Trupat britanike dhe aleatët e tyre evropianë do të lejohen të kundërpërgjigjen nëse sulmohen nga rusët, në rast se vendosen si paqeruajtës në Ukrainë pas një armëpushimi, kanë deklaruar zyrtarë perëndimorë.
Forca stabilizuese e udhëhequr nga Britania dhe Franca nuk do të mbështetet në sistemet apo teknologjinë amerikane, siç është Starlink i Elon Musk, dhe pritet të përbëhet pothuajse ekskluzivisht nga trupa evropiane, nëse dislokohet në Ukrainë.
“Është e qartë se ne do t'i mbrojmë forcat tona kundër çdo agresioni”, ka thënë një zyrtar i njohur me planet, duke theksuar megjithatë se trupat perëndimore në Ukrainë do të angazhoheshin në një mënyrë që do të kishte “karakter mbrojtës”.
Detajet janë bërë publike pasi Britania dhe Franca prezantuan stërvitjen ushtarake “Koalicja”, e cila do të zhvillohet më vonë gjatë këtij muaji në Poloni. Kjo është një stërvitje me pjesëmarrjen e 11 vendeve, që synon të testojë mënyrën se si ushtritë evropiane mund të dislokohen me shpejtësi në Ukrainë, në rast se lufta përfundon.
Në këtë testim të forcës shumëkombëshe do të marrin pjesë 2.800 ushtarë, marinarë dhe pjesëtarë të forcave ajrore. Franca do të kontribuojë me 1.500 trupa nga Divizioni i saj i Parë, ndërsa Britania me 300 trupa.
Ndonëse një dislokim i ardhshëm në mbështetje të Kievit mbetet ende hipotetik, ky zhvillim shërben si kujtesë se konflikti mund të rifillojë dhe të përfshijë edhe forcat britanike, duke pasur parasysh se Rusia ka një histori të gjatë sulmesh të kufizuara gjatë armëpushimeve në Ukrainë, në periudhën 2014–2022.
Gjenerallejtënant Tom Bateman, komandanti i forcës, ka thënë se Britania, Franca dhe vendet e tjera evropiane ishin të përkushtuara “për të ofruar garanci të fuqishme dhe detyruese të sigurisë për Ukrainën pas ndërprerjes së armiqësive”.
Qëllimi i stërvitjes, ka shtuar ai, është të dëshmojë se vendet pjesëmarrëse mund të tregojnë “gatishmëri ushtarake, aftësi për dislokim të shpejtë dhe kapacitet për të vepruar në mënyrë efektive”, duke testuar planet që janë në zhvillim e sipër prej më shumë se një viti.
Vendet e tjera pjesëmarrëse janë Polonia, Gjermania, Belgjika, Estonia, Lituania, Holanda, Spanja, Suedia dhe Turqia.
Gjenerali britanik ka theksuar se kjo forcë ishte “jashtë NATO-s”, që do të thotë se do të vepronte jashtë aleancës ushtarake perëndimore, dhe pritet të ketë pak ose aspak mbështetje nga SHBA-ja, në rast se dislokohet në Ukrainë.
Për këtë arsye, po tregohet kujdes që të mos përdoret teknologjia amerikane.
“Ne nuk varemi nga sistemet amerikane”, ka shtuar një zyrtar, kur është pyetur nëse forca shumëkombëshe do të mbështetej te satelitët Starlink për komunikim.
Ndonëse SHBA-ja ka kërkuar vazhdimisht të udhëheqë negociatat mes Rusisë dhe Ukrainës, presidenti Donald Trump ka deklaruar se nuk do të angazhojë trupa amerikane në misionin paqeruajtës në Ukrainë, në rast se arrihet një armëpushim i qëndrueshëm.
Megjithatë, një rund i ri përpjekjesh për paqe gjatë kësaj vjeshte ka sjellë pak përparim, ndonëse janë duke u zhvilluar plane për bisedime trepalëshe, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, më vonë gjatë këtij muaji.
Të dyja vendet kanë vazhduar të bombardojnë infrastrukturën energjetike të njëra-tjetrës, ndërsa të dielën dhe të hënën u hakuan aplikacionet e tyre për paralajmërimet e sulmeve ajrore. Për një kohë të shkurtër, aplikacioni ukrainas paralajmëroi për kërcënime bërthamore dhe kimike, si dhe për “luftime në rrugë”.
Shqetësimet ndërkombëtare janë shtuar lidhur me besueshmërinë e mbështetjes amerikane për aleatët.
Muajin e kaluar, SHBA-ja ka kufizuar papritur përdorimin nga Ukraina të versionit ushtarak të Starlink, Starshield, për rreth 10 ditë, duke ndikuar në misionet e dronëve me rreze të mesme veprimi.
Një nga synimet kryesore të forcës shumëkombëshe do të jetë të ndihmojë në “rigjenerimin dhe forcimin” e ushtrisë ukrainase pas përfundimit të luftës, ka thënë Bateman, ndonëse synimi është që trupat perëndimore të dislokohen larg vijës së frontit
Megjithatë, rregullat e angazhimit do t'u lejojnë trupave të mbrohen nga çdo sulm rus me dronë, duke ngritur pikëpyetjen se si do të reagonte Moska ndaj incidenteve të armatosura. Të gjitha ushtritë janë të gatshme të veprojnë në vetëmbrojtje, megjithëse kjo doktrinë shpesh interpretohet në mënyrë më të gjerë.