Support TIME. Preserve the truth.
World

The man who helped the CIA operate covertly in Mexico

CIA

Presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum, kishte kundërshtuar prerazi çdo operacion të forcave amerikane në territorin e vendit. Megjithatë, në një shtet verior pranë kufirit me SHBA-në, një zyrtar vendas ndihmoi CIA-n të krijonte fshehurazi praninë e saj dhe të merrte pjesë në operacione kundër karteleve të drogës

Kur Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) po kërkonte mënyra për të zgjeruar në heshtje operacionet e saj në Meksikë vitin e kaluar, gjeti një partner veçanërisht të dobishëm.

Meksika kishte vendosur kufizime të rrepta për veprimtarinë e forcave amerikane në territorin e saj. Presidentja Claudia Sheinbaum kishte deklaruar vazhdimisht se nuk dëshironte që ato të merrnin pjesë në operacione në terren, pasi kjo do të përbënte shkelje të sovranitetit të vendit.

Për CIA-n, Guillermo Zuany Portillo, prokuror dhe ish-komandant policie në shtetin kufitar të Chihuahuas, ofronte një mundësi tjetër bashkëpunimi.

Ai mundësonte që zyrtarët e CIA-s të bashkëpunonin me njësitë policore meksikane në operacionet kundër karteleve të drogës. Sipas zyrtarëve meksikanë dhe amerikanë, ai kishte edhe një arsye të fortë për të qenë bashkëpunues.

Vetëm disa muaj më parë, Shtetet e Bashkuara ia kishin anuluar vizën, për shkak të dyshimeve për lidhje me po ato kartele që CIA synonte t’i luftonte. Kjo bëhet e ditur në një letër që zyrtarët meksikanë ia kishin dërguar FBI-së dhe të cilën e ka siguruar gazeta The New York Times.

Ndërkohë, CIA kërkonte një bashkëpunim që shkonte përtej mbështetjes logjistike dhe shkëmbimit të informacioneve. Këto ishin format e vetme të bashkëpunimit të sigurisë mes dy vendeve, sipas deklarimeve të përsëritura të presidentes Sheinbaum.

Për më shumë se gjashtë muaj, Zuany ndihmoi zyrtarët e CIA-s të krijonin lidhje me forcat e shtetit Chihuahua. Ai i shoqëroi gjatë trajnimeve të policisë, mori pjesë në disa misione dhe ofroi ekspertizën e tij gjatë operacioneve në terren. Këtë e konfirmuan nëntë zyrtarë dhe pjesëtarë të forcave të rendit në Meksikë dhe SHBA. Në këmbim, sipas tyre, atij iu rikthye viza amerikane.

Por në prill, një kamionçinë me dy zyrtarë të CIA-s doli nga rruga dhe ra në një humnerë. Të katër personat që ndodheshin në automjet humbën jetën. Aksidenti zbuloi praninë e fshehtë të CIA-s në Chihuahua dhe shkaktoi një skandal në shkallë kombëtare.

Tani, Zuany është në arrati.

Hetimet në Meksikë e cilësuan aksidentin si të tillë, por këtë muaj autoritetet lëshuan një urdhërarrest për Zuanyn. Ai akuzohet për përfshirje në bashkëpunimin me CIA-n. Më pas, autoritetet arrestuan edhe ish-shefin e tij, ish-prokurorin e përgjithshëm të Chihuahuas, César Jáuregui. Atë e akuzuan për tradhti, me pretendimin se kishte lejuar gjithashtu agjentët e CIA-s të vepronin në këtë shtet.

Akuzat zbuluan lidhjet e Zuanyt me CIA-n. Megjithatë, shkalla e përfshirjes së tij në këtë bashkëpunim nuk ishte bërë e ditur më parë. Po ashtu, nuk ishte raportuar se CIA kishte nisur të bashkëpunonte me të, ndërkohë që ai ishte nën hetim aktiv nga FBI-ja. Edhe shumë detaje të operacioneve të CIA-s në Chihuahua nuk ishin bërë publike.

Artikulli bazohet në qindra faqe dokumentesh të pabotuara, të shqyrtuara nga The New York Times, si dhe në intervista me rreth 24 zyrtarë meksikanë dhe amerikanë. Ata kanë folur në kushte anonimiteti për shkak të natyrës konfidenciale të operacioneve dhe hetimeve.

