Reagimet në Serbi dhe në entitetin e Republikës Srpska pas vdekjes së kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiq, shkaktuan zemërim në mbarë botën, por në Tel Aviv ato ngjallën një ndjenjë krejtësisht tjetër.
Në një analizë të gjerë për gazetën izraelite “Haartez”, analistja politike Dahlia Scheindlin tërheq një paralele të fortë mes mënyrës se si shoqëria serbe mohon krimet e viteve 1990 dhe situatës aktuale shoqërore në Izrael, si pasojë e luftës në Gaza.
Scheindlin kujton rolin e Mladiqit si komandant ushtarak i Ushtrisë së serbëve të Bosnjës, i cili në vitin 2017 u dënua për gjenocid dhe krime të tjera lufte ndaj boshnjakëve nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë.
Fytyra e tij, shkruan ajo, do të mbetet përgjithmonë simbol i mizorive të kryera në Bosnjë dhe Hercegovinë, të cilat tronditën botën dhe vetë atë, kur ishte studente në fillim të viteve 1990. Megjithatë, në vend që ta dënonte, Serbia i dha atij një lamtumirë si një hero, me flamuj në gjysmështizë dhe fjalime të zjarrta lavdëruese nga politikanë serbë.
“Si mund të mbetën serbët të papenduar? Tridhjetë vjet pas përfundimit të luftës, a nuk i dënojnë ata urinë e boshnjakëve pas telave me gjemba, përdhunimet masive dhe eshtrat e varrosur në tokën e Sebrenicës”, pyet autorja. Duke i parë këto skena nga Tel Avivi, ajo thekson se nuk ndjeu habi, por një ndjenë rrëqethëse familjariteti.
“Bota pyeste veten se si Izraeli mund të pranonte atë që ka bërë në Gaza për tre vjet. Përgjigja e Serbisë dukej sikur ishte një vështrim në shpirtin e së ardhmes së vetë Izraelit”, shkruan Scheindlin duke shtruar pyetje për të ardhmen:
“A është vërtetë kështu, pyeta vetën për të ardhmen? A do t’i nderojnë izraelitet pas tredhjet vjetësh, Benjamin Netanyahuj si hero të mbrojtjes? ? Po Yoav Gallant, ministri i Mbrojtjes gjatë vitit të parë të luftës në Gaza, njeriu që bëri thirrje për një rrethim kolektiv dhe hermetik dhe zhvilloi një luftë të pamëshirshme, e cila shkaktoi të paktën po aq viktima civile sa më shumë se 41.000 personat që vdiqën në Bosnjë? Dhe këta janë vetëm dy izraelitë që përballen me aktakuza nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.”
Duke i analizuar reagimet nga ish-Jugosllavia, Scheindlin thekson se vdekja e një krimineli lufte nuk sjell shërim dhe as nuk i shëron automatikisht plagët. Në tekst, ajo përcjell fjalët e Emir Suljagiqit, drejtor i Qendrës Memoriale të Srebrenicës dhe një njeriu që vetë i mbijetoi gjenocidit. Suljagiq shkroi në rrjetin social X se ai po ndërtonte një jetë më të mirë pa pritur vdekjen e Mlladiqit.
“Nuk di çfarë të them dhe as nuk dua të komentoj për neverinë që vdiq në njësinë e paraburgimit të OKB-së në Scheveningen. Në vend të kësaj, i ndihmova vajzat e mija të bënin bizhuteri. Lexuam përralla para gjumit. I vura të dyja në gjumë dhe jeta ime vazhdon. Fëmijët e mi nuk do të rriten nën të njëjtat hije në të cilat u rrita unë”, ka thënë ai.
Autorja citon gjithashtu vërejtjet e intelektualit dhe publicistit të njohur kosovar, Veton Surroi, i cili kujtoi fotografinë e famshme ku Mlladiqi i përkëdhel kokën një djali boshnjak me një bujari të shtirur, ndërsa praktikisht në të njëjtin moment urdhëron vrasjen e babait të djalit, së bashku me 8.000 persona të tjerë. Surroi kujton se autoritetet serbe e mbrojtën Mlladiqin dhe Radovan Karaxhiqin nga drejtësia ndërkombëtare për vite me radhë dhe shkruan “trupi i tij mund të vendoset në një arkivol, por gjenerali Mlladiq vazhdon të jetojë”.
