Support TIME. Preserve the truth.
World

The Rohingya, a story of survival amidst violence, hunger and trafficking

Rohingyat

Mustafa Kamal dhe bashkëshortja e tij, Toyuba Khatun, dikur kishin një jetë të mirë në Birmani. Por, prej gati një dekade, ata dhe familja e tyre jetojnë në një kamp refugjatësh në Cox’s Bazar të Bangladeshit. Ata nuk mund të largohen nga kampi pa leje, ndërsa ndihma ndërkombëtare për ushqim është ulur nga 12 në 10 dollarë në muaj për person

Ndërsa fshati i tij po digjej, Mustafa Kamal arriti në njëfarë mënyre ta shpëtonte familjen nga vdekja.

Ai, bashkëshortja, tre djemtë, tri vajzat dhe mbesa e tyre u larguan me vrap, derisa nuk kishin më fuqi të vazhdonin. Gjatë rrugës kaluan pranë trupave të pajetë të njerëzve që i njihnin, të vrarë nga forcat e sigurisë së Birmanisë.

Përshkuan zona të mbuluara me baltë, ku humbën disa nga rrobat e tyre, dhe kaluan nëpër shtigje të dendura në xhungël, të mbushura me shushunja. Disa ditë më vonë, kur më në fund kaluan një lumë dhe arritën në Bangladesh, gjatë rrugës me varkë panë trupat e fryrë të pajetë të myslimanëve të tjerë rohingya, të cilët nuk arritën të mbijetonin gjatë arratisjes.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë të enjten e 19 nëntorit ka dhënë vendimin dhe ka konstatuar se mizoritë e kryera ndaj pakicës etnike rohingya përbëjnë gjenocid të organizuar nga shteti i Birmanisë. Vrasjet, përdhunimet në grup dhe djegiet masive të fshatrave arritën kulmin në vitin 2017, pas vitesh të tëra përndjekjeje sistematike. Brenda pak javësh, rreth 750 mijë rohingya u larguan drejt Bangladeshit, në një nga eksodet më të shpejta të refugjatëve në historinë e kohëve të fundit. Por largimet nuk u ndalën me kaq.

Mustafa Kamal tha se një vendim i tillë ka rëndësi të madhe për të. Sipas tij, ai do të jetë një njohje e asaj që ndodhi në vendlindjen e tij, Zammona, njëri nga rreth 400 fshatrat rohingya që u shkatërruan plotësisht nga forcat e sigurisë së Birmanisë nëntë vjet më parë.

Megjithatë, i ulur në strehën e tij të errët dhe të ngushtë në Bangladesh, pjesë e kampit më të madh të refugjatëve në botë, 66-vjeçari tha se vuajtjet nuk përfunduan me ngjarjet e nëntë vjetëve më parë. Për popullin rohingya, mjerimi nuk ka fund, tha ai.

Ndihma humanitare për kampet e refugjatëve është zvogëluar ndjeshëm, ndërsa uria dhe sëmundjet janë përhapur gjerësisht. Në maj, djali 18-vjeçar i Kamalit u vra nga militantë rohingya, të cilët kanë krijuar një klimë terrori në kampet e refugjatëve. Trafikantët e qenieve njerëzore lëvizin lirshëm nëpër korridoret e ngushta mes tendave të mbuluara me mushama plastike, duke rrëmbyer burra, gra dhe fëmijë.

Njëra nga vajzat e Kamalit u rrëmbye nga një militant, i cili e përdhunoi. Ajo u detyrua të martohej me të dhe tani kanë edhe një djalë.

“O Allah, pse nuk ka drejtësi për rohingyat askund në këtë botë?”, tha Kamali mes lotësh, duke mbajtur në duar fotografinë e djalit të tij të vrarë.

Retë e zeza mbi rohingyat

Mustafa Kamal, sot 66 vjeç, u rrit në Zammona, një zonë pjellore në perëndim të largët të Birmanisë, e përbërë nga disa fshatra të vegjël. Aty kishte pellgje peshqish, dyqane të furnizuara mirë dhe xhami me harqe të bukura. Babai i tij ishte mësues në një shkollë shtetërore. Kamali mësoi gjuhën birmaneze, që flitet nga shumica budiste bamar në Birmani, dhe punoi si tregtar, duke transportuar mallra nga një qytet në tjetrin. Edhe bashkëshortja e tij, Toyuba Khatun, ishte e arsimuar.

Për dekada me radhë, rohingyat ishin përballur me shtypjen e ushtrisë, e cila kishte qeverisur Birmaninë dhe kishte ruajtur pushtetin në duart e shumicës bamar. Në vitet ‘80, rohingyat humbën statusin e tyre ligjor në Birmani dhe, në thelb, iu hoq shtetësia. Foshnjave të tyre rrallë u lëshoheshin certifikata të lindjes. Herë pas here kishte edhe tensione mes rohingyave dhe grupit tjetër etnik, rakhine, me të cilin ata ndanin të njëjtin rajon, shtetin Rakhine.

