një sens kumbari aksidental i kësaj aleance është vetë Trumpi. Por përtej arsyeve të aleancës nuk mund të mohohet se një aleancë e tillë patjetër ka sens për të dy palët. Interesi imediat, por edhe afatgjatë, i Kanadasë është i qartë – të diversifikojë aleancat globale dhe të ulë rrezikun e ekspozimit ndaj një Amerike agresive siç është ajo nën administratën e Trumpit. Njëkohësisht Kanadaja do të këtë qasje shumë më të gjerë në tregun më të madh perëndimor prej afro gjysmë miliard konsumatorë. Qytetarët kanadezë mund të përfitojnë nga e drejta e jetesës dhe punës shumë më të lehtë brenda BE-së. BE-ja nga ana tjetër në sfondin e pavarësimit nga burimet energjetike ruse është tejet e interesuar për gazin kanadez. Njëkohësisht me qasjen në mineralet kritike kanadeze ajo do të pavarësohet nga varësia e sotme totale kineze për këto burime të çmuara tokësore. Një përfitim i këtillë i dyanshëm është një situatë ideale “win-win” e cila është garanci më e mirë për qëndrueshmërinë e aleancave të këtilla.

Do të jetë kurioze të shohim se çfarë efekte do të ketë “anëtarësimi i asociuar” i Kanadasë në procesin tradicional të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Që në krye të herës duket se e gjithë optika të jetë shumë e favorshme për rajonin tonë. E para e punës lëvizja e Kanadasë drejt BE-së është vetëm shembulli i radhës se në çfarë kohërash historike po jetojmë. Kush do të kishte imagjinuar vetëm pesë vjet më herët se Kanadaja dhe Ballkani do të janë në të njëjtën kategori të diskutimit për zgjerimin e BE-së. E dyta bashkimi i Kanadasë në storjen e zgjerimit të BE-së pasuron narracionin e zgjerimit me futjen e një vendi me prestigj demokratik, begati ekonomike dhe respekt ndërkombëtar. Futja e Kanadasë në “klubin e zgjerimit” e bën gjithë diskutimin për zgjerimin në vendet anëtare të BE-së shumë më të lehtë dhe më atraktiv. Kjo do të lehtësojë avancimin e çështjes së zgjerimit të gjithë aleatëve të zgjerimit anembanë kancelarive evropiane. Së treti përfshirja e Kanadasë në diskutimin për zgjerimin do të krijojë momentume të reja politike dhe dritaret e reja të mundësive për procesin anëtarësues të vendeve më të avancuara nga rajoni ynë, siç janë Mali i Zi dhe Shqipëria. Nëse sot është vështirë të flasësh në Paris apo Berlin për anëtarësimin e Malit të Zi dhe Shqipërisë, ky diskutim do të jetë shumë më i lehtë nëse temë diskutimi do të jetë një grup prej Kanadasë, Malit të Zi dhe Shqipërisë. Thënë ndryshe futja e Kanadasë në këtë proces do të ndikojë patjetër edhe në dinamikat dhe narrativat që do të ndikojnë në fatin edhe të procesit anëtarësues të rajonit tonë.

“Problemi me kohën në të cilën jetojmë është se e ardhmja më nuk është siç ka qenë dikur”, ka thënë poeti francez Paul Valeri, derisa shikonte çudirat që ishin duke ndodhur në Evropën e interbellum-it. Njëjtë kështu edhe ne sot po jetojmë në kohëra të çuditshme. Kush do të kishte imagjinuar që pas gjithë atyre viteve të zgjerimit, shpëtimtari i tij do të dilte një vend që nuk mund të jetë më larg nga Evropa. Historia, siç duket, nuk ka detyrim t'i bindet gjeografisë.