Një mësim për Izraelin
Nga këto përvoja, Scheindlin nxjerr një mësim kyç për Lindjen e Mesme: komuniteti ndërkombëtar në vitin 1995, në Bosnjë dhe Hercegovinë, nuk priti që palët të fillonin t’i besonin njëra-tjetrës përpara se të impononte një marrëveshje paqeje.
“Përkthyer në marrëdhëniet izraelito-palestineze, askush nuk duhet të presë për ‘ndërtimin e besimit’ apo të kushtëzojë paqen me të. Lufta, pushtimi dhe vrasjet duhet të ndalen menjëherë, jo pasi që të presim që njerëzit të fillojnë të ndihen rehat me njëri-tjetrin, sepse kjo ndoshta nuk do të ndodhë”, shprehet autorja.
Megjithatë, autorja thekson se shoqëria serbe nuk është plotësisht homogjene. Ajo citon deklaratën e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, të drejtuar nga Sonja Biserko, një organizatë që në një deklaratë dërguar “Haartez” theksoi qartë:
“Serbia nuk është përballur kurrë me ndershmëri me humbjen e politikës që çoi në luftërat e viteve 1990, as me pasojat e saj. Në vend që ta shqyrtojë në mënyrë kritike atë politikë, të marrë përgjegjësi për dhe për humbjet e mëdha njerëzore e politike që shkaktoi, një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë serbe vazhdon ta pranojë narrativen sipas të cilës luftërat paraqiten si një padrejtësi historike ndaj serbëve”.
Në deklaratën e saj, Biserko paralajmëron se kjo narrativë gjen jehonë edhe te brezi i ri, i cili e sheh vetën si bartës të ndryshimeve demokratike, dhe thekson se demokratizimi i vërtetë kërkon “një shkëputje themelore nga ideologjia që justifikoi luftën, zgjerimin territorial dhe dhunën në emër të kombit serb”.
Scheindlin kujton gjithashtu shembuj pozitivë, si të rinjtë në Novi Sad që grisën posterët me imazhin e Mlladiqit, duke brohoritur “Kriminel, jo hero!” dhe “Serbët nuk janë popull gjenocidal!”, si dhe qytetarët e shumtë që prej vitesh kanë dënuar publikisht dhe qartë krimet e luftës dhe gjenocidin në Srebrenicë.
Në fund të analizës së saj të gjerë, analistja izraelite u referohet përfundimeve të historianëve dhe teoricienëve si Hannah Arendt dhe Christopher Browning, të cilët kanë dëshmuar se, në rrethana të përshtatshme dhe të tmerrshme, çdokush mund të shndërrohet në kriminel dhe vrasës.
“Të jesh viktimë e një krimi nuk të mbron nga shndërrimi edhe në autor të krimit; shumë shpesh, kjo na verbon ndaj vetë mundësisë që dhuna jonë mund të jetë ndonjëherë një krim, sepse gjithçka bëhet ‘vetëmbrojtje’”, paralajmëron Scheindlin.
Ajo shpjegon se si serbët në vitet 1990 ishin të bindur se ishin viktima të historisë, duke ndërthurur thashethemet për shqiptarët në Kosovë me traumat e Luftës së Dytë Botërore dhe krimet e ustashëve, deri te disfata nga Perandoria Osmane në vitin 1389. Kjo traumë, reale dhe mitike njëkohësisht, shpërtheu në një kërcënim ekzistencial të shfrytëzuar nga liderë të etur për pushtet, të cilët e mbushën shoqërinë me nacionalizëm përmes muzikës turbo-folk dhe shkrimeve akademike.
“Si hebreje, ajo që më përndjek nuk është vetëm mënyra se si një popull mund të masakrohet apo mënyra se si bota mund të mobilizohet për ta ndalur një mizori të tillë. Besoj se pyetja më urgjente që të gjitha shoqëritë duhet t’ia bëjnë vetes është: Si do ta dalloni një kriminel kur ai shfaqet mes jush, në emrin tuaj, në emër të fëmijëve tuaj, për t’i legjitimuar krimet e tij ndaj të tjerëve? Si do ta kuptoni se po përdoreni dhe çfarë do të bëni për t’i ndalur krimet?”, përfundon Dahlia Scheindlin në “Haaretz”.