Ky rast hedh dritë mbi vendimin e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, për të zgjeruar praninë e CIA-s në Meksikë. Kjo ndodhi në një kohë kur presidentja Sheinbaum po përsëriste pothuajse çdo ditë se prania e forcave amerikane të sigurisë në territorin meksikan do të përbënte shkelje të rëndë të sovranitetit të vendit.

Megjithatë, në takime private, Sheinbaum kishte thelluar bashkëpunimin në fushën e sigurisë, përfshirë edhe me CIA-n. Një nga arsyet ishte shmangia e kërcënimeve të presidentit Trump, për ndërhyrje të njëanshme ushtarake kundër karteleve të drogës.

Por qeveria e saj ka lënë të kuptohet se zyrtarë të Chihuahuas, si Zuany, mund të kenë shkelur ligjin duke lejuar agjentët e CIA-s të vepronin pa miratimin e qeverisë federale.

Ish-prokurori Jáuregui, i cili ndodhet në paraburgim, ka mohuar se kishte dijeni për praninë e CIA-s në këtë shtet. Përgjegjësinë ia ka atribuuar një komandanti të policisë shtetërore, i cili gjithashtu humbi jetën në aksident.

Në mesazhet që i dërgoi gazetës The New York Times, Zuany tha se gjithmonë kishte vepruar në mënyrë etike dhe profesionale. Ai pretendoi se raportimi i gazetës mbështetej vetëm në versionin e personave të pakënaqur, të cilët, sipas tij, po vepronin me qëllime të këqija. Zuany refuzoi të jepte komente të tjera.

Ndërkohë CIA nuk pranoi të komentonte rastin.

Njeriu me ndikim në Chihuahua

Guillermo Zuany Portillo njihet mirë në shtetin e Chihuahuas. Ai ka lidhje të shumta me persona me ndikim dhe dyshohet për korrupsion. Këto dyshime përmenden në kërkesën e prokurorëve shtetërorë për lëshimin e urdhërarrestit ndaj tij, në dëshmitë e personave të mbrojtur nga autoritetet, si dhe nga më shumë se dhjetëra zyrtarë meksikanë, në nivel shtetëror dhe federal, që e njohin atë.

Një zyrtar i policisë së Chihuahuas gjatë dëshmisë së tij të përfshirë në kërkesën për urdhërarrest, deklaroi se Zuany ua bënte gjithmonë të qartë se kishte pushtet të madh.

“Ai thoshte se askush nuk do ta largonte nga posti, sepse njihte shumë kriminelë”, deklaroi zyrtari. Sipas tij, Zuany paralajmëronte se kushdo që do ta tradhtonte, do të përballej me pasoja të rënda.

Katër dëshmitarë kanë bërë kallëzime penale ndaj Zuanyt, duke e akuzuar se kishte ndihmuar në vrasjen e dy policëve në vitin 2022 dhe më pas ishte përpjekur të pengonte hetimet për këtë rast. Kjo thuhet në një kallëzim të siguruar nga gazeta The New York Times.

Të paktën njëri prej dëshmitarëve kishte kërkuar më vonë mbrojtjen e autoriteteve, pasi, sipas tij, ishte informuar se Zuany kishte urdhëruar vrasjen e tij. Kjo kërkesë për mbrojtje është përfshirë në dokumentet zyrtare.

Më vonë, autoritetet amerikane e vendosën këtë person në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve, sipas katër personave që kanë dijeni për këtë marrëveshje.

Rreth vitit 2025, CIA nisi bashkëpunimin me Zuanyn, pavarësisht paralajmërimeve për të kaluarën e tij nga të paktën një zyrtar amerikan dhe një zyrtar i shtetit Chihuahua. Këtë e bëjnë të ditur dy persona që kanë dijeni për këto biseda.

CIA e përdorte Zuanyn si kontakt të besueshëm në terren, por nuk e paguante siç bën zakonisht me shumë informatorë të tjerë. Sipas një personi të informuar për këtë bashkëpunim, CIA ka më shumë liri veprimi sesa ushtria amerikane dhe Departamenti i Shtetit, të cilat përballen me kufizime të rrepta ligjore për personat me të cilët mund të bashkëpunojnë. CIA, në anën tjetër, mund të bashkëpunojë edhe me persona me të kaluar të dyshimtë, nëse ata mund ta ndihmojnë të arrijë tek objektiva të rëndësishëm.

