Support TIME. Preserve the truth.
World

Microsoft reports progress in restoring services after global outage

ecosystem

Pas ndërprerjes globale të shërbimeve të Microsoftit, janë shënuar përmirësime në rikthimin e platformave Outlook, Teams dhe Copilot. Megjithatë, në ditën e dytë të problemeve, disa përdorues vazhdojnë të përballen me ndërprerje dhe vonesa në pranimin e e-maileve

Një ndërprerje globale e shërbimeve të Microsoftit ka shkaktuar probleme për përdoruesit e programeve Outlook, Teams dhe asistentit me inteligjencë artificiale Copilot, duke penguar komunikimin në kompani dhe institucione në vende të ndryshme të botës.

Në ditën e dytë të ndërprerjes, e cila u evidentua për herë të parë rreth 18 orë para njoftimit fillestar të kompanisë, Microsofti ka bërë të ditur se po shënohet përparim në rikthimin e shërbimeve, megjithëse disa përdorues vazhdojnë të përballen me probleme.

Microsofti bëri të ditur se ndërprerja ka prekur një numër të madh shërbimesh të platformës Microsoft 365, duke bërë që shumë përdorues të mos kenë mundësi të qasen në postën e tyre elektronike.

Në përditësimin e fundit të publikuar të premten, kompania bëri të ditur se disponueshmëria e shërbimeve dhe dërgimi e pranimi i e-maileve po përmirësohen në një pjesë gjithnjë e më të madhe të sistemeve të prekura.

 “Po shohim përparim inkurajues në rikthimin e shërbimeve. Disponueshmëria e tyre dhe funksionimi i postës elektronike po përmirësohen në një pjesë gjithnjë e më të madhe të infrastrukturës së prekur të Microsoft 365”, ka shkruar Microsoft. 

Në një njoftim tjetër, Microsofti bëri të ditur se përmirësime më të gjera janë vërejtur në Amerikën e Veriut, ndërsa në pjesën më të madhe të Evropës gjendja është përmirësuar në mënyrë të qëndrueshme. Shenja pozitive të rikthimit të shërbimeve janë raportuar edhe në rajonin Azi-Paqësor.

Megjithatë, kompania paralajmëroi se disa përdorues mund të vazhdojnë të përballen me ndërprerje të herëpashershme ose vonesa në pranimin e e-maileve, derisa të përfundojnë ndërhyrjet në të gjitha sistemet e prekura.

Kompania, me seli në Redmond, bëri të ditur se po përdor metoda të ndryshme për ta identifikuar shkakun e problemit dhe për të rikthyer funksionimin e serverëve.

Microsofti theksoi se deri tani nuk ka asnjë tregues se problemi është shkaktuar nga ndonjë sulm apo aktivitet keqdashës. Kompania u zotua se do ta trajtojë situatën me urgjencë deri në rikthimin e plotë të shërbimeve.

Kompania nuk ka bërë të ditur numrin e përgjithshëm të përdoruesve të prekur nga ndërprerja dyditore. 

Në Britani, ndërprerja e shërbimeve shkaktoi edhe pezullimin e një procesi gjyqësor në Mançester. Gjykatësi Maurice Greene u kërkoi anëtarëve të jurisë të largoheshin, për shkak të vonesave të shkaktuara nga problemet teknologjike. Ai tha se ky rast dëshmon rrezikun e mbështetjes së madhe të gjykatave te teknologjia. Ndërkohë, qeveria britanike bëri të ditur se po bashkëpunon ngushtë me Microsoftin për të vlerësuar ndikimin e ndërprerjes në shërbimet publike, por theksoi se ka plane rezervë për t’i kufizuar pasojat.

Edhe në Australi, ministri i Punëve të Brendshme, Tony Burke, tha se Microsofti e ka krahasuar këtë ndërprerje me incidentin e vitit 2024, të shkaktuar nga një përditësim i gabuar i kompanisë së sigurisë kibernetike CrowdStrike. Atëbotë, problemet prekën sistemet që përdorin Windows-in dhe shkaktuan anulimin e fluturimeve, si dhe ndërprerje në spitale, banka dhe dyqane. Burke bëri të ditur se kishte diskutuar për situatën me drejtuesin e Microsoftit në Australi dhe koordinatorin kombëtar të sigurisë kibernetike.

Ndërkohë, bizneset në Hong-Kong po përballen gjithashtu me pasoja. Danny Lau, pronar i një kompanie të aluminit, tha se përmes Outlook-ut nuk po arrinte të pranonte përditësime nga klientët e tij në Shtetet e Bashkuara. Ai paralajmëroi se nëse problemet vazhdojnë, kjo mund të ndikojë në afatet e prodhimit. Ndërprerje në disa operacione janë raportuar edhe në banka në Hong-Kong, një prej qendrave kryesore financiare të Azisë.