Megjithatë, Kamali tha se kishte pasur marrëdhënie të mira me banorët rakhine që jetonin në afërsi. Ai kishte ndjekur shkollën bashkë me ta, ndërsa babai i tij kishte qenë mësues i tyre.

Mohammed Yunus, pronar i një dyqani në Zammona, tha se i priste gjithmonë klientët budistë dhe bisedonte me ta, ndërsa ata negocionin për çmimet e rrobave apo pajisjeve elektronike. Zammona njihet me emrin Zin Paing Nyar në gjuhën birmaneze.

Në vitin 2012, shpërthyen përleshje mes rohingyave dhe grupit etnik rakhine, të nxitura edhe nga mënyra se si mediat shtetërore raportuan për ngjarjet. Autoritetet ndaluan tubimet me më shumë se pesë rohingya dhe mbyllën xhamitë. Shumë fëmijë rohingya nuk ndiheshin më të mirëpritur në shkollat shtetërore. Babai i Kamalit nisi t’i mësonte fshehurazi nipërit dhe mbesat në shtëpi, pasi dëshironte me çdo kusht që brezi i ri të arsimohej.

Kur vajza e Kamalit, Rehana Bibi, u martua, një zyrtar i Birmanisë e ndaloi të kishte më shumë se dy fëmijë. Ndërkohë, në të gjithë vendin nisi të përhapej një pretendim i rremë, sipas të cilit lindshmëria e lartë e rohingyave, ishte pjesë e një plani global të myslimanëve për të pushtuar tokat budiste.

Propaganda ushtarake i paraqiste në mënyrë të pavërtetë rohingyat si emigrantë të paligjshëm nga Bangladeshi. Kjo, pavarësisht se pjesëtarë të këtij komuniteti kishin qenë të zgjedhur në Parlament, kishin studiuar në universitetet më të mira të vendit dhe dikur kishin pasur edhe emisione në radion shtetërore në gjuhën e tyre, njësoj si grupet e tjera etnike të Birmanisë. Në zgjedhjet e vitit 2015, që sollën në pushtet partinë e udhëhequr nga laureatja e Çmimit Nobel për Paqe, Aung San Suu Kyi, rohingyave iu hoq edhe e drejta e votës.

Më 9 tetor 2016, një grup militantësh, i udhëhequr nga një refugjat rohingya i lindur në Pakistan dhe i arsimuar në Arabinë Saudite, sulmoi disa pika të forcave të sigurisë në Birmani. Sipas autoriteteve të Birmanisë, gjatë sulmeve u vranë nëntë policë.

Por përgjigjja e forcave të sigurisë nuk u kufizua vetëm te personat përgjegjës për sulmet. Ajo goditi një komunitet të tërë etnik.

Në Zammona, Kamali mbylli derën e shtëpisë së tij të madhe prej druri dhe u lut bashkë me familjen që ushtarët të mos i sulmonin.

Gjatë muajve që pasuan, ushtarët arrestuan burra në Zammona, duke i akuzuar se kishin marrë pjesë në sulmet e militantëve. Të arrestuarit i mohuan akuzat. Ata thanë se i vetmi “faj” i tyre ishte se ishin burra të rinj rohingya, në gjendje të mirë fizike.

Njëri prej tyre u dënua me 54 vjet burgim, ndërsa Soyadul Amin dhe Abdul Rohim morën nga 16 vjet burgim secili.

Amini tregoi se si ushtarët e Birmanisë ia kishin lidhur duart pas shpine, e kishin hedhur përtokë dhe kishin qeshur, ndërsa e detyronin ta hante ushqimin si kafshët, pa përdorur duart. Kur ai dhe të burgosurit e tjerë kërkonin ujë, ushtarët u ofronin urinë.

Në atë kohë, Kombet e Bashkuara njoftuan se ishin vrarë qindra rohingya dhe se operacioni i forcave të sigurisë kishte shumë gjasa të përbënte krime kundër njerëzimit.

“Nuk mund ta imagjinonim se çfarë do të ndodhte më pas. Njerëzit tanë, rohingyat, ishin shkatërruar”, tha Kamali.

Tërbimi i ushtrisë

Më 25 gusht 2017, militantët rohingya ndërmorën një valë tjetër sulmesh, duke vrarë më shumë se dhjetë pjesëtarë të forcave të sigurisë. Këtë herë, ushtria ishte e përgatitur dhe brenda pak orësh nisi hakmarrja brutale.

Mustafa Kamal dëgjoi shpërthimet e raketahedhësve që vinin nga lindja. Ai mblodhi familjen, por nuk patën kohë të merrnin asgjë me vete, përveç disa dokumenteve që dëshmonin se kishin jetuar në Birmani.

