Support TIME. Preserve the truth.
Opinions

Some suggestions for reading the verdict against four former senior KLA leaders

1. Aktgjykimi dënues ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së — Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit — nuk është ende i formës së prerë. Ankimi në shkallën e dytë do të kërkojë punë serioze juridike, të mbështetur në analizën dhe kundërshtimin e aktgjykimit të plotë, jo në emocione.  Fajësia apo pafajësia eventuale, sikurse edhe kohëzgjatja përfundimtare e dënimeve, nuk do të varen nga protestat, rrjetet sociale apo deklarimet politike. Ato do të jenë produkt i një procesi juridik të vazhduar dhe racional.

2. Aktgjykimi i 16 shtatorit ka bërë një dallim thelbësor duke mos pranuar akuzën e Prokurorisë për krime kundër njerëzimit. Gjykata konstatoi se veprimet kriminale përbënin një sulm të përhapur dhe sistematik, por se Prokuroria nuk kishte provuar se ky sulm ishte drejtuar kundër një popullsie civile si të tillë. Sipas Gjykatës, viktimat ishin përzgjedhur kryesisht mbi baza individuale.

3. Katër ish-drejtuesit e dënuar të UÇK-së dallojnë kështu edhe juridikisht nga të dënuarit në rastet Šainović et al. dhe Vlastimir Gjorgjeviq para Tribunalit për ish-Jugosllavinë. Në ato raste u vërtetua një fushatë shtetërore e drejtuar kundër popullsisë civile shqiptare dhe të akuzuarit u dënuan edhe për krime kundër njerëzimit.

4. Megjithatë, dënimet e shkallës së parë në rastin Shainoviq et al. shkonin nga 15 deri në 22 vjet burgim, ndërsa dy nga ish-drejtuesit e UÇK-së u dënuan me nga 25 vjet. Edhe duke pasur parasysh dallimet ndërmjet rasteve, përgjegjësinë individuale dhe praktikat e ndryshme të dënimit, kjo ngre një pyetje serioze për proporcionalitetin.

5. Shpallja e tyre të pafajshëm për gjashtë pikat e krimeve kundër njerëzimit e vendos aktgjykimin në një kontekst më të drejtë historik. Përderisa fushata e forcave serbe kundër popullsisë shqiptare të Kosovës është përcaktuar juridikisht si krim kundër njerëzimit, në rastin e katër ish-drejtuesve të UÇK-së nuk u provua ekzistenca e një sulmi kriminal të drejtuar kundër një popullsie civile si të tillë. Ky përfundim e vendos aktgjykimin në kontekstin e përgjegjësisë individuale për krime lufte. As UÇK-ja e as Kosova nuk mund ta marrin mbi vete këtë barrë fajësie. Aktgjykimi nuk e trajton si kriminal synimin për pavarësinë e Kosovës dhe thekson se ky proces nuk gjykon legjitimitetin e UÇK-së apo të luftës për pavarësi.

6. Aktgjykimi është mbështetur në parimin e rëndësishëm, se drejtësia e kauzës çlirimtare nuk e bën automatikisht të drejtë çdo veprim të kryer në emër të saj. Por, po kështu, dënimi i individëve për veprime kriminale nuk mund t’i atribuohet UÇK-së në tërësi, të ndryshojë rolin e saj historik në çlirimin e vendit apo të njollosë pavarësinë e Kosovës.

7. Kosova nuk duhet të bjerë në kurthin e ligjërimit se aktgjykimi i Hagës e dënon UÇK-në apo Kosovën e pavarur. Në aktgjykim nuk ekziston asnjë përfundim me të cilin përgjegjësia individuale për krime i bartet UÇK-së si organizatë ose përpjekjes së Kosovës për pavarësi.

8. Bellum iustum — lufta e drejtë e UÇK-së, e sendërtuar mbi lëvizjen popullore kundër okupimit të Serbisë dhe për pavarësinë e Kosovës — nuk është zhbërë nga ky aktgjykim si e vërtetë historike dhe morale.

9. Aktgjykimi, në fund, i ka individualizuar edhe viktimat. Edhe viktimat janë pjesë e kësaj historie, për to do të mësojmë më shumë nga teksti i plotë i aktgjykimit, në formën e vet të prerë.