Nisja e operacioneve të CIA-s në terren

Në vjeshtën e vitit 2025, Zuany prezantoi një zyrtar amerikan të CIA-s me pjesëtarë të policisë së shtetit Chihuahua, sipas katër zyrtarëve meksikanë. Ai u tha të pranishmëve se synonte të krijonte një njësi të re të forcave speciale.

Për disa muaj, zyrtari amerikan vëzhgoi stërvitjet taktike të policëve, analizoi pajisjet e tyre dhe mori pjesë në ushtrime fizike, thanë të njëjtët zyrtarë.

Më pas, ai dhe disa zyrtarë të tjerë të CIA-s nisën t’i shoqëronin forcat policore në operacione, zakonisht së bashku me Zuanyn. Kjo bëhet e ditur në kërkesën për urdhërarrest dhe nga gjashtë zyrtarë meksikanë që i kishin parë këto operacione.

Në disa raste, operacionet përfunduan pa rezultat, pasi personat e dyshuar për lidhje me kartelet arritën të largoheshin. Kjo ngriti dyshime te disa policë meksikanë se kriminelët ishin paralajmëruar paraprakisht për aksionet.

Në njërin prej operacioneve, Zuany dhe disa zyrtarë amerikanë ndihmuan në drejtimin e një aksioni për arrestimin e një drejtuesi të një karteli në një lokal. Por, kur forcat meksikane mbërritën në vendngjarje, ai dhe njerëzit e tij ishin larguar. Sipas dy zyrtarëve meksikanë që morën pjesë në operacion dhe dy të tjerëve që u informuan për të, kjo shkaktoi pakënaqësi të dukshme te amerikanët.

Gjatë operacioneve, amerikanët zakonisht mbanin uniforma taktike dhe ishin të armatosur. Në disa raste, ata mbanin edhe xhaketa me shenjat dalluese të shtetit Chihuahua, sipas kërkesës për urdhërarrest dhe gjashtë zyrtarëve që i kishin parë.

Ata mbanin shpesh me vete kompjuterë ose tableta, të cilët, sipas dokumenteve dhe dëshmitarëve, dukeshin se përdoreshin për të marrë informacione në kohë reale.

Zyrtarët e CIA-s nuk përfshiheshin drejtpërdrejt në luftime. Roli i tyre dukej se ishte kryesisht sigurimi i informacioneve dhe orientimi i operacioneve, shpesh përmes Zuanyt, thuhet në kërkesën për urdhërarrest dhe në dëshmitë e zyrtarëve.

Gjatë rrugës për në një operacion në muajin mars, Zuany dhe një amerikan, që besohet të ketë qenë zyrtar i CIA-s, diskutuan se si duhej të pozicionoheshin pjesëtarët e policisë shtetërore gjatë aksionit. Sipas kërkesës për urdhërarrest, këtë ia deklaroi prokurorëve të shtetit një zyrtar i Chihuahua-s.

Në një tjetër bastisje në një shtëpi që përdorej si bazë e fshehtë e një karteli, një zyrtar amerikan përdori pushkën për të siguruar mbulim nga jashtë, ndërsa policët meksikanë hynin brenda. Këtë e konfirmuan dy zyrtarë meksikanë që ishin të pranishëm.

Pas bastisjes, një tjetër zyrtar i CIA-s shqyrtoi pajisjet elektronike të sekuestruara. Ai ishte gjithashtu i pranishëm gjatë marrjes në pyetje të një personi të arrestuar, tha njëri prej zyrtarëve.

Fatal accident

Në prill, CIA zhvilloi operacionin më të madh deri atëherë në shtetin Chihuahua. Synimi ishte gjetja dhe shkatërrimi i një laboratori të madh të metamfetaminës, i vendosur në një zonë të thellë malore.

Në ditët para operacionit, zyrtarët e CIA-s u takuan disa herë me Zuanyn dhe zyrtarë të tjerë të Chihuahuas, thuhet në kërkesën për urdhërarrest. Pamjet e kamerave të sigurisë tregonin disa prej tyre duke mbajtur armë të gjata brenda zyrave shtetërore.

