Support TIME. Preserve the truth.
World

Germany is about to have its first female president

Ilse Aigner

Photo: Associated Press

Gjermania pritet të ketë presidenten e parë grua në historinë e saj, pasi partia e kancelarit Friedrich Merz ka propozuar të hënën Ilse Aigner, një politikane të qendrës së djathtë, e cila gëzon mbështetje edhe te liberalët, për të marrë postin e kreut të shtetit vitin e ardhshëm.

“Për mendimin tim, ka ardhur koha që një grua të mbajë për herë të parë postin më të lartë”, ka thënë Merz gjatë prezantimit të Aigner-it.

Ai ka theksuar se edhe formimi i saj si inxhiniere elektrike do të ishte një risi për një presidente, duke reflektuar “realitetin e miliona njerëzve në vendin tonë” që punojnë në profesione praktike.

Aigner e ka paraqitur veten si një figurë bashkuese në një vend gjithnjë e më të polarizuar, duke thënë se shpreson të përfaqësojë “qendrën e fortë”.

Ajo ka thënë se mbështetja e gjerë politike që po merr kandidatura e saj përbën “një sinjal të rëndësishëm kundër forcave populiste dhe ekstremiste në vendin tonë”.

Presidenti i ri do të zgjidhet më 30 janar, kur një asamble e posaçme parlamentare do të zgjedhë pasardhësin e presidentit Frank-Ëalter Steinmeier, të cilit Kushtetuta nuk ia lejon kandidimin për një mandat të tretë pesëvjeçar.

Asambleja përbëhet nga 630 anëtarët e dhomës së ulët të parlamentit federal dhe po aq delegatë nga parlamentet e 16 landeve gjermane.

Aigner, 61 vjeçe, është kryetare e parlamentit të landit të Bavarisë dhe vjen nga Unioni Social Kristian (CSU), partia më e vogël e tri partive në qeverinë federale dhe pjesë e bllokut konservator të Merz-it, i cili prej kohësh ka mbështetur kandidaturën e saj.

Krerët e Unionit Demokristian (CDU) të Merz-it dhe të Socialdemokratëve të qendrës së majtë e kanë mbështetur zyrtarisht kandidaturën e saj të hënën, duke e bërë zgjedhjen e saj pothuajse të sigurt.

Partitë në pushtet do të kenë shumicën në asamblenë që zgjedh presidentin.

Aigner ka marrë gjithashtu reagime pozitive nga të Gjelbrit në opozitë.

Ajo është aktive në politikë që nga fundi i adoleshencës dhe është zgjedhur në parlamentin e landit të Bavarisë në vitin 1994.

Nga viti 2008 deri në vitin 2013, ajo ka shërbyer si ministre e Bujqësisë e Gjermanisë në qeverinë e kancelares, Angela Merkel.

Më pas, ajo ka mbajtur postet e ministres së Ekonomisë dhe të Transportit në Bavari, përpara se të bëhej kryetare e parlamentit të këtij landi tetë vjet më parë.

Aigner ka një reputacion relativisht liberal. Në detyrën e saj aktuale, për shembull, ajo mbështeti deputetin e parë transgjinor të deklaruar hapur në Gjermani, në vitin 2019.