Support TIME. Preserve the truth.
World

Vance is leading secret efforts for a new deal with Iran

JD Vance

Photo: Associated Press

Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, ka qenë personalisht i përfshirë gjatë dy javëve të fundit në bisedimet indirekte me Iranin, me synimin për të arritur një armëpushim të ri dhe për të rifilluar negociatat bërthamore, kanë bërë të ditur për Axios dy burime në dijeni të çështjes.

Përfshirja e madhe e Vance tregon se ai po përpiqet ta nxjerrë SHBA-në nga konflikti, të cilën e fajësoi si një nga arsyet kryesore të humbjeve dërrmuese të republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit. Kjo gjithashtu i ngre bisedimet e fundit indirekte në nivelin më të lartë të administratës amerikane.

Zyrtarë amerikanë dhe burime rajonale thonë se, të paktën për momentin, Trumpi është i gatshëm t'u japë kohë përpjekjeve diplomatike dhe dëshiron të shohë nëse është e mundur arritja e një marrëveshjeje të çfarëdo forme.

“Ne po flasim me ta”, u ka thënë Trumpi gazetarëve të premten, kur është pyetur se cili ishte mesazhi i tij për Iranin.

Megjithatë, nëse ai ndryshon mendje dhe urdhëron rifillimin e sulmeve, ushtria amerikane është e gatshme t'i ndërmarrë ato brenda një afati relativisht të shkurtër.

Vance ka zhvilluar pothuajse çdo ditë biseda me kryeministrin e Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani, shefin e Shtabit të Ushtrisë së Pakistanit, marshallin Asim Munir, si dhe ndërmjetës të tjerë, lidhur me negociatat me Iranin, kanë thënë burime që kanë njohuri të drejtpërdrejta për çështjen.

Në proces janë të përfshirë gjithashtu i dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Ëitkoff, dhe këshilltari i presidentit Trump, njëkohësisht dhëndri i tij, Jared Kushner.

Vance dhe ndërmjetësit nga Katari dhe Pakistani kanë diskutuar mundësinë e mbajtjes së një takimi teknik në nivel pune mes SHBA-së dhe Iranit në ditët në vijim, por një takim i tillë ende nuk është realizuar, kanë shtuar burimet.

Para fillimit të luftës në fund të shkurtit, Vance ishte zëri më skeptik në rrethin e ngushtë të Trumpit lidhur me përfshirjen në konflikt, duke mbrojtur në vend të kësaj një zgjidhje diplomatike.

Ai ka udhëhequr ekipin negociator amerikan në samitin e prillit për Iranin, të mbajtur në Islamabad, dhe ishte personalisht i përfshirë në bisedimet që çuan në memorandumin e mirëkuptimit (MOU) mes SHBA-së dhe Iranit në qershor.

Më pas, Vance ka udhëhequr delegacionin amerikan në një rund bisedimesh të drejtpërdrejta me Iranin në Zvicër, të cilat përfunduan me zotimin e Teheranit për të ftuar inspektorët e OKB-së që të vizitonin objektet e tij bërthamore.

Por, pak kohë më vonë, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit rifilloi sulmet ndaj anijeve, duke çuar në shembjen e memorandumit të mirëkuptimit.

Dy javë më parë, Vance i ka dërguar një letër sekretarit të Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Mohsen Rezaei, duke propozuar rifillimin e negociatave të drejtpërdrejta. Rezaei është një nga njerëzit më të afërt të besuar të liderit suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei. Zyrtarët iranianë kanë thënë se letra e Vance krijoi një momentum pozitiv për rifillimin e negociatave.

Ndërkaq, të mërkurën, Vance ka deklaruar se lufta ishte arsyeja kryesore pse republikanët u ndëshkuan nga votuesit në zgjedhje.

Burimet e përfshira në përpjekjet ndërmjetësuese thonë se ka pasur përparim, por ai ka qenë shumë i ngadaltë.

“Këto dy javët e fundit kemi punuar me kolegë në administratën amerikane, të cilët kanë një vullnet të sinqertë për të gjetur një mënyrë për ta përmbajtur situatën dhe për ta ulur tensionin. Falë tyre dhe zërave të arsyeshëm në Teheran, po arrijmë të parandalojmë daljen e situatës jashtë kontrollit”, ka thënë kryeministri i Katarit të premten në mbrëmje.

Ai ka shtuar se bisedimet me administratën Trump vazhduan edhe pas zgjedhjeve të mesmandatit, megjithëse nuk ishin aq intensive sa në ditët para tyre, “pasi ata kishin çështje të tjera për t'u marrë”.

Megjithatë, ai ka theksuar se synimi i SHBA-së për të gjetur një zgjidhje diplomatike “vazhdon të jetë i pranishëm” dhe ka nënvizuar se një marrëveshje është e mundur.