Support TIME. Preserve the truth.
World

Infections increase in Gaza, WHO warns of worsening situation during winter

gas

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar të premten për rritje të ndjeshme të rasteve me infeksione të rrugëve të frymëmarrjes në Gazë. Sipas saj, situata pritet të përkeqësohet edhe më shumë pas reshjeve të dendura të shiut, të cilat kanë përmbytur dhjetëra mijëra tenda ku janë strehuar palestinezët e zhvendosur.

“Shifrat tregojnë tashmë përmasat e problemit. Rastet me infeksione akute të rrugëve të frymëmarrjes janë 33 mijë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, tha përfaqësuesja e OBSH-së në Territorin e Pushtuar Palestinez, Reinhilde Van De Weerdt.

Sipas OBSH-së, kushtet e vështira të jetesës dhe mbipopullimi po ndikojnë në përhapjen e infeksioneve.

Popullsia e Gazës është e përqendruar në një hapësirë gjithnjë e më të vogël, ndërsa situata është përkeqësuar edhe nga zgjerimi i kontrollit të ushtrisë izraelite përtej të ashtuquajturës “vijë e verdhë”. Kjo vijë përcakton kufirin e vendosur në kuadër të armëpushimit të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara në tetor.

“Kjo do të thotë se njerëzit po jetojnë në kushte edhe më të ngushta, ku viruset përhapen shumë më lehtë nga një person te tjetri”, shpjegoi Van De Weerdt.

Ushtria izraelite dhe COGAT-i, agjencia ushtarake izraelite përgjegjëse për koordinimin e ndihmave, nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës së Reutersit për koment.

Javën e kaluar, COGAT-i njoftoi se kishte shtuar përpjekjet për përmirësimin e kushteve sanitare para reshjeve të dendura, në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare.

Aktualisht, infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes përbëjnë 11 për qind të të gjitha rasteve për të cilat pacientët kërkojnë ndihmë mjekësore. OBSH-ja pret që situata të përkeqësohet me ardhjen e motit të ftohtë, përmbytjet, mbipopullimin e strehimoreve dhe mungesën e ajrosjes së duhur.

“Është tronditëse që vetëm disa ditë me reshje shiu na treguan se çfarë na pret në muajt e ardhshëm. Dimri ende nuk ka filluar plotësisht. Më e keqja është ende përpara”, paralajmëroi Van De Weerdt.

Sipas të dhënave të OBSH-së, afro një milion palestinezë të zhvendosur në Gazë jetojnë në zona që rrezikohen nga përmbytjet. Prej tyre, rreth 400 mijë ndodhen në zona me rrezik jashtëzakonisht të lartë.

Organizata paralajmëron se përmbytjet rrisin rrezikun e ndotjes së ujit, ndërsa uji i grumbulluar krijon kushte të përshtatshme për shumimin e mushkonjave dhe dëmtuesve të tjerë. Lagështia gjithashtu favorizon përhapjen e mykut dhe baktereve, të cilat mund të shkaktojnë infeksione të rrugëve të frymëmarrjes, veçanërisht te fëmijët e vegjël.

OBSH-ja bën të ditur se shumica e barnave po arrijnë të hyjnë në Gazë, por organizata po përballet me vështirësi në sigurimin e pajisjeve dhe materialeve laboratorike. Këto pajisje janë të domosdoshme për të diagnostikuar sëmundjet dhe për të përcaktuar trajtimin e duhur për pacientët.

“Për të parandaluar shpërthimin e epidemive, bëjmë thirrje që pajisjet laboratorike të lejohen të hyjnë në Gazë pa vonesa, në mënyrë që të shmangim një katastrofë të shëndetit publik, mbi një katastrofë që tashmë ekziston”, tha Van De Weerdt.