Kanadaja dhe Bashkimi Evropian kanë njoftuar krijimin e një aleance të re mes vendeve me interesa dhe vlera të përbashkëta, me synimin për të forcuar bashkëpunimin ekonomik, politik dhe të sigurisë, si dhe për të zvogëluar varësinë nga partnerët e tjerë globalë. Aleanca do të jetë e hapur edhe për shtetet e tjera që ndajnë të njëjtat parime.
Kryeministri kanadez, Mark Carney, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e kanë prezantuar partneritetin e ri me emrin “Aleanca për të Ardhmen”, gjatë një deklarimi për media në Montreal.
Sipas tyre, një partneritet sa më i madh ndërmjet Kanadasë dhe 27 vendeve anëtare të BE-së mund të krijojë stabilitet dhe mundësi të reja në një periudhë të karakterizuar nga pasiguria gjeopolitike.
“Shoqëritë tona janë tronditur nga stuhi të reja”, ka deklaruar Carney, duke iu referuar jo vetëm pasojave të krizës klimatike, por edhe dobësimit të normave demokratike dhe përdorimit të tregtisë si instrument presioni politik.
Në përfundim të samitit dyditor, Kanadaja është pajtuar të kontribuojë në kredinë mbështetëse prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën. Po ashtu, udhëheqësit kanë bërë të ditur se diskutimet e ardhshme synojnë krijimin e një tregu më të integruar, me vlerë prej dhjetëra miliarda dollarësh, lehtësimin e kufizimeve tregtare dhe të udhëtimit, si dhe krijimin e mundësive të reja në fushën e arsimit.
Afrimi i Kanadasë me partnerë të rinj gjeopolitikë vjen në një kohë tensionesh tregtare me Shtetet e Bashkuara. Qeveria e Carneyt po synon të zvogëlojë varësinë nga kompanitë amerikane, veçanërisht në sektorin e mbrojtjes dhe teknologjisë.
Një shqetësim i tillë është shtuar edhe pas vendimit të Elon Muskut për të kufizuar shpejtësinë e shërbimeve Starlink dhe Starshield mbi Ukrainë në mesin e tetorit, gjë që, sipas raportimit, kishte shkaktuar ndërprerje serioze në operacionet ushtarake dhe mbrojtëse ukrainase.
Carney ka paralajmëruar vazhdimisht se teknologjitë e mbrojtjes të Kanadasë nuk duhet të varen nga vendimet e kompanive apo aktorëve politikë që mund të kenë interesa të kundërta.