Disa ditë më vonë, katër zyrtarë amerikanë iu bashkuan një autokolone me më shumë se 60 pjesëtarë të forcave meksikane të sigurisë, të cilët u nisën drejt maleve. Gjatë operacionit dyditor, amerikanët u përpoqën ta fshihnin identitetin duke mbajtur maska që mbulonin fytyrën, sipas zyrtarëve të pranishëm.

Zyrtarët e CIA-s ndihmuan forcat meksikane të gjenin laboratorin e drogës. Kur mbërritën, aty nuk kishte njerëz, por pajisjet dhe rezervuarët e gazit, si dhe enët me kimikate, tregonin se laboratori ishte përdorur kohët e fundit.

Pas operacionit, grupi u nis drejt kryeqytetit të shtetit, për një udhëtim gjatë natës. Pjesëtarët e forcave ishin të lodhur dhe të uritur.

Autokolona me nëntë automjete po lëvizte nëpër rrugët malore. Në krye ishte një automjet i blinduar, i cili ngrinte pluhur dhe vështirësonte dukshmërinë. Pas tij udhëtonte një kamionçinë me dy zyrtarë të CIA-s dhe dy zyrtarë meksikanë.

Pas mesnatës, automjeti doli nga rruga, ra rreth 90 metra në humnerë dhe shpërtheu. Të katër personat që ndodheshin brenda humbën jetën. Pas aksidentit, pjesëtarët e forcave zbritën në humnerë për të nxjerrë trupat, sipas hetimeve.

Zuany nuk kishte marrë pjesë në operacion, por policët meksikanë e telefonuan nga vendi i aksidentit. Sipas dy personave të pranishëm, ai u kërkoi të nxirrnin trupat e zyrtarëve të CIA-s dhe të siguroheshin që ata të mos mbanin shenja dalluese të qeverisë meksikane.

Më vonë, Zuany u bëri presion policëve që të fshihnin praninë e CIA-s në operacion, kur të merreshin në pyetje nga autoritetet meksikane, sipas tre personave të informuar për rastin.

Presidentja Sheinbaum reagoi ashpër, duke thënë se kabineti i saj i sigurisë nuk kishte pasur dijeni për aktivitetet e CIA-s në Chihuahua. Ajo kërkoi shpjegime nga administrata Trump dhe zyrtarët shtetërorë, duke u përfshirë edhe në një përplasje publike me guvernatoren konservatore të Chihuahua-s, Maru Campos.

Ndërkohë, Zuany dhe Jáuregui dhanë dorëheqje.

Guvernatorja Campos ka këmbëngulur se nuk kishte dijeni për operacionet e CIA-s në shtetin e saj. Menjëherë pas aksidentit, qeveria e saj fajësoi komandantin e policisë që humbi jetën, duke pretenduar se ai ishte përgjegjës për përfshirjen e amerikanëve në operacionet policore.

Në një mesazh, Zuany pretendoi se Campos kishte qenë në dijeni të pranisë së CIA-s. Por guvernatorja e mohoi këtë dhe tha se ai duhet të jetë i gatshëm të dëshmojë para gjykatës. “Nëse ka diçka për të thënë, le të dalë dhe ta thotë”, deklaroi ajo.

Këtë muaj, Campos dhe Sheinbaum u takuan në Chihuahua. Të dyja pranuan se takimi ishte i tensionuar dhe se gjatë tij kishin ngritur zërin. Pak më vonë, qeveria e Campos lëshoi urdhërarreste për Zuanyn dhe Jáureguin, duke i akuzuar se kishin lejuar praninë dhe veprimtarinë e CIA-s në këtë shtet.

Në një deklaratë, zyra e guvernatores tha se veprimet e dy ish-zyrtarëve përbënin “një dështim serioz”. Ajo shtoi se Campos kishte marrë përgjegjësinë për përmirësimin e mekanizmave të kontrollit që kishin mundësuar këtë situatë.

Jáuregui, i cili synonte të bëhej kryetar i qytetit Chihuahua, ishte një nga figurat më të njohura në kryeqytetin e shtetit. Fotot e tij ishin vendosur në shumë billborde përgjatë autostradave. Muajin e kaluar, në njërën prej këtyre rrugëve, ai u ndalua nga policia dhe u arrestua.

Ndërsa Zuany vazhdon të jetë në arrati.