Edhe Mohammed Yunus, pronar i një dyqani, mblodhi familjarët dhe u largua nga shtëpia e tij dykatëshe, duke e mbyllur derën me çelës. Mendonte se do të kthehej së shpejti.

“Në Birmani isha njeri i pasur. Familjes sime nuk i mungonte asgjë”, tha ai.

Ndërsa ushtarët hynin në Zammona, Fatema Khatun, bashkëshortja e Soyadul Aminit, njërit prej burrave të burgosur, kërkonte me dëshpërim shtatë fëmijët e saj. Ajo ishte shtatzënë në muajin e shtatë dhe falënderoi Zotin kur pa se të gjithë ishin të sigurt.

Gjatë arratisjes drejt Bangladeshit, një ushtar i Birmanisë e kapi në pyll vajzën e saj 11-vjeçare, Sukura Begum, dhe e përdhunoi. Ky ishte një nga rastet e dhunës seksuale sistematike të dokumentuara nga hetuesit e Kombeve të Bashkuara.

Në një pjesë tjetër të fshatit, Morijan, një nënë e re, kërkonte djalin e saj nëntëvjeçar, Mohammed Omair, i cili kishte ikur drejt perëndimit kur nisën bombardimet. Dy ditë më vonë, ai u gjet i vrarë në një fushë orizi, me një plumb në zemër.

Sipas Kombeve të Bashkuara, të paktën 10 mijë rohingya u vranë nga forcat e sigurisë dhe turmat e dhunshme të grupit etnik rakhine, pas sulmeve të vitit 2017.

Në Zammona, dhjetë burra të paarmatosur u lidhën dhe u vranë, ndërsa trupat e tyre u hodhën në një varr masiv. Këtë e dëshmoi një ushtar i Birmanisë, i cili më vonë përfundoi në duart e një grupi të armatosur kundërshtar. Ai tregoi gjithashtu se shtatë rohingya të tjerë ishin qëlluar për vdekje.

Zammona u shkatërrua plotësisht dhe rrënojat vazhduan të digjeshin për ditë të tëra, të dukshme edhe nga Bangladeshi.

Katër vjet më vonë, pasi u lirua nga burgu me dënim të shkurtuar, Abdul Rohim u kthye në vendlindje, por u detyrua të largohej sërish drejt Bangladeshit.

“Çdo gjë ishte zhdukur. Nuk arrija ta njihja më asgjë”, tha ai.

Qeveria e Birmanisë më pas ndërtoi banesa të parafabrikuara mbi tokën e djegur, duke mbuluar gjurmët e fshatit. E vetmja gjë që mbeti ishte një pemë e madhe “Bodhi”, e shenjtë për budistët, pasi sipas besimit të tyre, nën një pemë të tillë Buda arriti ndriçimin shpirtëror.

“Nuk ndihem më i gjallë”

Në Bangladesh, Mustafa Kamal dhe familja e tij u vendosën në një strehë të vogël të mbuluar me mushama plastike. Ata nuk mund të largoheshin nga kampi pa leje, ndërsa ndihma ndërkombëtare për ushqim ishte ulur nga 12 në 10 dollarë në muaj për person.

Vajza e Fatema Khatunit, e cila ishte përdhunuar, vuan nga kriza të rënda epileptike. Një tjetër vajzë e saj, 18-vjeçare, ishte zhdukur për disa muaj dhe më pas e kishte telefonuar nga Malajzia, duke i treguar se ishte trafikuar dhe detyruar të martohej me një burrë rreth 50 ose 60 vjeç.

Bashkëshorti i Fatemës, Soyadul Amini, u lirua nga burgu pesë vjet më parë, por torturat i kishin dëmtuar rëndë veshkat. Ai qëndron i shtrirë në dyshemenë e strehës, duke vuajtur nga dhimbjet e vazhdueshme. Familja nuk ka para as për ilaçe. Herë pas here, ai përsërit numrat në gjuhën birmaneze që i kishin shërbyer si numër identifikimi në burg.

“Unë duhej të kisha vdekur. Nuk ndihem më i gjallë”, pëshpëriti ai.

Ditë më parë, në strehën e Kamalit ishin mbledhur disa fëmijë. Nipi i tij dhjetëvjeçar tregoi se si ishte mbajtur peng nga militantët, duke hapur krahët për të treguar madhësinë e thikave që ata mbanin.

Njëra nga mbesat e tij, fillimisht e heshtur, më vonë përshëndeti ekipin e NYT me ndrojtje në anglisht. Filluan të ushtronin disa fjali të thjeshta.

Si quhesh? Sadeka Bibi.

Sa vjeçe je? 13.

Nga vjen? Ajo nuk arriti të përgjigjej në anglisht. Nëna i shpjegoi se përgjigjja ishte numri i bllokut të kampit ku jetonin.

Sadeka provoi përsëri.

“Unë jam rohingya. Vij nga Birmania”, tha ajo.