Ish-mesfushori i Zvicrës, shqiptari Blerim Xhemaili ka kritikuar Federatën e Futbollit të Zvicrës për largimin e Leon Avdullahut dhe Lutfi Dalipit.
Avdullahu më herët iu bashkua Kosovës, ndërsa së fundmi për “Dardanët” ka vendosur të luajë edhe Dalipi, një nga lojtarët më në formë në Superligën helvetike të futbollit.
“Fillimisht për Avdullahun nuk menduam se do të ishte një humbje kaq e madhe për ekipin kombëtar. Është e njëjta gjë me Lutfi Dalipin. Mund të jemi në gjendje ta përdorim atë në mënyrë brilante brenda dy vitesh, ai mund të shpërthejë në skenë dhe të bëhet një nga lojtarët më të mirë – dhe çfarë bëni atëherë si federatë? Keni humbur një lojtarë të tillë. Do ta kisha ftuar dhe do ta aktivizoja në fushë, veçanërisht në një kohë si tani në Ligën e Kombeve, ku nuk kishte aq shumë në konkurrencë. Sa më shumë lojtarë të mirë që mund të luajnë për Zvicrën, aq më mirë. Dhe nëse nuk i ftoni për disa muaj më pas, kështu është”, ka thënë Xhemaili për “Blick”.
Xhemaili 40-vjeçar, i cili luajti për Zvicrën nga viti 2006 deri në vitin 2018, ka folur edhe për Ardon Jasharin.
Ai ka theksuar se Jashari për të kërkuar vend në formacionin bazë te Zvicra, duhet të luajë më shumë te Milani.
“Duhet të japësh rezultate në klubin tënd që të jesh në gjendje të luash për ekipin kombëtar dhe të bësh kërkesa. Kështu ka qenë gjithmonë. Milani është aktualisht një nga klubet më të vështira për të luajtur në Itali. Për më tepër, ai është gjithmonë mesfushori i tretë i zgjedhur pas Rabiotit dhe Modriqit. Por gjithashtu nuk mund të presim që Jashari të jetë Granit Xhaka në ekipin kombëtar kur ai mungon. Ai duhet të jetë vetvetja dhe të mos përpiqet të jetë Graniti ose ta imitojë atë”, është shprehur Xhemaili.