Support TIME. Preserve the truth.
football

Dalipi, rapid and large growth in a small country

Lutfi Dalipi

Deri në verë pak kush mund të ketë dëgjuar për Lutfi Dalipin. Si shumë shqiptarë të tjerë, ai po zhvillohej në sistemin zviceran të futbollit. Ishte tek Young Boysi për kohë të gjatë, ndërsa në janar të këtij viti u huazua te Wili në kategorinë e dytë helvetike. Në nëntë ndeshje i realizoi dy gola dhe bëri një asistim. 

Në verë u huazua te Vaduzi, skuadër kjo e Superligës së Zvicrës. Dhe, thuajse përnjëherë, shpërtheu. Gol në ndeshjen e parë. Asistim në të dytën e në tretën. Gol e dy asistime në ndeshjen e pestë, për fitoren e parë të skuadrës. Dhe më nuk kishte të ndalur. Plot nëntë asistime e pesë gola në 13 paraqitje kampionale. Nga java në javë bëhej më i njohur. Dhe qartë që niveli i 20-vjeçarit si lojtar ofanziv rritej.

Nga i panjohur, brenda pak muajve Dalipi i shndërrua në lojtar që mund të zgjedhte se për cilën përfaqësuesen do të luante. Vendosi për Kosovën. Të enjten udhëtoi për në Kosovë, ndërsa me ndeshje për “Dardanët” pritet të fillojë në mars të vitit të ardhshëm. Ai së fundi ishte në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Vendosi për Kosovën. Opsion ishte edhe Zvicra, vendi ku është i lindur, e ndoshta edhe Portugalia, prej nga e ka nënën.

Por Dalipi tani është lojtar i ri i Kosovës. I lindur në Riaz të Zvicrës, futbollisti që luan në sulm dhe si mesfushor ofanziv, shpërthimin e bëri në një vend të vogël e klub të vogël. Vaduzi është klub i Lihtenshtajnit, vendit me 41 mijë banorë. Lihtenshtajni nuk ka ligë të tij, ka vetëm shtatë klube futbolli dhe për këtë Vaduzi garon në Zvicër. Herë luan në Superligë e herë në kategorinë e dytë. Për Dalipin megjithatë ishte klubi i duhur.

Pasi luajti me Young Boysin II në kategorinë e tretë zvicerane, ai bëri hapin te Wili në kategorinë e dytë dhe hapin gjigant te Vaduzi në Superligë.

Me Young Boysin ka kontratë deri në vitin 2030, por me zhvillimin aktual vështirë se do të mbetet gjatë në Zvicër. Natyrisht, e ardhmja në futboll varet nga faktorë të shumtë. Por Dalipi po shënon gola e po asiston dhe tani është edhe lojtar i përfaqësueses A. Ai ka bërë të qartë se familja e shtyu drejt Kosovës apo Shqipërisë.

“Në fillim ishte vështirë për mua që të vendosi për Kosovën apo Shqipërinë, pasi jam i lindur në Zvicër. Me zemër kam vendosur për Kosovën, pasi i kam thënë babushit që një ditë do të luaj ose për Kosovën ose për Shqipërinë. Jam shumë i gëzuar që do të luaj për Kosovën. Jam i sigurt që Kosova do të jetë ekip shumë i fortë”, thotë Dalipi në një video të publikuar nga FFK-ja.

Ai i ka luajtur tri ndeshje për Zvicrën U18, gjashtë për Zvicrën U20 dhe dy për Zvicrën U21. Për 21-vjeçarët luajti në fund të shtatorit. Ai refuzoi ftesën për grumbullimin aktual të Zvicrës U21.

Mediumet helvetike i kanë kushtuar hapësirë vendimit të Dalipit që të luajë për Kosovën. Më herët përzgjedhësi i Zvicrës Murat Yakin e vlerësoi Dalipin lojtar interesant, por shtoi se për të do të jetë e vështirë të hyjë në përfaqësuesen zvicerane për sa kohë ka shumë mesfushorë qëndrorë në dispozicion. Portugalia më shumë është përmendur si opsion për shkak se nëna e tij është nga ky vend. Megjithatë duket pak e besueshme që Zvicra ka luksin të heq dorë nga një lojtar me zhvillim të hovshëm si Dalipi. Dhe kjo e bënë ardhjen e tij fitore edhe më të madhe për Kosovën dhe për Federatën e Futbollit të Kosovës.